Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit!
“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi” (Kur’an, sure Maide: 2).
Të nderuar bashkëqytetarë dibranë!
Në konceptin e dispozitave Islame, vakëfi konsiderohet një institucion shumë i rëndësishëm, i cili derivon mirësi të shumta për shoqërinë njerëzore, si në aspektin shpirtëror e human, pasi Muhamedi a.s. ka thënë: ”Kur vdes njeriu, i ndërpriten veprat e tij të mira, përveç tre: Një sadaka mirësia e të cilës vazhdon t’iu kontribuojë njerëzve, një dije nga e cila përfitojnë njerëzit dhe një fëmijë i ndershëm i cili lutet për të”, po aq edhe në aspektin ekonomik, duke sjellë të mira materiale rrjedhëse dhe afatgjate për institucionin që kujdeset për jetën fetare në vend.
I theksuam këto dy elemente me të vetmin qëllim pasi është obligim Hyjnor që njerëzit të ndërtojnë një jetë të balancuar në këtë botë, të forcojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ta bëjnë këtë botë një vend ku njerëzit të ndjejnë rahatinë kur të shkojnë nëpër xhamitë e Zotit dhe të motivohen dhe udhëzohen nga predikimet e avancuara të kuadrit të këtij institucioni fetar. Mos harrojmë se xhamitë në të kaluarën, si qendra religjioze, kulturore dhe politike, kryesisht janë financuar nga vakëfet e veta. Madje me kalimin e kohës, përmes institucionit të vakëfit janë financuar edhe shkollat, spitalet, si dhe institucionet tjera shoqërore të natyrës esenciale për jetë.
Të motivuar prej kësaj ideje afatgjate, me shpresë te i Madhi Zot se jemi duke bërë një veprim të duhur, në vijim, përmes fotografive, ju prezantojmë projektin e ri infrastrukturor afarist në oborr të Xhamisë Sahat Kulla. Qëllimi i këtyre objekteve afariste, që çdoherë do jenë në shërbim të vakëfit, është që institucioni ynë fetar të ketë mirëqenie për të investuar në kapacitet kadrovike të veta, për shërbim sa më cilësor për besimtarët muslimanë.
Ju informojmë me sinqeritetin më të madh se ideja jonë fillestare ishte që të mos dëmtojmë dritaret që kanë një simbolikë historike dhe arkitekturore, por pas konsultimeve me ndërtuesit, u konstatua se muret nuk kanë thellësinë e duhur dhe nuk kanë kapacitete të mjaftueshme që mbi to të ndërtohet një objekt të përmasave të parapara në projekt. Andaj edhe siç mund të shihet nga fotografitë, jemi përpjekur që projektin ta përshtatim me modelin e më përparshëm.
Siç kemi thënë çdoherë, transparenca ngelet kryefjalë e misionit tonë, andaj secili prej jush që dëshiron detaje të tjera, apo ka pyetje dhe dilema, është i mirëseardhur në zyrat e Myftinisë së Dibrës.
Zoti e bekoftë Dibrën tonë kreshnike!