(Mos)Respektimi i prindërve

Ligjëruese fetare: Leuntina Dovolani

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xh.sh. Salavatet e përzemërta ia dërgojmë shpirtit të pastër dhe fisnik të Muhamed Mustafasë a.s. Ju përshëndes me përshëndetjen islame – Eselamu Alejkum We Rahmetullahi We Berekatehu – që do të thotë, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të gjithë ju.

Allahu i Madhëruar, në Librin e Tij të Mrekullueshëm, pikërisht në suren Isra, ajeti 23, thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese)”. 

Nga ky ajet Kur’anor kuptojmë se sa vlerë dhe respekt duhet tu japim prindërve tanë. Atyre duhet tu themi fjalë miradije dhe të bukura dhe assesi të mos i ofendojmë ose përbuzim.
Muhamedi a.s në një hadith të tij thotë: “A doni t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha! Ndër to tha: Ai që nuk i respekton prindërit e vet bën ndër mëkatet më të mëdha”. Në një rast tjetër, transmetohet nga Aliu r.a. se Pejgamberi a.s ka thënë: “Allahu e ka mallkuar mos respektuesin (keqtrajtuesin) e prindërit”.

Transmetohet deri tek ne se Ibën Omeri r.a., e kishte pa një djalë që nënën e kishte të hipur mbi shpinë dhe po i bënte tavaf rreth Qabes. Ky djalosh më vonë e pyeti Ibën Omerin r.a. se me këtë vepër, a e ka larë borxhin që e ka ndaj saj? Ibën Omeri r.a. iu përgjigj: Me këtë vepër nuk ke mund të paguash edhe një dhimbje që nëna jote ka përjetuar gjatë shtatzënisë, mirëpo ke vepruar shumë mirë, ngase Allahu edhe për vepra të vogla shpërblen shumë.

Ndërsa nga Aliu r.a transmetohet se Pejgamberi a.s ka thënë: “Të gjitha mëkateve Allahu ia shlyen afatin e dënimit, aq sa do Ai, deri në ditën e gjykimit, përpos mos respektuesit të prindërve, këtij Allahu ia përshpejton dënimin”.

Në ditët e sodit nuk respektohen dhe nuk vlerësohen prindërit ashtu siç duhet. Ndodh që fëmija ti lë të vetmuar, në mëshirën e fatit dhe në dorë të dikujt tjetër. Në anën tjetër, në periudhën e gjeneratës së artë të Islamit, një sahabiu, prindërit i kërkuan nga një gotë me qumësht. Ai, derisa e mjeli kafshën, kur erdhi te dhoma, vërejti se prindërit i kishte zënë gjumi. Ai nuk deshi tua prishë gjumin, andaj gjithë natën priti në këmbë derisa ata u zgjuan dhe pastaj ua ofroi qumështin. Në ditët e sodit s’ka kush tët jap një gotë ujë e lëre më qumësht apo ushqim. Kjo me të vërtetë është për të ardhur keq.

