“Parada e krenarisë” dhe Profeti Lut a.s.

Xhemail Çupi

Këto ditë, në Maqedoninë e Veriut (Shkup), ishim dëshmitarë të një ndodhie që për herë të dytë i imponohet shoqërisë sonë – ajo quhet parada e krenarisë e komunitetit të Lesbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve dhe Transgjinorëve (LGBT) organizuar nga Rrjeti Kombëtar kundër Homofobisë dhe Transfobisë por e mbështetur nga pushteti aktual maqedonas-shqiptar.

Kjo më shtyri që të bëj një hulumtim më të thellë të ngjarjes Kur’anore që përkon me këtë paradë apo marsh, që çuditërisht edhe atëherë kishte nuanca “krenarie”, por fundin nuk e kishte të tillë. Bëhet fjalë për popullin e Lutit a.s. që në bazë të disa informacioneve shtrihej në luginën e Sidimit, që përfshin Sodomin dhe Gomorrën, vend ky në afërsi të Detit të Vdekur.

Cili ishte mëkati i popullit të Lutit a.s.?

Kjo ngjarje është theksuar në disa sure të Kur’anit Famëlartë, mes tyre veçojmë suren Kamer, El A’raf, Ankebut, Hixhr, Hud dhe Shu’ara, por ne do ti qasemi problemit duke marrë segmente të caktuara nga sure të ndryshme, për të patur një mozaik më të qartë të problemit dhe jo të pasojave, që në këtë rast qenë fatale.

Allahu xh.sh. në Kur’an referohet në bisedat që kanë ndodhur mes Lutit a.s. dhe popullit të vet, pastaj bisedat e Lutit a.s. dhe engjëjve lajmërues, por ajo që është më interesante, Allahu xh.sh. tregon edhe për ndjenjat dhe shqetësimet e brendshme që e kishin kapluar Lutin a.s. si rezultat i veprimeve të shthurura të popullit të vet.

Fillimisht do kujtojmë fjalët e Lutit a.s., i cili i tha popullit të vet: “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në historinë njerëzore? Vërtet, ju të shtyrë nga epshet, u afroheni burrave duke i lënë gratë. Po ju jeni popull i shfrenua (Sureja El A’raf 80, 81).” Luti a.s. vërejti që populli i tij shpiku një veprim të ndaluar (haram) që në gjirin njerëzor nuk e kish bërë askush para tyre.

Allahu në suren Ankebut 29 referohet në fjalët e robit të Vet, Lutit a.s. kur i thotë popullit: “Bëni marrëdhënie me meshkuj, u zini pritë dhe i sulmoni njerëzit në rrugë dhe në tubimet tuaja bëni punët më të ndyra”. Pra bëhet fjalë për një popull të shthurur dhe zullumqar që përpos që praktikonin homoseksualizmin (marrëdhëniet intime mes dy meshkujve) brenda komunitetit të vet, ata deshën që këtë fenomen ta promovojnë dhe ta përhapin edhe në vendet tjera, saqë sa herë që u vinte dikush në vendbanimin e tyre ato i vërsuleshin dhe e dhunonin; sa herë që kalonte ndonjë karvanë me kalimtarë të rastit, ata u bënin pritë dhe i kërcënonin me jetë nëse nuk u nënshtroheshin atyre fizikisht. Fjala e Lutit a.s. në Kur’an “i sulmoni njerëzit” sipas një këndvështrimi tjetër social e ka qëllimin se ky veprim nuk është dëm vetëm për atë komunitet, por përhapja e saj nëpër botë është sulm kundër njerëzimit, përkatësisht vazhdimësisë së jetës në këtë botë përmes produktivitetit të lindjes së fëmijëve. Veprime tjera të theksuara në Kur’an janë edhe tubimet e tyre djallëzore ku bisedonin për imoralitet dhe shpeshherë edhe kryenin marrëdhënie seksuale në publik.

Që të bëjmë një analogji mes asaj kohe dhe sot, theksojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë orientimin seksual në vetvete dhe enkas homoseksualitetin nuk e konsideron si çrregullim (kujtojmë se deri në vitin 1977, OBSH-ja rendiste homoseksualitetin si një sëmundje[1]), e në anën tjetër po bëhet një luftë e fuqishme politike dhe mediatike, e nxitur ndërkombtarisht, që homoseksualitetin ta fusin në binaret ligjore si diçka e natyrshme, saqë kushtëzojnë edhe integrimet e shteteve në tranzicion që për tu futur në familjet Perëndimore ata duhet të miratojnë ligjet kundër diskriminimit, që indirekt kuptohet si ligje për mbështetjen e këtij komuniteti dhe më tej edhe ligje ku dy parterë të gjinisë së njëjtë të mund të birësojnë fëmijë.  Nga fjalët Kur’anore qartazi shihet se populli i Lutit a.s. ishte plotësisht i vetëdijshëm se janë duke bërë një veprim amoral dhe se e drejta dhe e vërteta ishte në anën e Lutit a.s. Kur Luti a.s. i këshillonte, përgjigja e popullit të tij ishte: “Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë (të pastër nga mëkatet) (Sureja El A’raf 80-82), ndërsa sot, pavarësisht se veprimi është i njëjtë, ajo promovohet si diçka e drejtë, e natyrshme dhe e pastër.

