Pesë gjëra që e vdesin zemrën e njeriut

Mr. Nasuf ef. Strikçani

Sipas Ibn Kajjim el Xheuzij pesë gjërat që e vdesin zemrën e njeriut janë: “Takimi i tepërt me njerëzit; Shpresa e tepërt; Lidhja me dikë krahas Allahut; Haja (apetiti) e tepërt; dhe gjumi i tepruar”.

Në vijim, në pika të shkurtra, do bëjmë zbërthimin e secilës prej tyre:

1.Takimi i tepërt me njerëzit!

Takimi i tepërt me njerëz e harxhon kohën me sende qe nuk ka dobi njeriu dhe gjithashtu lë pasoja në jetën e tij. Këto takime shpesh janë për çështje dynjaje, dhe shpesh herë kthehen dhe përfundojnë në zënka dhe armiqësi. Duhet të pranojmë se janë rralluar shoqëritë e sinqerta dhe se komunikimi me prindërit, fqinjët, dhe me te njohurit bëhet vetëm për interes dynjaje. Allahu xh.sh thotë në Librin e Tij Famëlartë:

“Atë ditë ata të cilët ishin miq, armiq do të bëhen, përveç atyre të cilët i kishin frikë respektin Allahut” (Sureja Zuhruf: 67)

Pra, për miq duhet ti konsiderojmë dhe ti marrim ata që i frikësohen Allahut dhe ata që na kujtojnë Allahun dhe dhënien e llogarisë përfundimtare.

Një nga shkaqet kryesore pse duhet të jemi të kujdesshëm gjatë takimit me njerëz është se gjatë këtyre takimeve, në bisedën e sipër, mund të përballemi me shumë polemika dhe debate të panevojshme dhe të pakuptimta.

Imam Maliku ka thënë: “Diskutimet e dobësojnë zemrën dhe sjellin hile”. Për ta vërtetuar këtë thënie, Imam Zuhriu ka thënë: “E pash Imam Malikun dhe njerëzit të cilët para tij diskutonin, dhe ai ngrihej dhe thoshte: ‘Ju me të vertetë bëni luftë’”.

Sot diskutimet nuk vijnë nga dijetarët që kujdesen për dijet dhe me rregulla ua shpjegojnë atyre njohuritë e tyre, por vijnë nga njerëz që janë në fillim të leximeve apo kanë dije të cekët dhe me krekosje mahniten me dijet e tyre dhe kështu i japin të drejtën vetes të japin edhe këshilla fetare (fetvaja). Ata me paditurinë e tyre marrin veten në qafë dhe u sjellin dëm edhe njerëzve rreth tyre.

Gjatë këtyre ndejave, ndodh që të qeshemi dhe të tallemi për gjëra të ndryshme, që është njerëzore, por duhet patur kujdes se edhe në shaka dhe ne qeshje duhet të kemi një normë dhe një kufi. Muhamedi a.s. thotë: “Mos u qeshni shumë sepse e qeshura e tepërt e vdes zemrën”.

Nëse nuk vendosim kufi në shakatë tona atëherë mund të humbim respektin e njerëzve. Omeri r.a thotë: “Kush tepër qesh ose bën shaka, e humb respektin te të tjerët…”.

2.Shpresa (ymyti) i tepërt

Shpresa e tepërt është një det i paparë që nuk i shihet fundi, një bukuri e rrejshme që nuk na sjell fat. Besimtari i vërtetë duhet gjithmonë të përgatitet për Botën tjetër, duke bërë punë të mira dhe duke u ruajtur prej mëkateve dhe gjithë planet e tij duhet të lidhen me Allahun dhe Ahiretin. Transmeton Aisheja r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë: “Dynjaja është shtëpi e atij që nuk ka shtëpi, pasuri e atij që nuk ka pasuri, dhe për dynjanë mbledhë ai që nuk ka mend”.

Trasmetohet prej Abdullah ibn Mesudit r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë: “Po afrohet dita e Gjykimit, e njerëzit e shtojnë mallin për dynjanë dhe ashtu vetëm se distancohen nga Allahu”.

Halifeja emevit Abdul Aziz ibn Mervan para se të vdiste urdhëroi qe t’ia sjellin qefinin që do ta mbështjellin pasi te vdes. Kur ia sollën ai tha: “I lartësuar qoftë Allahu! A ka mundësi që nuk do te marri me vete në Ahiret prej gjithë kësaj pasurie te madhe qe kam, përveç këtij qefini?!” Pastaj qetësisht tha: “Eh dynja, dunja! Me të vërtetë njerëzit janë të mashtruar pas teje! Me të vërtetë ti o rob je i varfër, pasi pasuria tënde në fund shëndrohen në diçka pa vlerë dhe pa domethënie”.

3.Lidhja me dikë krahas me Allahun

Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për zemrat e njerëzve ngase Allahu thotë:

“Thuaj (o i Dërguar): “Në qoftë se prindërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu të sjellë vendimin e Tij. All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur”.(Sureja Teube: 24)

Pra dashuria për Allahun, Pejgamberin dhe përpjekjes për në rrugë të Allahut (xhihadit) duhet të jenë më të dashura për ne, nëse duam të jemi te shpëtuar në të dy jetët.

4. E tepruara në haje

Ushqimet e ndaluara ndahen ne dy grupe:

a) Ata që në esencë janë të ndaluara, si cofëtina, gjaku, mishi i derrit dhe mishi i kafshëve mishngrënëse; dhe

b) Ato ushqime që janë të fituara në rrugë të haramit, si malli i vjedhur, kamata, etj.

Por të ndaluara janë edhe ata ushqime hallall që teprohen, me të cilën haje te tepërt nuk mund të bëjmë adhurim apo na largon nga adhurimi ndaj Zotit. Muhamedi a.s. në një hadith që e transmeton Mikdam ibn Ma’di ka thënë: “Njeriu nuk mund të mbush enë më të keqe se sa stomaku i tij. Atëherë një të tretën le ta ketë me ushqim, një të tretën për pije dhe një të tretën për frymë”.

5.Fjetja e tepërt

Gjumi e vdes zemrën, e rendon trupin, të merr kohën dhe të sjell shqetësim. Gjumi më i mirë është ai që bëhet në pjesën e parë të natës, sesa në pjesën e fundit të saj, ndërsa gjumi në fundin e ditës, përkatësisht para perëndimit të diellit është i dëmshëm. Sa për zbërthim, në konceptin e dispozitave fetare, gjumi pas namazit të sabahut dhe daljes së diellit është i pa pëlqyeshëm (mekruh), sepse ajo kohë është për të sjell bereqet dhe për të bërë lutje, pra është koha për fillim të punës dhe për të mësuar. Ndërsa, në anën tjetër, gjumi pas namazit të drekës është sunet (traditë) i Muhamedit a.s. dhe është i preferuar, nëse kemi kohë.

Dibër, 11.06.2021