Dimensioni edukativ i ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit

Bedri ef. Syla – imam në Qendrën islame shqiptare në qytetin Neuwied të Gjermanisë

(Shkëputur nga Webinari kushtuar ngjarjes së Israsë dhe Mi’raxhit mbajtur me datë 10.03.2021 përmes aplikacionit Zoom)

Sa herë që vijnë ditë me vlera në kalendarin islamik, njerëzit me pa hile debatojnë a duhet festuar apo nuk duhet festuar ato ditë, a llogariten si ngjarje të shënuara apo nuk llogariten. Përtej këtij debati që nuk çon në ndonjë rezultat produktiv, përtej dimensionit të adhurimit dhe shpërblimeve, ne duhet ta shohim ngjarjen e Israsë dhe Mi’raxhit nga një dimension tjetër, e që është vlera edukative dhe reflektimi i kësaj ngjarje në përmasimin e edukatës tonë.

Ajo që e dallonte Pejgamberin e Zotit si njeri, apo si emër i përveçëm – Muhamed, banor i qytetit të Mekes, është fakti se njihej nga populli si el-Emin d.m.th. besniku, i sinqerti. Njerëzit e asaj kohe para se të ishte Profet, ishin pajtuar njëzëri se ky njeri kishte vlera morale.

Pas shpalljes së Profetësisë, në periudhën para ngjarjes së Israsë dhe Mi’raxhit, Muhamedi a.s. kishte dy shtylla që e mbronin atë, njëri ishte shtylla e jashtme – ungji i tij Ebu Talibi, që edhe pse nuk i takonte fesë së tij, kujdesej për mbrojtjen e tij dhe e përkrahte atë me aq sa kishte mundësi; dhe shtylla e dytë që ishte brenda familjes ishte Hadixheja r.a., e cila përveç që ishte bashkëshortja e tij, ajo ishte edhe besimtarja e parë e cila i besoi thirrjes Hyjnore. Këto dy shtylla, kaluan në botën tjetër për një vit. Pra, Pejgamberi a.s. humbi dy njerëzit më të dashur të tij brenda vitit, andaj me anë të këtij udhëtimi Allahu sikur deshi me i thënë robit të Tij se:

Edhe pse rrugët e tokës të janë mbyllur, Allahu ty ti hap rrugët e qiellit.

Nga kjo shihet rëndësia që Allahu xh.sh. i dha kësaj nate për Muhamedin a.s.