Allahu xh.sh. dërgoi disa engjëj që t’ia përcjellin Lutit a.s. lajmin e shkatërrimit të këtij populli, por mënyra e paraqitjes së tyre ishte një sprovë për Lutin a.s. por edhe një mësim i çmuar për ne. Thotë Allahu xh.sh.: “Dhe kur të dërguarit Tanë erdhën te Luti, (ata kishin fytyra të bukura dhe ishin të veshur bukur, siç vishen mysafirët) ai u trishtua për shkak të tyre dhe e ndjeu veten të shtrënguar për ta” (Sureja Hud: 77). Ai kishte frikë që të mos iu afroheshin njerëzit e qytetit për të bërë imoralitet me ta, por njëkohësisht edhe u hidhërua për shkak se u ndie i pafuqishëm për t’i mbrojtur mysafirët e vet, prandaj sapo i pa tha: “Kjo është një ditë e vështirë” (Sureja Hud 77);

Gruaja e Lutit a.s ishte jobesimtare. Me t’i parë këta tre djelmosha të rinj (që në fakt ishin engjëj), ajo vajti tek vendi ku tuboheshin të paudhët dhe u tha: “Në shtëpinë tonë gjenden tre djelmosha, më të hijshëm se ata nuk më kanë parë sytë ndonjëherë.” Kur e dëgjuan këtë, madje me përshkrimin se ata ishin individë të bukur, të ruajtur dhe të pastër, atyre ju shtua epshi, prandaj shpejtë e shpejtë u organizuan dhe në formë parade dhe marshi, duke kënduar dhe duke kërcyer, rrethuan shtëpinë e Lutit a.s.

Do përpiqem ta parafrazojë bisedën e tyre duke ju referuar vendeve të ndryshme të Kur’anit, por që jep një fotografi të qartë të bisedës së tyre, herë këshilluese dhe herë acaruese. Thotë Allahu xh.sh.: “Banorët e qytetit me lajmin e mbërritjes së të rinjve erdhën tek ai gjithë gëzim. Luti u tha: “Këta janë mysafirët e mi, andaj kijeni frikë Allahun e mos më poshtëroni!” Ata thanë: “A nuk të kemi ndaluar që të mos na përzihesh në njerëzit që ne i mësyjmë dhe mos i mbrosh njerëzit? Luti ua ktheu: A nuk ju mjaftojnë vajzat e vendbanimit tonë?! Nëse keni epsh, martohuni me ta në mënyrë të ligjshme” (Sureja Hixhr: 67-70) A nuk ka ndër ju ndonjë njeri të mençur që t’ju ndalojë nga e keqja?” Ata thanë: “Ti e di se ne nuk kemi kurrfarë lakmie për femrat. Në të vërtetë, ti e di se ç ‘duam ne!” (Sureja Hud 78, 79) Vallë, si ka mundësi që nga e gjitha bota, t’iu qaseni meshkujve. E i leni gratë anash, të cilat Zoti juaj i krijoi për ju! Por ju jeni një popull që kaloni çdo kufij!” Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”. Ai tha: “Unë kam vërtet neveri për atë që bëni ju! (Sureja Shu’ara 165-168). Ata i kërkuan t’ua dorëzonte mysafirët e tij dhe deshën t’u afrohen atyre e Ne ua verbëruam sytë atyre dhe u thamë: Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!” (Sureja Kamer: 37)

Pas kësaj ngjarje, Lutit a.s. ju kumtohet që të largohet nga ai vend sepse Zoti ka vendosur ta shkartojë atë përgjithmonë: “Ti ec me familjen tënde pasi të kalojë një pjesë e natës dhe rri pas tyre (që të mos frikësohen) dhe asnjëri prej jush të mos kthejë kokën mbrapa (për të shikuar) dhe shkoni andej kah urdhëroheni” (Sureja Hixhr: 65). Njeriu kthen kokën kur ka mall dhe nostalgji për një vend të caktuar; kthen kokën kur ndjen keqardhje për atë që ka lënë; kthen kokën kur ndjen krenari për historinë e tij të lavdishme. Fjala “mos e ktheni kokën” nuk u dedikohet vetëm Lutit a.s. dhe familjes së tij, por na dedikohet të gjithëve edhe sot. Zoti na thotë që atë histori të turpshme të njerëzimit ta kujtojmë që të mos e përsërisim asnjëherë më.  Allahu xh.sh. gjithashtu na mëson që nuk duhet përkrahur të pa vërtetën, të shëmtuarën dhe imoralen edhe nëse nuk e veprojmë vetë. Gruaja e Lutit a.s. edhe pse nuk ka të dhëna në Kur’an se edhe vet ka vepruar imoralitet, vetëm për faktin që përkrahu imoralët Allahu xh.sh. e futi në kategorinë e keqbërësve.  “Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij – të gjithë, përveç një plake (gruas së Lutit), e cila mbeti me të tjerët. Pastaj, të tjerët i shkatërruam.” (Shuara, 170-172).     

