Vlera e dhënies së sadakasë

Shkruan: Bujar ef. Dovolani

Lëvdatat dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet qofshin për Profetin tonë, Muhamedin a.s., për familjen e tij, shokët e tij si dhe për të gjithë ato që pasojnë rrugën e tij a.s. deri në ditën e gjykimit.

Një nga veprat e dobishme të besimtarit është edhe sadakaja. Me dhënien e sadakasë shprehet bujaria, dashamirësia dhe bamirësia në mesin e besimtarëve. Në konceptin e përgjithshëm të fjalës, sadakaja ka kuptimin e bamirësisë, e cila mund të shfaqet ne forma të ndryshme: ajo mund të jetë një fjalë e  mirë, një buzëqeshjen ndaj tjerëve, ndihmë ndaj të pafuqishmit apo edhe duke e ledhatuar kokën e një jetimit. Ndërsa në konceptin e veçantë të fjalës, sadakaja nënkupton ofrimin e diçkaje materiale për hir të Allahut.

Allahu Fuqiplotë në Kur’anin Fisnik thotë:

O ju që keni besuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim, jepni nga ajo me çka Ne u furnizuam juve (Sure Bekare: 254).

Allahu xh.sh përmes këtij ajeti na nxit që ta shfrytëzojmë jetën dhe mundësitë e krijuara në të, për të kryer vepra të mira dhe në veçanti dhënien e sadakasë.
Zoti na mëson në Kur’anin Fisnik se pronari i pasurisë, i tokës dhe i qiellit është vetëm Allahu xh.sh. Në të njëjtën kohë, Allahu Fuqiplotë na tregon format se si me pasurinë e Tij mund të fitojmë shpërblimin e Allahut me Xhenet.

Allahu xh.sh ne Kuranin Famëlartë na urdhëron:

Bëj mirë ashtu siç Allahu ka bërë mirë ndaj teje (Sure Kasas: 77).

Sadakaja është një nga veprat më të mira të adhurimit, sidomos nëse jepet në kohën kur dhënësi ka hallet e veta. Dhënia e sadakasë sikur ja lehtëson pak dhënësit, sepse në ato momente ai kupton se ka edhe më keq se halli i tij. Në Ditën e Gjykimit dielli do të jetë shumë afër njerëzve saqë njerëzit do të jenë të zhytur në djersë varësisht prej punëve që kanë punuar. 7 grupe të njerëzve do të kenë hijen dhe mëshirën e Allahut, ku nuk do të ketë hije dhe mëshirë tjetër pos hijes së Tij. Një prej tyre grupeve është edhe ai që jep sadaka.

Më poshtë do të paraqesim vlerën dhe dobinë e madhe të sadakasë:

1). Sadakaja i shlyen gabimet ose mëkatet. Pejgamberi a.s thotë: Sadakaja e shlyen gabimin siç uji e shuan zjarrin.

2). Sadakaja të mbron nga zjarri. Muhamedi a.s thotë: Ruajuni zjarrit qoftë edhe me një hurmë.
3). Sadakaja është shkak për të arritur devotshmërinë. Allahu xh.sh thotë:

Nuk do të arrini devotshmërinë e vërtetë deri sa të jepni nga ajo që e doni më së shumti. (Sure Ali Imran: 92).

4). Sadakaja e shton pasurinë e besimtarit. Pejgamberi a.s thotë: Nuk pakësohet pasuria nga dhënia e sadakasë.

5). Sadakaja e shuan zemërimin e Allahut. Pejgamberi a.s thotë: Sadakaja e dhënë fshehurazi e shuan zemërimin e Allahut.

6). Sadakaja është shërim i sëmundjeve të shpirtit dhe të trupit. Pejgamberi a.s thotë: Nëse dëshiron zbutjen e zemrës tënde, ushqeje të varfërin dhe ledhatoje kokën e jetimit.

7. Për dhënësit e sadakasë Allahu xh.sh ka krijuar një derë në të cilën do të hynë ato që japin sadaka. Pejgamberi a.s thotë: Dhe kush është prej atyre që japin sadaka, thirren nga porta e sadakasë.

Andaj duke parë gjithë këto mirësi të dhënies së sadakasë, e lusim Allahun xh.sh. që të e hap zemrën me bujari për të ndihmuar të tjerët dhe mos të na bëjë koprracë. Amin!

Dibër, 07.06.2021