Emrat e Zotit: Nënshtruesi… Dominuesi… Mposhtësi

Fisnik ef. Çela

Prej emrave të bukur të All-llahut të Madhërishëm është edhe emri El-Kahhar, që do të thotë: Nënshtrues, Mposhtës, Dominues mbi gjithçka. Çdo gjë e krijuar në gjithësi është e nënshtruar ndaj fuqisë së El-Kahharit. Çdo gjë në univers, nga galaktikat deri tek atomi, nga qielli e deri në tokë, nga insektet, shpezët dhe gjallesat e detit, deri te kafshët më të mëdhaja mbi tokë, gjithçka e krijuar i nënshtrohet Zotit. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kuran:

Ai është Dominuesi (El-Kahiru) mbi robërit e Tij dhe Ai është i Urti, i Dituri.”(El-Enam:18)       

Për ta kuptuar dhe jetuar më qartë këtë emër të Zotit, vlen të përmendim disa shembuj të nënshtrimit dhe dominimit të Zotit ndaj krijesave të Tij:

  • Zoti Fuqiplotë i nënshtron këdo që tregohet arrogant ndaj Tij.  Nëse marrim shembuj nga Kur’ani, All-llahu xh.sh e shkatërroi popullin e Lutit a.s ,kur mes tyre u përhap shthurja morale. Xhibrili a.s kishte futur krahun poshtë qytetit dhe e kishte ngritur atë lart në qiell, saqë banorët e qiellit dëgjonin lehjet e qenve. Më pas Xhibrili a.s i përmbysi përtokë duke i shkatërruar.
  • All-llahu Fuqiplotë e nënshtroi thikën që të presë, por është po Ai që e urdhëroi të mos e presë Ismailin a.s.
  • All-llahu Fuqiplotë e ka nënshtruar barkun e balenës të tresë gjithçka, por është po Ai që e urdhëroi të mos e tresë trupin e Junusit a.s.
  • Në fillim të shekullit të 19 u ndërtua një anije madhështore dhe luksoze, të cilën e quajtën “Titanik”. Anësh anijes ishin shkruar fjalët: “Anija që nuk mbytet“. Ndërtuesit e kishin shkruar këtë, duke qenë të bindur, pasi struktura e anijes ishte e tillë që nuk imagjinohej se mund të mbytej. Në udhëtimin e parë të saj nga Evropa për në Amerikë, ajo ishte e mbushur me milionerë, njerëz të tjerë dhe mallra të shumtë. Në këtë udhëtim, ajo u përplas me një ajsberg, I cili e ndan anijen në dy pjesë duke u mbytur dhe fundosur e gjithë anija, e cila shkaktoi një tragjedi që bota edhe sot e kësaj dite e kujton.
  • Zoti (El-Kahhari), kur dëshiron, i nënshtron gjërat me të kundërtat e tyre dhe vendos harmoni me tyre. Kimikisht uji është formuar nga oksigjeni dhe hidrogjeni, përkatësisht dy atome hidrogjen dhe një oksigjen. Po ta shohim me kujdes, do të gjejmë se hidrogjeni është një substancë e djegshme. Po kështu, edhe oksigjeni është substancë që ndihmon djegien. Zoti që ka nënshtruar gjithçka, nga këto dy substanca djegëse, formon një substancë tjetër e cila e shuan zjarrin, që është uji. A ke menduar se uji që pimë në origjinë është lëndë djegëse? Prandaj, sa herë të pish ujë, mendoje këtë fakt dhe falënderoje Zotin që e nënshtroi gjithçka në shërbimin tënd.
  • Zoti (Nënshtruesi) ka bërë që deti në gjendje qetësie të jetë simbol I bukurisë, kurse kur është i trazuar të jetë simbol I frikës dhe i shkatërrimit. Era, kur është e freskët është simbol i freskisë dhe gjallërisë, kurse kur është e fuqishme, ajo kthehet në simbol të shkatërrimit dhe të vdekjes.
  • Zoti e nënshtroi shpirtin që buron nga fryma e Tij, nga qielli, me trupin që në origjinë është baltë toke. Jo vetëm kaq, por shpirti dhe trupi bashkëjetojnë në mënyrë shumë harmonike. Sa herë që shpirti trazohet, efektet shfaqen në trup me lotimin e syve. Kur shpirti gëzohet dhe ndien kënaqësi, efektet shfaqen në fytyrë me buzëqeshje.
  • All-llahu, Nënshtruesi është edhe Ai i cili e nënshtron gjuhën tënde të mos e shqiptojë shehadetin në  çastet e vdekjes, nëse nuk ke qenë besimtar i mirë. Edhe pse të thuash “La Ilahe il-la All-llah” është shumë e lehtë, në çastet e vdekjes të duket sikur ke malet që rëndojnë mbi gjuhën tënde.  Në një rast, një nga shokët e Profetit a.s kur i erdhi vdekja, nuk e shqiptonte dot shehadetin. Shqiptonte çdo fjalë tjetër përveç shehadetit. Të pranishmit nxituan për te Profeti a.s dhe i treguan gjendjen e tij. Muhamedi a.s i pyeti: “A e ka nënën gjallë”?- Po, I thanë. Profeti a.s shkoi tek nëna e tij dhe e pyeti: “ A ka ndodhur ndonjë gjë jo e mirë mes teje dhe djalit tënd?” – Po, o i dërguar I All-llahut, fëmijëve dhe gruas së tij i jepte fruta të mira, kurse mua më jepte  ç’të tepronte.”  Në  çastet që e fali nëna e tij dhe ja bëri hallall, ai shqiptoi shehadetin dhe vdiq.  

E kundërta është me atë që e ka njohur dhe i është bindur Zotit Nënshtrues. Bilali r.a. kur ishte në çastet e vdekjes buzëqeshte dhe thoshte: “ Tani do të takohem me të dashurit e mi, Muhamedin a.s. dhe shokët e tjerë”.

Teksa po vdiste Hudhejfe ibn Jemame r.a thoshte: “ Mirë se vjen o vdekje, një i dashur që vjen pas një kohe të gjatë”. Më pas pyeti ç’ farë kohe është tani? Të pranishmit i thanë: “Jemi pranë agimit të mëngjesit.” Atëherë ai tha: O Zot, Unë të kërkoj që darka të më zërë në këtë botë dhe mëngjesi tjetër në Xhenet”.

Qiejt dhe toka pranuan ti binden dhe ti nënshtrohen vullnetit të Zotit të Madhërishëm me dëshirë. Po kështu edhe engjëjt, e njëjta gjë edhe me kafshët. Krijesa e vetme që Zoti e la të lirë të zgjedhë, është njeriu.  Pra ky nder të është dhënë ti si njeri, të zgjedhësh rrugën e Zotit dhe të meritosh shpërblimin e Tij apo të zgjedhësh rrugën e gabuar dhe të pësosh dënimin e Tij.

Dibër, 29.06.2021