Namazi dhe urtësitë e tij

Bujar ef. Dovolani

Namazi është shtylla e fesë Islame. Ai vjen menjëherë pas dëshmisë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut xh.sh dhe se Muhamedi a.s është rob dhe i dërguari i Tij. Namazi është një prej obligimeve të besimtarit dhe besimtares, që përmend më së shumti Allahu Fuqiplotë në Kur’anin Fisnik dhe Muhamedi a.s në thëniet (hadithet) e tij. Këto porosi Hyjnore që theksojnë vlerën dhe rëndësinë e madhe që ka namazi, bëhen me shkas që njeriu me seriozitet ta pranon këtë obligim nga Zoti i tij dhe mos e neglizhojë për asnjë arsye.

Nëse bëjmë një krahasim në adhurimet e krijesave të Zotit, nga ajo që na është transmetuar nga i Dërguari i Tij, do mësojmë për një lloj engjëjsh (melekësh) që prej se i ka krijuar Allahu, pandërprerë qëndrojnë në sexhde dhe kur do të vijë dita e Fundit (dita e Kiametit) këta melekë do ti çojnë kokat e tyre dhe do të thonë: “Sa shpejt erdhi dita e mbramë! Ne nuk e adhuruam sa duhet Krijuesin tonë, Allahun Fuqiplotë!” Ndërsa njerëzve, kjo mundësi për falënderim dhe adhurim iu është dhënë përmes namazit pesë herë në ditë.

Namazi është obligim i çdo besimtari dhe besimtareje prej kur arrin moshën madhore e derisa t’ia dhurojë shpirtin Krijuesit. Në krahasim me adhurimet tjera, namazi është obligim i cili nuk ka arsyetim për mos kryerje, pa marrë parasysh kushtet apo rrethanat, qoftë i shëndosh apo i sëmurë, në punë apo i lirë, në këmbë, i ulur apo i shtritë, në shtëpi apo udhëtim, namazi gjithsesi duhet të kryhet. Në anën tjetër, agjërimi është obligim i besimtarëve të shëndoshë, që nënkupton se i sëmuri nuk e ka obligim gjatë sëmundjes së tij; Zeqati dhe Haxhi janë obligim i atyre që kanë pasuri, andaj të pa pasurit nuk e kanë obligim, mirëpo namazi është i mundshëm nga të gjithë dhe kjo është mëshirë për ta nga i Madhi Zot.

Thotë Allahu xh.sh në Kur’anin Fisnik:

“Faleni namazin sepse vërtetë namazi u është bërë detyrim besimtarëve në kohë të caktuar” (Sureja Nisa: 103). “Ndiqni rregullisht faljet (pesë kohët e detyruara) e sidomos faljen e mesit (pasditen)” (Sureja Bekare: 238).

Abdullah Ibn Mes’udi r.a. ka thënë: “E kam pyetur të Dërguarin e Allahut: Cila punë është më e dashur te Allahu i Madhëruar? – Tha: Namazi në kohën e vetë! – I thash: Pastaj cila? – Tha: Bamirësia ndaj prindërve! – I thash: Po pastaj? Tha: Xhihadi (përpjekja) në rrugë të Allahut”.

Një njeri i drejtohet Profetit a.s. dhe e pyet: “O i Dërguari i Allahut! Më trego për një punë që do më shpije në Xhenet dhe do më largojë nga Xhehenemi? – I Dërguari a.s tha: Të adhurosh Allahun dhe mos ti shoqërosh ortak, të falësh namazin, ta ndash zeqatin dhe të mbash lidhjet farefisnore”.

Namazi i ka urtësitë e veta, por mes tyre mund të veçojmë:

  • Ai pastron shpirtin e njeriut, e përgatit atë për t’iu lutur Allahut në këtë botë dhe për të qenë pranë Tij në botën e përjetshme.
  • Namazi e ndalon besimtarin nga mëkati dhe punët e këqija. Allahu xh.sh në Kur’anin Fisnik thotë:

“Vërtetë namazi parandalon nga çdo vepër e papëlqyer dhe e padrejtë (Sureja Ankebut: 45).

  • Namazi mund të jetë shkak i faljes së mëkateve tona. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh në Kuranin Fisnik thotë:

“Po atyre që i përmbahen librit dhe e falin namazin, Ne nuk u humbim shpërblimin të mirëve (Sureja A’raf : 170).

  • Respektimi i kohëve të namazit na bën që të kemi principe, të respektojmë orarin dhe të kemi një plan te mirë për të jetuar siç na ka hije.

Andaj për fund, ritheksojmë se namazi është shtylla apo direku i fesë, andaj faleni namazin derisa vdekja nuk ju ka arritur. Faluni sepse namazi është lidhje e fuqishme mes krijesës -njeri dhe Krijuesit – Allah xh.sh.

Dibër, 24.02.2021