Denis ef. Abdushi
Me emrin e Allahut, të Gjithë Mëshirshmit, Mëshirëbërësit!
Falënderojmë Zotin e Plotfuqishëm, të Urtin dhe Sundimtarin e vërtetë, i cili në mbretërinë e Tij ka caktuar ligje të përkryera për të gjitha krijesat, pa përjashtim. Nuk ka kush ta kundërshtojë vullnetin dhe vendimin e Tij. Ndaj, i Lartësuar qoftë Ai që vepron çfarë të dojë dhe çdo gjë në qiell dhe në tokë i nënshtrohet vetëm Atij, me apo pa dëshirë.
Përshëndetjet tona të sinqerta qofshin mbi zotërinë e adhuruesve dhe falënderuesve dhe njeriun më durimtar në përcaktimet dhe vendimet e Zotit, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi pasuesit e rrugës së tij me devocion të plotë, deri në Kiamet.
Dijeni, o njerëz, se e tërë gjithësia dhe ekzistenca janë në pronësinë e një Krijuesi të Lartë e të Plotfuqishëm. Asgjë nuk ka mundësi të ndodhë pavarësisht vullnetit të Zotit dhe çdo gjë rrjedh sipas një sistemi dhe përcaktimi paraprak. Allahut i takon urtësia e plotë në sundim, administrim dhe përcaktim.
Nëse shikojmë gjendjen e njerëzve, do të vërejmë dallimet e mëdha ndërmjet tyre në sfera të ndryshme, ndër të cilat është edhe çështja e furnizimit dhe rrizkut.
Medito vetëm pak dhe do të shohësh se disa prej tyre jetojnë në mirëqenie dhe rahati: pallate të gjera, makina të rehatshme, paga mujore të majme, dëshira që realizohen dhe kënaqësi që arrihen, larg frikës dhe tmerrit të varfërisë dhe larg përuljes dhe shtrirjes së dorës.
Nga ana tjetër mund të shohësh njerëz, që për ta një shtëpi e rehatshme është vetëm se një ëndërr e pa arritshme, një makinë luksoze sikur shkuarja në planetin Mars, mezi kanë arritur një pagë mujore simbolike, mezi arrijnë të ngopin barkun e tyre, e të mos flasim për gjërat tjera; me tesha të blera para shumë vitesh, në sytë e disa njerëzve janë të pakëndshëm, të padëshiruar e të neveritshëm.
Ekziston edhe një palë e tretë mes kategorisë së parë dhe të fundit, të cilët ndoshta nuk kanë mundësi të tubojnë ca para, por me atë që kanë, janë të pavarur prej të tjerëve.
Këtu, me të drejtë, mund të parashtrohet një pyetje, që sillet në kokën e shumë njerëzve – sidomos pas kalimit të një sistemi socialist, që pretendonte barazinë e të gjithë njerëzve – një pyetje që s’i japin dot përgjigje: Pse gjendja është e tillë? Pse njerëzit nuk janë të në kategorie? Çfarë urtësie fshihet pas kësaj? A thua vallë ka ndonjë urtësi në këtë? Madje dikush mund të ankohet: pse ai është i pasur, ndërsa unë jam i varfër!
Andaj, do të përpiqemi të japin përgjigjen e kësaj çështjeje në disa pika të shkurtra:
Së pari: Allahu ka bërë ndarjen e rrizkut në këtë formë në mënyrë që robërit ta kuptojnë se ai është drejtuesi i të gjithë gjërave, çelësat e qiejve dhe të tokës i takojnë vetëm se Atij dhe se çdo gjë është në pronën e Tij. Andaj, këtij i jep më shumë, ndërsa atij më pak dhe nuk ka kush që mund ta kthejë mbrapsht vendimin e Zotit.
“Ai ia zgjeron mjetet e jetesës kujt të dojë, por edhe ia pakëson kujt të dojë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (Sureja Shura: 12)
Së dyti: Allahu ua ka zgjeruar furnizimin disa robërve, ndërsa ua ka ngushtuar disa të tjerëve në mënyrë që ata prej këtij kontrasti të madh të gradëve në këtë botë të nxjerrin mësim dhe të perceptojmë dallimin e madh të gradëve në botën tjetër. Ngase, ashtu siç njerëzit dallojnë në këtë botë, dallojnë, po ashtu, edhe në ahiret, madje edhe më shumë se dallimi i tyre në jetën e kësaj bote.
Allahu i Lartësuar thotë: “Shiko, si ne i parapëlqejnë disa ndaj të tjerëve. Kurse bota tjetër, në të vërtetë, do të ketë shkallëzime më të mëdha dhe parapëlqime më të theksuara.” (Sureja Isra: 21)
Përderisa ahireti është i tillë, atëherë duhet të shpejtojmë me zell për të arritur gradat e larta të Xhenetit.
Së treti: Allahu ka bërë diferencimin mes njerëzve në furnizim në mënyrë që i pasuri ta kuptojë vlerën e dhuntisë së Zotit, ta falënderojë për të dhe të arrijë gradët e falënderuesve. Ndërsa i varfëri dhe nevojtari të kuptojnë sprovën dhe telashin, të durojnë e të arrijnë gradën e durimtarëve, për të cilët është përgatitur një shpërblim i pamasë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nevojtari të mos kërkojë prej Zotit largimin e telashit dhe furnizimin e gjerë.
Së katërti: Allahu ka bërë ndarjen e furnizimit në këtë formë në mënyrë që të plotësohen nevojat e tyre të kësaj bote dhe nevojat fetare. Mund të përfytyroni sikur të gjithë njerëzit të ishin të pasur se çfarë do të ndodhte? Do t’i tejkalonin dhe shkelnin të gjitha kufijtë dhe do të përhapej shkatërrimi dhe padrejtësia. Mund të përfytyroni, po ashtu, sikur të gjithë njerëzit të ishin të varfër se çfarë do të ndodhte? Do të rrënohej rendi dhe sistemi i jetës. Po të ishin të gjithë njerëzit në të njëjtin nivel të furnizimit nuk do të punonin për njëri-tjetrin, nuk do të mësonin zanatet dhe nuk do të zhvillohej ekonomia.
Por Allahu e din se kë duhet ta pasurojë dhe kë duhet ta varfërojë. Ku do të ngelej mëshira e të pasurit ndaj nevojtarit? Ku do të ngelej vlera e ndihmesës? Ku do të ngelej shkëmbimi i nevojave për përparim dhe zhvillim të mëtejshëm?
Këtu e kuptojmë se në veprat e Allahut ka urtësi dhe sekrete madhështore, që shumë njerëz nuk i kuptojnë.
Ajo që na ngelet është të pajtohemi me ndarjen e Allahut dhe me atë që na ka dhënë, t’i mbështetemi vetëm Atij dhe nevojat tona t’ia drejtojmë vetëm se Atij.
Ajo që duhet ditur patjetër është se furnizimi më i madh është furnizimi i imanit dhe besimit. Ndaj, nëse të është dhënë imani, të është dhënë sendi më i shtrenjtë dhe çdo gjë pas saj është më e lehtë dhe kalimtare. Allahu na drejtoftë!
Dibër, 05.01.2021