Mëshira dhe shpresa në Allahun – Zotin e botëve

Burim ef. Sadria

Falënderimet dhe përuljet i takojnë vetëm Allahut, Krijuesit dhe Zotëruesit të botëve që me dritën e Tij ka ndriçuar rrugët e jetës për të gjithë krijesat e Tij!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi krijesën më të mirë të Tij, kandilin ndriçues dhe lajmëtarin e rrugës së drejtë, Muhamedin a.s. si dhe mbi familjen e tij, shokët e tij dhe posaçërisht mbi ata që shtegtojnë rrugën e tij deri në Ditën e Fundit!    

Thotë Allahu xh.sh. në Kur’anin Madhështor:

“E mos e humbni shpresën nga mëshira e All-llahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në All-llahun” (Sureja Jusuf: 87).

Allahu i Lartë madhëruar gjithashtu thotë:

Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Sureja Zumer: 53)

Muhamedi a.s në një rast u tha shokëve të tij (sahabëve):

“Njeriu besimtar do të ringjallet dhe do të japë llogari para Allahut dhe do ti rëndojnë veprat e këqija dhe Allahu do ti urdhërojë engjëjt (melekët) që ta çojnë drejtë në zjarr. Duke ecur drejt zjarrit ai do ta kthej kokën pas. Allahu do ti thotë: O Robi im mos vallë në regjistrin tënd të veprave të mira ka diçka që ke punuar por nuk të është regjistruar? – Jo, o Zot! Të gjitha janë të regjistruara. – O Robi im! Mos vallë te veprat e tua të këqija ka diçka që engjëjt (melekët) e kanë regjistruar e ti nuk e ke bërë? – Jo, o Zot! – Atëherë pse kthen kokën pas? – O Zot, unë nuk të kam njohur kështu. Të kam njohur të Mëshirshëm! – Allahu në atë çast do thotë: Çojeni në xhenet!”

Një njeri e pyeti Muhamedin a.s:

“O i dërguar i Zotit, e dua xhenetin? – Atëherë Muhamedi a.s. i dha katër këshilla, që nëse i vepronte do futej në Xhenet. I tha:

  • Përhape selamin
  • Shpërnda sadaka pa ndërprerë
  • Agjëro gjatë tërë vitit
  • Falu tërë natën

Sahabiu ja ktheu: Kjo qenka shumë e vështirë! A ka njeri që mund ta bëjë këtë? – Muhamedi a.s ia ktheu:

  • Përshëndet një besimtar – ke përhapur selamin.
  • Puno dhe ushqeje familjen me hallall – ke dhënë sadaka pa ndërprerë.
  • Agjëro Ramazanin dhe tre ditë në çdo muaj – ke agjëruar tërë vitin.
  • Fale sabahun dhe jacinë me xhemat – sikur të jesh falur tërë natën.

E përfundoj këtë temë me hadithin e Pejgamberit a.s ku thotë :

“Çdo njeri është gabimtar (mëkatar). Gabimtari më i mirë është ai që e pranon gabimin dhe pendohet”.

Qofshim prej atyre që vazhdimisht pendohen. Amin!

Dibër, 23.02.2021