Ebu Abdullah Muhammed ibn Umar Fahruddin er-Razi është i lindur në vitin 544/1149 në qytetin Rejj tek predikuesi kryesor i qytetit, prej nga e mori nofkën “Ibn Hatib el-Rejj” (i biri i ligjëruesit të Rejj-it) ose më së shpeshti “Ibn Hatib”. Në mesin e atyre që ai ka studiuar pasi ndërroi jetë babai i tij janë Ahmed ibn Zarinkum el-Kemal es-Simnani nga Simnani, jo shumë larg prej Rejjit, dhe pastaj filozofi-teologu i famshëm Mexhduddin el-Xhili nga Maragha në Azerbajxhan, i cili ishte nxënës i Muhammed ibn Jahja ej-Nejseburit (vd. 548H/1153), nxënësi i el-Ghazaliut (vd. 505H/1111). Thuhet që pastaj ai vazhdoi të studiojë shkencat filozofike në mënyrë të pavarur.
Zhvillimi i mendimit të Raziut dhe kronologjia e veprave të tij
Shumica e studimeve mbi mendimin e Raziut mbështetën në një përzgjedhje pak a shumë të cekët të shkrimeve të tij, shpesh duke i kushtuar pak rëndësi kronologjisë së tyre. Vëllimi i gjerë i shkrimeve të tij – ai është një prej konkurrentëve kryesorë për të qenë më i frytshmi nga gjithë teologët dhe filozofët muslimanë – dhe fakti që disa nga veprat më të rëndësishme të tij mbesin të pabotuara, janë normalisht të mjaftueshme për të vendosur studentin e mendimeve të tij në një barrë të vështirë. Edhe më vështirë është rasti me shumicën e mendimtarëve të mëdhenj muslimanë. Mirëpo, për dallim nga mendimtarët tjerë, shumica e veprave të Raziut, përfshirë ato më kryesoret, kanë mbijetuar. Në shumicën dërmuese të këtyre teksteve nuk haset problemi i atribuimit të tyre tek autori. Shumica, përfshirë të rëndësishmet, janë në arabishte; disa janë në persishte.
Për më tepër, siç ishte praktika e shumë autorëve, el-Raziu shpesh e trajton një problem në mënyrë tërësore në një libër, dhe pastaj i referohet atij kalimthi në libra të mëvonshme, nganjëherë pa përmendur diskutimin e mëhershëm. Në një libër, ai shkruan që ai do t’i shmanget diskutimit të temave që janë diskutuar tjetërkund. Prandaj, nuk është e pazakontë për lexuesit e ndonjë vepre të Raziut, qofshin para-modern ose modern, të konkludojnë që ai ka dështuar që ta adresojë një problem të caktuar, kur në fakt vetë autori është i kënaqur që këtë gjë e ka bërë diku [në një vepër] tjetër.
Në këtë fazë, ne e kemi të mundshme të përcaktojmë datën e saktë të disa prej veprave të Raziut dhe të vlerësojmë kronologjinë e përgjithshme relative të tjerave. Disa tekste është shumë vështirë për t’i datuar, përpos nganjëherë me të provuar.
Në vijim është një listë kronologjike, me përshkrime të shkurtra, e disa prej veprave më të rëndësishme të përdorura në këtë studim. Shumica e dëshmive të brendshme për datimin është hequr; një vlerësim sistematik prandaj do të ishte përtej qëllimit të këtij prezantimi bibliografik:
Kitab fi Usul el-Din, ‘akaid ehl el-sunna.
El-Ishare fi ‘ilm el-kelam.
El-Mahsul fi ‘ilm el-usul.
Es-Sirr el-Mektum
El-Mebahith el-mashrikijjeh.
El-Mulahhas fi’l-hikma we’l-mantik.
Sherh el-kulijjat min Kitab el-Kanun.
El-Metalib el-‘alije min el-‘ilm el-ilahi.
Kitab en-nefs we’r-ruh.
El-Tefsir el-Kebir, ose Mefatih el-Gajb, e shumë të tjera.
Do përpiqemi që kohë pas kohe, të përkthejmë nga gjuha angleze pjesë të shkëputura nga dy veprat e tij të dalluara, gjegjësisht “Kitab en-nefs we’r-ruh” dhe El-Tefsir el-Kebir, ose Mefatih el-Gajb” dhe ti paraqesim para jush.