Dita e nesërme shënon një ditë të veçantë në kalendarin islam. Çlirimi i Mekës është sinonim i triumfit pas përpjekjeve, faljes dhe tolerancës pas torturave e mundimeve që pësuan muslimanët, vetëm sepse besonin Zotin Një.
Kjo ngjarje ndodhi pikërisht në ditën e njëzetë të Ramazanit të 8 të hixhretit, përkatësisht, në dhjetor të vitit 629. Kjo dëshmon se Ramazani në atë kohë nuk është kuptuar si kohë e gjumit, përtacisë dhe mos aktivitetit, por përkundrazi, si muaj i kthesës pozitive, ku aksioni, përkushtimi maksimal, mobilizimi, planifikimi, të mishëruar dhe të ngërthyer me mëshirë dhe tolerancë, janë kuptuar si pasojë e devotshmërisë personale dhe kolektive.
Muhamedi a.s. dhe shokët e tij, çliruar Mekën dhe i dhanë triumf Islamit pa mos me derdhur pikë gjaku dhe pa përdorur aspak forcën e tyre ushtarake edhe pse shpatat i kishin me veti dhe numri i tyre ishte më i madh. Kjo jep një mësim të fortë se suksesi në përhapjen e Islamit dhe në zhvillimin e vendit vjen menjëherë pas unifikimit vëllazëror, konsolidimit të brendshëm dhe përkushtimit maksimal në ruajtjen e vlerave Islame. Mos revanshizmi i Muhamedit a.s. dhe sahabëve ndaj atyre që fillimisht i kishin masakruar dhe dëbuar nga vatra familjare është argument i qartë se Islami refuzon luftën pushtuese e të padrejtë, dhunën dhe terrorin, por proklamon tolerancën dhe mëshirën ndaj të dobëtëve dhe atyre që pendohen.
Për nder të kësaj dite të shënuar, ju informojmë se nesër (e diel), përkatësisht me datë 02.05.2021, në xhaminë e Sahat Kullës, në ora 11:00, do kemi ligjëratë fetare për gra me ligjëruesen fetare dhe pedagogen Shkëndije Mullarexha.
Më pas, do mbahet një program manifestiv me lexim Kur’ani dhe recital nga nxënëset e xhamisë së Bajram Begut.
Duke respektuar protokollet e pandemisë, jeni të mirëseardhura!