Opinion nga Myfti Reshat Kaçallniku

Sulejmanit Ne ia mësuam atë (përgjigjen e saktë), po secilit (prej tyre) i patëm dhënë urtësi e dije (Sureja Enbija: 75)

Nga ajeti i lartë cituar kuptojmë se i Madhi Zot dëshiron që lajmi i mirë të përhapet pasi ajo krijon motivacion për punë, kreativitet për shoqërinë, nder për familjen si dhe siguri mbi baza apo themele të shëndosha për ekzistencën afatgjate të një shoqërie.

Njeriu ka kualitet dhe dobësitë e veta, për secilin nga këto, ai është përcaktues i fatit të vet dhe fatit të popullit të tij. Në lidhje me këtë, shkurtimisht dëshiroj të ndaj me ju një fragment nga jeta e Jusufit a.s.

Për të vendosur qëndrueshmëri, nevojitet ndryshim thelbësor në vetvete, duke urrejtur fortë veprimtaritë sa për sy e faqe. Syfaqësia i kushton shumë popullit, i kushton shumë ekonomisë dhe të kthen përsëri në pikën zero. Është vërtetë humbje kohe, e kjo do të thotë humbje nga shëndeti, jeta, pasuria, përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Jusufi a.s. i pafajshëm u sprovua gjithë jetën e tij, por më e dhimbshme ishte fakti se ai vuajti jashtë mase nga familja e tij e ngushtë, përkatësisht nga vëllezërit. Këtu mund të pikasim disa elemente të rëndësishme:

  1. Për kurthet që i bënë vëllezërit, ata fajësuan ujkun. Argumentet propagandistike ishin lotët dhe gjaku i rrejshëm i tyre kurse duart e tyre ishin ngritur nga paragjykimi, zilia dhe dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes ndaj një të pafajshmi. Edhe sot hasim dhe dëgjojmë raste të tilla. Deri kur me një mendësi të këtillë?
  2. Jusufi a.s. u sprovua nga brenda kur ishte edhe në oborrin mbretëror. Në një përfaqësi të pushtetit kur për arsye të ndryshme të montuara, qofshin ato për arsye të përkatësisë nacionale, fetare, kulturore, etj. kur urdhëri për akuzë i drejtohet Jusufit a.s., kjo flet për nevojën e medikamentit shërues por jo nga dikush që vet e di se ka nevojë për mjek.
  3. Jusufi a.s. u sprovua nga brenda atëherë kur shoku i tij i burgut harroi që ta përkujtojë te mbreti se ai në burg qëndroi bashkë me një shok të tij i cili ishte i pafajshëm dhe i mirë.

Mos harro se, nëse sipas teje gëzon një privilegj të caktuar në një kohë të caktuar, dije se edhe ti vjen nga poshtë, nga ata të cilët ty i ke harruar ti përfaqësosh, edukosh dhe udhëzosh me dinjitet.   

Dibër, 08.06.2021