(Foto e shkrepur nga dhoma-muze e Myftinisë së Dibrës së Madhe)
Elez Isuf Ndreu (1861–1924) ishte prijës popullor i çetave të krahinës së Dibrës.
Ka lindur në vitin 1861 ne Fshatin Sllovë të Dibrës. Bir i Isuf Ndreut, nga një familje që do bëhej simbol i Dibrës.
Disa nga ngjarjet kryesore të jetës së tij:
- Më 1908, kur u mbajt Kongresi i Manastirit ishte Elez Isufi me 200 djelmosha që mbanin të sigurtë zhvillimin e Kongresit.
- Elez Isufi mori pjesë në shumë luftëra e beteja, por vlejnë për të përmendur ato të kryengritjeve të viteve 1912-1913-të, kryengritja e shtatorit e vitit 1913, goditja e Divizionit të Nishit, në 5 dhjetor të vitit 1915-të etj. “Pjesëmarrja e forcave popullore të Lumës, Hasit e Dibrës gjatë muajit nëntor 1912, në luftën kundër pushtuesve serbë, bëri që pushtuesi të humbasë shumë ushtarë e municione.”[1]
- Në mars 1922 Elez Isufi bashkë me dibranët, organizoi kryengritjen e parë me armë ndaj qeverisë së atëhershme të udhëhequr prej Ahmet Zogut. Pas shumë betejave, do të çuditej konsulli anglez Ayres, i cili qe ndërmjetës në takimin që kishte Elez Isufi me Ahmet Zogun në Lëvizjen e marsit 1922. Në kujtimet e tij, ai tregon se kishte mbet i habitur se si ranë dakord këto dy burra, njëri 26 vjeç e tjetri 60, pa protokoll zyrtar, vetëm duke i dhënë dorën njëri-tjetrit.[2]
Historia na ka treguar se që nga viti 1912 e deri në vitin 1924, Elez Isufi mori pjesë pothuaj në të gjitha ngjarjet e mëdha politike të Shqipërisë, duke bërë një emër të madh në historinë e vendit tonë. Janë domethënëse fjalët e prijësit dibran, kur e kanë pyetur: ”A nuk po shkon dhe ti në Vlorë, o Elez Isufi?” – Ai ia ka kthyer:
”Kam çue djemtë në dasëm se u rritën. Vetë po kqyr shpajën se mos ma çart ujku.”[3]
Këngë kushtuar trimërisë së Elez Isufit:
“Elez aga i hipka atit
Çoi kabile (popullin) bahi gati
Bahi gati, jam tuj ardhe
Kam shemb Dibër, Reç e Dardhe
Elez aga e tunde malin
Tash nantët vjet lufton me Krajlin…”
Të gjitha betejat i kishte bërë ballë për ballë, deri më 16 dhjetor 1924 në orën 11.00, kur vetë Elez Isufi mbeti i vrarë pas shpine.
[1] Gazeta “Atdheu”, në numrin e saj 20 nëntorit
[2] https://www.radiokosovaelire.com/elez-isufi-robin-hudi-i-shqiperise/
[3] Dalip Greca: Elez Isufi, prijësi popullor dibran që historia i dha pavdeksinë