Ajeti 82 i suren Hud qartëson mënyrën e shkatërrimit të popullit të Lutit. Allahu xh.sh. thotë: “Kur erdhi urdhri Ynë, Ne përmbysëm çdo gjë dhe mbi ta lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu”. Shprehja “përmbys” tregon se zona u shkatërrua totalisht nga një tërmet i fuqishëm. Në pajtim me këtë, në Liqenin e Lutit ose siç e quajmë sot Deti i Vdekur, në të cilin ndodhi shkatërrimi, gjenden prova të qarta të një shkatërrimi të tillë. Këtë e konfirmon edhe arkeologu gjerman Werner Keller kur thotë: “Së bashku me bazën e kësaj çarjeje të madhe, e cila kalon pikërisht nëpërmjet kësaj zone, lugina e Sidimit, që përfshin Sodomin dhe Gomorrën, u zhyt një ditë në humnerë. Shkatërrimi i tyre ndodhi si pasojë e një tërmeti të madh, i cili ka mundësi të jetë shoqëruar me shpërthime, vetëtima, rrjedhje gazi natyror dhe zjarre të mëdha”. [2]

Lidhshmëritë e ngjarjeve Kur’anore

Në suren Kamer, pas ngjarjes së popullit të Lutit Allahu xh.sh. kujton edhe dënimin e popullit të faraonit.  Allahu xh.sh. thotë: “Edhe rrethit të faraonit i patën ardhur shumë vërejtje (paralajmërime). Ata i përgënjeshtruan të gjitha argumentet Tona, prandaj Ne i dënuam  (i mbërthyem) ashtu siç është dënimi i një Ngadhënjyesi, i një Fuqiploti. A mendoni se jobesimtarët e kohës suaj janë më të vlefshëm se popujt të shkatërruar më parë, apo mendoni se ju keni imunitet, mbështetje dhe garanci nga ndëshkimi (në Librat hyjnorë?) (Sureja Kamer: 41-43).

Në kohën e faraonit, ushtarët dhe populli i tij, sa herë që bënin ndonjë veprim të keq dhe imoral arsyetoheshin dhe nuk dënoheshin vetëm e vetëm sepse kishin mbështetjen dhe përkrahjen e faraonit. Vallë, ku e marrin mbështetjen dhe përkrahjen sot komuniteti i LGBT-së? Si mundet që pushteti dhe qeveritarët të marshojnë krah për krah me këtë komunitet nëse ato pushtetin e kanë fituar nga populli shumicë dhe jo nga komuniteti pakicë. Në anën tjetër, kush i financon organizatat që promovojnë këto antivlera shoqërore, në kohën kur populli jonë përballet me kriza të vazhdueshme ekonomike? Ju jeni ato që mund ta bëni lidhjen logjike, ndërsa unë mund të them se ato përkrahen dhe financohen nga Faraonët e kohës moderne. Faraoni nga frika e pushtetit i vriste djemtë dhe i linte gjallë dhe i keqpërdorte vajzat, ndërsa faraonat e kohës moderne s’kanë nevojë të vrasin kënd sepse me vet promovimin dhe përkrahjen e këtij komuniteti e kanë vrarë vazhdimësinë e tërë njerëzimin, burra dhe gra.

Ky komunitet mendon se fuqinë e ka në bashkësinë dhe unifikimin e tyre në tërë botën. Allahu xh.sh. planin e tyre e zbulon më poshtë kur thotë: “A mos po thonë ata : Ne të gjithë jemi një front i bashkuar, i detyruar të mbizotërojë? Së shpejti fronti i tyre i bashkuar do të mposhtet dhe do të detyrohen të ikin. Madje, afati i tyre është kiameti, e kiameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur (Sureja Kamer: 44-46).

Nëse vërtetë duan të dëshmojnë frontin e tyre të mbijetesës, atëherë propozoj që paradën e ardhshme të krenarisë së tyre ta zhvillojnë në qytetin e humbur të Sodomit, atje ku lindi ideja por edhe ku erdh pasoja nga Zoti, atje ku janë paraardhësit ideologjik por jo edhe biologjik sepse për mua LGBT-ja është aksion fizik pa reaksion biologjik (pa zhvillim të gjirit njerëzor).  

Dibër, 28.06.2021


[1] https://www.who.int/bulletin/volumes/92/9/14-135541.pdf

[2] https://perishednationssq.wordpress.com/kapitulli-3-populli-i-lutit-dhe-qyteti-qe-u-kthye-permbys/