Ligjëruese fetare: Shkëndije Mullarexha
Në suren Nisa, Allahu xh.sh. ka sjellë shumë dispozita që kanë të bëjnë me femrën. Ndër to, është edhe fakti se të dy, si burri dhe gruaja, janë krijuar dhe rrjedhin nga i njëjti burim, pra të dy janë të prirur për të mirën dhe të ligën, për udhëzimin dhe për humbjen e tyre.
Thotë Allahu në Kuranin Fisnik: “Pasha njeriun (shpirtin) dhe Atë që e krijoi atë me përsosmëri. Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që (me punë të këqija) e poshtëroi vetveten” (Sureja Shems: 7-10).
Kjo barazi në përgjegjësi dhe shpërblim, konfirmohet në një formë akoma më të plotë, kur të dy përmenden paralelisht në ajetin e mëposhtëm:
“Nuk ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadaka-dhënësit e sadaka-dhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë-përmendësit e All-llahut e shumë-përmendëset e All-llahut, All-llahu për ta ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh (Sure Ahzab:35). Apo edhe në ajetin tjetër: “Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim)” (Sureja Ali Imran: 195)
Marrëdhëniet mes dy bashkëshortëve nuk mund të ndërtohet në bazë të dhunës, shtypjes, arrogancës, siç veprojnë fatkeqësisht disa njerëz. Marrëdhëniet bashkëshortore ndërtohen në bazë të miqësisë, mëshirës, dashurisë dhe dhembshurisë reciproke. Kjo manifestohet në ajetin e radhës:
”Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë (Sureja Rum: 21).
Prandaj dhuna që disa burra ushtrojnë mbi gratë, gjë e cila u shkakton këtyre të fundit vuajtje psikologjike të rënda, nuk ka asnjë bazë fetare. Thotë profeti Muhamed a.s.:
“Besimtari nuk e urren besimtaren (gruan e tij). Nëse urren tek ajo një cilësi, do të pëlqejë një cilësi tjetër”. E në një rast tjetër ka thënë: “Besimtari më i përsosur është ai me moralin më të mirë. Me i miri mes jush, është ai që është më i miri me familjen e tij”. Kur Profeti a.s. u pyet mbi të drejtat e gruas, u përgjigj: “Ta ushqesh siç ushqehesh vet, ta veshësh siç vishesh vet, të mos e godasësh për asnjë arsye, të mos përdorësh ndaj saj fjalë banale dhe mos e braktisësh”.
Këto thënie profetike i garantojnë gruas të drejtat më themelore të saj: të ushqyerit, veshjen dhe dinjitetin. Ndërsa hadithi përmbyllës thekson mirësitë e Zotit dhe shpërblimet e Tij për një familje të shëndoshë dhe fetare:
”Kujt i ka dhënë Zoti një grua të mirë, e ka ndihmuar atë të plotësojë gjysmën e fesë, prandaj le ti frikësohet Zotit për gjysmën tjetër! (Transmeton Taberaniu dhe Hakimi).
Dibër, 22 shkurt 2021.