Ramazani – muaji i lutjeve

Reshit ef. Mullarexha

Lutja është gjithmonë një bazë ku besimtari mund të mbështetet dhe të besojë. Përqafimi i lutjes dhe strehimi në mëshirën Hyjnore në çdo fazë të jetës së tij është një nga cilësitë kryesore që e dallon një besimtar nga njerëzit e tjerë.

Namazi është një veprim i domosdoshëm i një besimtari kur shkon për të fjetur në mbrëmje, kur zgjohet në mëngjes dhe gjatë përditshmërisë së tij. Ky adhurim gjen burimin e tij në Sunetin e të Dërguarit të Allahut. I Dërguari i Allahut lutej për veti dhe njëkohësisht i urdhëronte edhe besimtarët që të luteshin. Sepse lutja është një mjet që e afron atë me Zotin.

Kur një besimtar e pranon lutjen si bazë ai e kujton Zotin e tij në momente bekimesh dhe bollëku, është i mbushur me ndjenja mirënjohjeje dhe e shpreh këtë me lavdërimet e tij, por edhe në kohë vështirësish dhe ankthi, ai strehohet te Zoti i tij dhe vetëm Atij i kërkon ndihmë.

Zoti i Madhërishëm dëshiron që shërbëtorët e tij besimtarë t’i luten Atij në çdo kohë:

“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” [1]

Ka raste kur lutjet e bëra në një kohë të caktuar janë më afër pranimit sesa ato të bëra në raste të tjera. Midis këtyre kohërave të bekuara është koha e agimit, dita e xhuma, periudha e natës dhe sidomos Nata e Kadrit, pasi Ramazani zë gjithmonë vendin e parë.

Ka shumë lajme të mira për këtë në shumë hadithe-sherifë. Sipas tyre, në kohë të tilla, mëshira Hyjnore ngrihet dhe besimtari bëhet një shërbëtor i pranueshëm në sytë e Zotit, duke jetuar në mënyrën e të sinqeritetit dhe skllavërisë së vërtetë, të nevojshme për pranimin e lutjes.

Në hadithin sharif të radhës, vëmendja tërhiqet nga ky kuptim dhe besimtarët inkurajohen të luten sa më shumë:

“Në natën e parë të Ramazanit, dyert e qiellit hapen. Çdo natë, bëhet një thirrje për faljen e mëkateve të tij. A pendohet dikush? A ka ndonjë që lutet?”[2]

Në një hadith tjetër, Profeti Muhamed (a.s.), përmend agjërimin e tre njerëzve, lutjet e të cilëve nuk do të refuzohen. Ai thotë: “Duatë e tre njerëzve nuk refuzohen: e agjëruesit, derisa e prish agjërimin, e sundimtarit (liderit) të drejtë, dhe njeriut të shtypur (në presion)”.[3]

Ashtu si në çështjet e tjera të Islamit, i Dërguari i Allahut, i cili jetoi shembullin më të mirë në jetën e tij të bekuar, aplikoi të gjitha llojet e adhurimeve dhe lutjeve në muajin e Ramazanit. Përveç kësaj, ai i këshilloi edhe besimtarëve përreth tij që të faleshin dhe të luteshin shumë, duke u kujtuar atyre shpërblimet e mëdha te Zoti i gjithësisë.

Në Ramazan, e cila është skena e shfaqjeve të mëshirës Hyjnore nga fillimi deri në fund, koha e iftarit ka një kuptim dhe një vlerë të veçantë. Profeti ynë (a.s) shprehu rëndësinë e kësaj kohe të jashtëzakonshme në thënien e mëposhtme:

“Lutja e agjërimtarit në kohën e iftarit nuk refuzohet.”[4]

Sipas transmetimit të Abdullah bin Omerit (r.a.), i Dërguari i Allahut, në kohën e iftarit, shpesh përsëriste lutjen vijuese:

“O Zot, më fal dhe më mëshiro për hir të mëshirës Sate që përfshin gjithçka.”[5]

Duke u lutur në këtë mënyrë, Profeti Muhamed a.s. tregoi një nga mënyrat më të mira për të përfituar nga dobitë e iftarit për besimtarët dhe tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e përdorimit të kohës së iftarit për lutje të sinqerta drejtuar Lartmadhërisë së Tij. Në sajë të lutjeve dhe faljeve të sinqerta të kohës së iftarit dhe agimit, dërguar Zotit, është shenjë që besimtarët kanë një shpirt të dëlirë sepse dëshirojnë që fundi i muajit të Ramazanit ti zë të pastruar nga mëkatet e tyre.

Në këtë aspekt, një besimtar i vetëdijshëm përpiqet të shfrytëzojë maksimalisht këtë det të mundësive në të cilat noton. Në këtë muaj të shenjtë, kur pendimi pranohet më shumë, mëkatet falen më shumë dhe dëshirat pranohen me shkallën më të lartë, e lusim Zotin e Plotfuqishëm që të na merr në strehën e Tij.

Qofshim prej atyre që gjatë muajit të Ramazanit të recitojmë sa më shumë Kur’an, që të fitojmë nga deti i mëshirës së Zotit; Qofshin nga ata që përsërisim salavatet drejtuar Muhamedit a.s. shpesh dhe pa ja ndal; U afrofshim te Allahut duke iu përmbajtur lutjeve të çmuara të marra nga Kurani dhe suneti i Resulit. Amin!


[1] Sure el-Bekare, 186.

[2] Musnad, 4:22.

[3] Ibën Maxhe, Siam :, 48.

[4] Tirmidhiu, Daavat, 129.

[5] Ibni Maxhe.