Burim ef. Sadria
Falënderimet qofshin për Allahun xh.sh. Salavatet ia dërgojmë Muhamedit a.s. Paqja, mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e tij, familjen e tij dhe gjithë ata që do ta ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.
Do të flasim mbi një moral, i cili konsiderohet shumë i rëndësishëm për çdo person dhe për shoqërinë në përgjithësi. Moral i cili, kur atë e humb një shoqëri e caktuar, ajo është e destinuar të prishet, shthuret dhe në fund shkatërrohet. Në anën tjetër, sa më shumë të përhapet mes individëve të një shoqërie, aq më shumë ajo shoqëri pastrohet nga veprat e ulëta dhe degraduese. Ky moral e ka emrin turp.
Ndjenja e turpit është e lidhur ngushtë me besimin e njeriut. Sa më shumë të shtohet kjo ndjenjë, aq më shumë shtohet besimi. E nëse pakësohet, pakësohet dhe besimi.
Po çfarë kuptimi ka fjala turp?
Kuptimi i kësaj fjale në realitet është mosbindje e trupit ndaj të vepruarit haram. Kjo ndodh pasi njeriu nuk dëshiron që të shoh veten të nënçmuar para Zotit të Madhëruar, para njerëzve dhe para vetes së tij. Pra është një ndjenjë qe kërkon ta mbrojë dinjitetin e njeriut, larg veprave të ulëta.
Në gjuhën arabe turpit i thonë “hajaun”. Kjo fjalë e ka origjinën nga fjala “hajatun” që do të thotë “jetë”. Pra, nëse dikujt në gjuhën arabe i thonë që “je i turpshëm”, e ka qëllimin që ai akoma jeton; kur i thonë dikujt që “i erdhi turp”, do të thotë që akoma jeton (është gjallë) dhe nuk dëshiron që ta ndot veten e tij me gjëra të ulëta.
Një ditë Profeti Muhamed a.s. dëgjoi dikë që i thoshte vëllait të tij: “Mos ji kaq i turpshëm”! Profeti a.s i tha: “Lëre, se turpi është prej besimit”.
Një grua e quajtur Fatime Bint Utba bin Rebia shkoi tek Pejgamberi a.s. për ta pranuar Islamin. Pejgamberi a.s i tha: Më jep besën që nuk do të adhurosh tjetër kënd veç Zotit, nuk do vjedhësh dhe nuk do të bësh imoralitet! Kur dëgjoi Fatimeja fjalën “imoralitet”, mbuloi fytyrën me duart nga turpi.
Çdo vepër e mirë e ka burimin ke turpi. Profeti a.s thotë: “Besimi dhe turpi janë të lidhura ngushtë, nëse shtohet njëri, shtohet edhe tjetri. Turpi në tërësi është i mirë. Turpi nuk sjell veçse të mira. Turpi buron nga besimi dhe besimi e ka vendin në xhenet”. Në një rast tjetër ka thënë: “Nëse Zoti dëshiron të shkatërrojë dikë, ia heq ndjenjën e turpit. Kur i heq ndjenjën e turpit, do të fillojnë ti urrejnë njerëzit veprat e tij dhe ta urrejnë edhe atë si person. Nëse urrehet njeriu i hiqet amaneti. Kur i hiqet amaneti, do të njihet mes njerëzve si tradhtar dhe jo i besueshëm. Nëse ndodh kjo, do ti hiqet ndjenja e mëshirës. Dhe nëse i hiqet ndjenja e mëshirës, do të mbetet i mallkuar, larg mëshirës së Zotit”.
Shkoi dikush tek Ibrahim bin Ed-hemi dhe i tha: O Imam, dua të pendohem dhe ti lë gjynahet, po sa herë që e bëj këtë, përsëri kthehem dhe i veproj. Prandaj më trego diçka që të më mbrojë nga gjynahet! Ibrahimi i tha: “Nëse të shkon mendja të bësh gjynah, mos e bëj mbi tokën e Zotit”! Po si bëhet kjo o imam, kur të gjithë e dimë që e gjithë toka është e Zotit? Nëse e di që e gjithë toka është e Zotit, si mundesh të bësh gjynah mbi tokën e Zotit? Më pas shtoi: “Nëse dëshiron të bësh ndonjë gjynah dhe të shkelësh ligjet e Zotit, atëherë mos ha nga rrizku i Tij”! Po si të jetoj pa ngrënë o imam? – e pyeti burri. A nuk të vjen turp të hash nga rrizku i Zotit dhe të shkelësh ligjet e Tij, në një kohë kur Ai të ka dhënë kaq të mira?! Vazhdon imami më tej: “Nëse dëshiron patjetër të kundërshtosh urdhërat e Zotit, bëje në një vend ku nuk të shikon Zoti”! Ku ta gjej atë vend, o imam, pasi Zoti është në çdo vend me dijen e Tij dhe di çdo gjë që ndodh? -I tha burri. “A nuk të vjen turp prej Zotit që është me ty dhe të shikon në çdo vend që ndodhesh dhe çfarëdo që bësh? – ia kthen Ibrahimi dhe më tej vazhdoi: “Nëse kërkon të veprosh ndonjë gjynah, kur tët vijë Meleku i vdekjes i thuaj: më prit sa të pendohem”! Po kush e ka në dorë diçka të tillë o imam? – ia priti menjëherë njeriu. A nuk të vjen turp që mund të vdesësh duke vepruar gjynahe e tët takojë Meleku i vdekjes duke i shkelur ligjet e Zotit?!
Dijetari i madh Ibnul Kajjim el Xheuzi ka thënë: “Gëzimi që e kreve gjynahun tënd, është më i rëndë te Zoti se sa vet gjynahu”! E qeshura jote duke kryer gjynah, është më e rëndë te Zoti se sa vet gjynahu. Dëshpërimi yt që nuk e veprove një gjynah, është me rëndë te Zoti se vet gjynahu. Kujdesi që kushton për ta fshehur gjynahun që të mos merret vesh nga njerëzit, pa u shqetësuar fare që Zoti i Madhëruar të ka parë, është më i madh se vetë gjynahu. A turpërohesh nga njerëzit dhe nuk turpërohesh nga vetë Zoti i Madhëruar!”
Për në fund po citoj fjalën e mrekullueshme të Pejgamberit tonë a.s. që thotë: “Nëse nuk ke turp, vepro ç’të duash”. Qofshim nga ata besimtarë që turpërohemi nga veprat tona të liga. Amin!