Të shohim gjërat me thjerrëzën e besimit – komentimi i sures Asr

Mr.c. Jeton ef. Muça

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim që njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm” (Sureje Asr: 1-3).

Përderisa jemi duke kaluar këtë situatë pandemike të virusit Kovid-19, në bazë të disa statistikave, pasiguria, stresi dhe depresioni janë rritur në nivele alarmante. Për ta kuptuar këtë pasiguri që zakonisht e përcjell njeriun sapo të shfaqen sëmundjet dhe sprovat, është mirë të hedhim një hap prapa dhe të shikojmë qëllimin themelor të jetës sonë. Njerëzit zakonisht janë të shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e tyre, por jo vetëm për këto të dyja, sepse kjo situatë ka ndikuar edhe tek veprimtaritë e përditshme, duke shkaktuar kështu edhe kriza financiare. Është një e dhënë shumë i rëndësishme, që thotë se nëse bie ekonomia, atëherë paralelisht do të humben shumë punë, duke rritur kështu rrezikun për përhapjen e krimit dhe situata të frikshme të cilat mund të ndodhin në pjesë të ndryshme të botës, duke përfshirë këtu edhe luftërat. Këtë fakt jemi duke e përjetuar edhe në vendit tonë, pasi dëgjojmë se shumë njerëz po humbasin vendet e tyre të punës. Ndërmarrjet, industritë apo sipërmarrjet e ndryshme private, si rezultat i mungesës së kërkesës nga konsumatori, në mungesë të prodhimit, janë të detyruar ti lëshojnë punëtorët e tyre prej pune.

Disa njerëz janë duke humbur shëndetin e tyre, disa të tjerë janë duke humbur sigurinë e tyre, pra, e gjithë shoqëria është e ndikuar në një formë apo në një tjetër nga kjo pandemi.

Siç thash, dëshiroj që të hedh një hap prapa dhe të rikujtojë veten dhe ju, një thënie që Allahu e ka vendosur në Kur’an, që nëse analizohet thellësisht do të shohim se bëhet fjalë për një sure të shkurtër prej tri ajetesh që formulojnë një paragraf jashtëzakonisht mahnitës.

“Pasha kohën” (Sureja Asr: 1).

Allahu betohet në kohën, por fjala e cila përdoret në këtë ajet për të kuptuar kohën, vjen nga fjala “asir”, që ka kuptimin e “lëngut” në gjuhën arabe. Kur ju shtrydhni një frutë dhe ajo që rrjedh prej saj, ajo quhet “asir”. Ndërsa “mu’asirat” janë retë që përplasen me njëra-tjetrën dhe kur ato “shtrydhin” njëra-tjetrën, atëherë fillon që të bjerë shiu. Andaj, “asr” nënkupton kohën e cila është duke u “shtrydhur” dhe që largohet me shpejtësi. Pavarësisht se çfarë bëni, ajo do të thahet dhe do lirohet. Andaj, kur dita është duke mbaruar dhe kur fillon të largohet ajo pjesë e dritës që ka mbetur, është koha e ikindisë (asr). Pra, ka të bëjë me kohën kur drita veçse ka filluar të zbehet. Kjo shumë e rëndësishme, sepse Allahu na përkujton të gjithë ne se ajo që është duke thënë Ai, është mjaft urgjente dhe ne nuk kemi shumë kohë për ta kuptuar.

Imagjinoni sikur dikush ju thotë diçka në kohën e ikindisë dhe ju keni kohë deri në aksham. Me fjalë të tjera, është afër fundit të një dite dhe dikush po ju thotë që “keni kaq kohë para se të fillojë errësira”.

Drita këtu simbolizon imazhin e jetës dhe errësira imazhin e vdekjes. Ne jemi në “asr” të jetës sonë dhe jemi në fund të “bishtit” të asaj jete të shkurtër që na ka mbetur. Para se ajo të mbarojë dhe para se të futemi në tokë, kemi shumë pak kohë për të kuptuar mënyrën e mos dështimit në jetë. Prandaj, Allahu thotë: “Betohem në kohën e cila është duke mbaruar”

Vazhdon…