Në kohën e Muhamedit a.s ka qenë një besimar i quajtur Alkame. Kur u sëmur rëndë, gruaja përcolli disa njerëz tek Pejgamberi a.s për ta informuar se Alkameja është në çastet e fundit të jetës. Muhamedi a.s. i dërgoj atje Aliun r.a dhe Bilalin r.a. Kur hynë tek ai i thonë: Thuaj: La Ilahe Il-lallah, por goja e tij nuk lëvizte dhe nuk e shqiptonte shehadetin, e në anën tjetër Muhamedi a.s. na ka premtuar se: “Kush thotë La ilahe il-la Allah (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut) do të hyjë në Xhennet”. E dërguan Bilalin r.a tek Pejgamberi a.s. për ti treguar rreth gjendjes së tij. Pejgamberi a.s. pyeti: A i ka prindërit gjallë? I thanë se e ka nënën gjallë, mirëpo nëna e tij është shumë e moshuar. Pejgamberi a.s. e dërgoi Bilalin r.a. tek nëna e Alkames për ta sjellë ai. Nëna mori shkopin për dore dhe hyri në shtëpinë e Muhamedit a.s. Pejgamberi a.s i tha asaj: Më thuaj të vërtetën, sepse në të kundërtën mua më zbret shpallja se çka mendon ti për Alkamen. Ajo i thotë që falej shumë, agjëronte shumë e ndante shumë sadaka, Pejgamberi a.s e pyet: Si është sjellë Alkameja me ty? Ajo i thotë se unë jam e zemëruar shumë ndaj tij sepse i bindej gruas së tij dhe nuk më bindej mua.
Pejgamberi a.s. ia kthen asaj: Zemërimi i nënës ia ka lidhur gjuhën e tij për të mos shqiptuar shehadetin. Muhamedi a.s. për ta bindur nënë e Alkames që ajo ta falën e urdhëron Bilalin r.a. që të mbledh një turrë me dru dhe aty ta djegin Alkamen. Nëna menjëherë reagon dhe thotë: O i dërguari i Allahut, fëmijën tim dhe frytin e zemrës time do ta djegësh me zjarr para duarve të mi? Si mund ta duroj një nënë këtë skenë? Pejgamberi a.s i thotë: Oj nëna e Alkames, dënimi i Allahut është më i fortë dhe nëse do që Allahu xh.sh. ta falë birin tënd, falja dhe bëja hallall. Atëherë nëna i ngre duart dhe thotë: O Zot! Ja bëj hallall çdo gjë birit tim. Kur Bilali r.a. arriti tek dera e Alkames, e dëgjoi atë duke ra në shehadet.

Ka prej njerëzve të cilët i nënshtrohen urdhërit të gruas, kurse urdhërat dhe nevojat e prindërve i anashkalojnë. Po ashtu ka prej atyre që ia shfaqin dashurinë gruas para prindërve të tij, ndërsa prindërit e mjerë ndoshta asnjëherë nuk kanë dëgjuar prej tij ndonjë fjalë të ëmbël, se sa i do ata dhe sa i respekton.

Në qoftë se nuk i respekton prindërit, do të jetosh gjithë jetën i përbuzur dhe i nënçmuar. Profeti a.s. e vërteton këtë kur thotë: “Është i përbuzur! Është i përbuzur! Është i përbuzur! Kush është ky o i dërguari i Allahut? –  pyesin shokët e tij. Ai që i ka prindërit gjallë dhe nuk i respekton. Kush vepron ashtu, i shtohen fatkeqësitë dhe vuajtjet.

Në një hadith të vërtetë, Pejgamberi a.s, na tregon për një djalë që quhej Xhurejxh. Ai ishte nga njerëzit e mirë dhe e adhuronte shumë Zotin e tij. Një ditë teksa falej, e thirr nëna e tij, por ai nuk i përgjigjej dhe vazhdoi të falej, kjo ndodhi edhe dy herë të tjera. Në ditën e tretë, kur e ëma pa që ai nuk i përgjigjej tha: O Zot! Mos ja merr shpirtin derisa ta sprovosh me një grua të keqe. Pa kaluar shumë kohë, Xhurejxhin e akuzuan për amoralitet me një grua të përdalë dhe pastaj Zoti i Madhërishëm e shpëtoi atë nga kjo akuzë me një mrekulli. Zoti ia pranoi lutjen e nënës edhe pse biri i tij nuk bëri diçka shumë të keqe, por vetëm nuk iu përgjigj thirrjes së saj kur ishte duke u falur. Kurse sot kemi të rinj e të reja që fyejnë qëllimisht nënën dhe babin e tyre në prezencë të shokëve e shoqeve, gjoja se ata janë të pavarur prej prindërve dhe mund të veprojnë si të duan me to. Zoti na ruajte nga njerëz të tillë.

E lusim Allahun xh.sh me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tij të Larta, ti mëshirojë prindërit tanë, tua fal atyre mëkatet. Ata që janë të gjallë, Allahu ua lehtësoftë dhe i udhëzoftë në rrugë të mbarë, ndërsa ata që janë të vdekur Allahu i mëshiroftë, varrin ua ndriçoftë dhe në Xhenet na bashkoftë. Amin!

Dibër, 01.06.2021