Rinia dhe Islami

Fisnik ef. Çela

A ka gjë më esenciale për myslimanin se të interesohet për rolin e rinisë sonë dhe njohjen e rëndësisë së kësaj etape, për të cilën Allahu do t’i pyesë njerëzit posaçërisht Ditën e Gjykimit.

Pejgamberi a.s. thotë: “Ditën e Gjykimit robi nuk do të hedhë asnjë hap, gjersa të mos pyetet për katër gjëra: ku e ka harxhuar jetën, si e ka jetuar rininë, prej nga e ka fituar dhe në se e ka shpenzuar pasurinë, dhe diturinë çka bërë me të” (Transmeton Bejhekiu dhe të tjerët nga Muadh in Xhebeli r.a).

Është me rëndësi që zbrazëtia e kohës së rinisë dhe shpirtit të tyre të mbushet dhe të stoliset me vepra të mira dhe aktivitete të ndryshme, si: aktivitete sportive, kulturore, relaksuese, fetare, të cilat do t’i lidhnin për ideale të mëdha, për shkak të të cilave dhe për të cilat do të jetojnë.

Pjesën më të madhe të rinisë e hasim në kotësi.  Rinisë i mungon familja me të cilën do ta përmbushte këtë boshllëk. Rinia jonë ndien boshllëk në punë dhe në ditët e pushimit. Çështje kryesore e shumë asociacioneve, organizatave joqeveritare dhe institucioneve është rinia dhe problemet e saj me alkoolin, narkotikët dhe veset e tjera, pa i llogaritur ata që konsumojnë duhanin dhe problemet e tjera.  

E kush është përgjegjës për dështimin e kësaj rinie – brenga e vetme e së cilës është dëgjimi i këngëve dhe imitimi i aktorëve dhe muzikantëve të huaj? Ata nuk bëjnë dallim mes hallallit dhe haramit, as nuk i dinë detyrat e tyre, duke i shkaktuar dëm vetvetes, familjes dhe popullit të vet. Ç’ dobi ka nga një rini e tillë? A mund të ketë dobi prej saj ashtu siç ka qenë i dobishëm Usama ibn Zejdi r.a., i cili në moshën 18 vjeç i ka prirë ushtrisë myslimane, në të cilën gjendeshin disa shokë të Pejgamberit a.s. që ishin të moshuar?  A mund ta bëjë rinia jonë atë që ka bërë Muhammed El-Fatihu, i cili çliroi Kostandinopojën (Stambollin e sotëm) dhe e rrëzoi shtetin romak-bizantin në vitin 1453, dhe ishte në moshën 23 vjeç. Ata ishin të rinj që në vete mbartnin ambicie  të mëdha.

Duhet ditur fakti se të gjithë bashkërisht jemi përgjegjës për dështimet e rinisë, duke filluar prej prindërve e deri tek funksionet më të larta, siç ka thënë Pejgamberi a.s.: “Të gjithë ju jeni rojtarë dhe të gjithë ju jeni përgjegjës për kopenë tuaj”. (Buhariu, Muslimi)

Të gjithë duhet të mendojmë. Rinia e humb orientimin e drejtë, dhe ku mund ta gjejnë atë kur para vetes ndodhen mjetet mediatike dhe televizionet me programet më të deformuara me amoralitetin që prezantojnë. Të rinjve u nevojitet autoriteti dhe modeli, po a mund të gjejnë një model të duhur në shtëpi? A mund ta gjejnë në shkollë apo shoqëri? Fatkeqësisht, modele të tilla të duhura sot ka gjithnjë e më pak.

Karakteristikat më të spikatura të qëndrimit të Profetit të Bekuar ndaj të rinjve janë interesimi dhe dashuria e tij për ta, që pasqyrohet qartë jo vetëm në korpusin e Hadith-it, por edhe në praktikat e tij të përditshme, siç dëshmojnë shumë shokë të tij. Profeti i Bekuar i donte fëmijët e madje edhe kur ishte profet e sundimtar i një segmenti të tërë të kozmosit, për të mos folur për një pjesë të madhe të Arabisë, ai e kishte zakon të luante, siç e përmendëm më parë, me fëmijët e tij, Hasanin dhe Huseinin , e madje u lejonte atyre t′i ngjiteshin mbi shpinë.

 Ai tregonte gjithmonë respekt për bijën e tij Fatime ,deri në atë shkallë sa ngrihej në këmbë para saj dhe e përshëndeste, sa herë që ajo i dilte përpara. Sipas një thënieje të mirënjohur, të pohuar pikërisht nga ′A′ishja: ″Nuk kam parë asnjeri t′i ngjajë më shumë në sjellje, udhë rrëfim dhe edukatë Profetit të Shenjtë se Fatimja. Sa herë që ajo i vinte, ai ngrihej në këmbë për të dhe e merrte për dore, e puthte dhe e vendoste të ulej në vendin e tij. Dhe kurdoherë që ai shkonte tek ajo, ajo ngrihej në këmbë për të, e merrte për dore, e puthte dhe e vendoste të ulej në vendin e saj.″? Ai gjithashtu i puthte shpesh fëmijët dhe nipat e tij dhe i urdhëronte muslimanët të bënin njëlloj.

Ai i urdhëronte ata që jo vetëm t′i respektonin pasardhësit e tyre, por t′i trajtonin me butësi të madhe, përfshi përkëdheljen e përqafimin. Ai e theksoi se fëmijët ishin dhuratat e Zotit për prindërit dhe rritja e përkujdesja e tyre ishte detyrë fetare dhe përgjegjësi e detyrueshme për ta. Ai, në të vërtetë, i quajti fëmijët ″lulet e Zotit″.

Përfundimisht disa thënie për rininë:

Allahu i Madhëruar e do të riun e pjekur, që nuk sillet si fëmijë, që është drejtuar kah e mira dhe ka braktisur dëshirat e kënaqësitë (e ulëta të egos).”

“Është e vështirë t’i vlerësosh këto dy gjëra pa i humbur ende: Njëra është shëndeti dhe tjetra është rinia.” – Aliu (r.a.)

“Nëse luanët nuk e shkruajnë vetë historinë e tyre, janë të detyruar të besojnë tregimet e gjahtarëve.”

Dallimi i vetëm mes popujve sundues dhe të sunduar, është si një gram, i cili e bën njërën anë të peshores më të rëndë se tjetra. Nëse ke një grusht njerëzish të edukuar, je popull sundues, nëse jo, je i sunduar…” 

Dibër, 05.01.2021