Si të forcojmë besimin?

Muhamed ef. Egriu

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Imani përbëhet prej shtatëdhjetë e ca degëve. Më e larta është fjala se nuk ka zot tjetër pos Allahut, dhe më e ulëta është të heq diçka që e pengon njerëzinë nga rruga. Ndërsa turpi është prej Imanit”.

Më poshtë do shpalosim disa porosi që janë katalizatorë për të fuqizuar besimin tonë.

  • Pjesë e besimit të përsosur është t’ia dëshirosh vëllait tënd atë që ia dëshiron vetvetes.

Transmetohet nga Enesi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka iman të përsosur asnjëri prej jush derisa nuk e dëshiron për vëllain e vet atë që dëshiron për vetveten”.

  • Dashuria ndaj Pejgamberit a.s. është pjesë e Imanit.

Transmeton Ebu Hurejre r.a. se i Dërguari i Allahut xh.sh ka thënë: “Pasha atë që shpirti im është në dorën e Tij, nuk beson (nuk ka besim të përsosur) asnjëri prej jush, përderisa të mos jam unë më i dashur te ai sesa prindi dhe fëmija i tij”.

  • Ikja nga ngatërresat është pjesë e Imanit të shëndoshë.

Transmeton Ebu Seid el-Hudrij se i Pejgamberi a.s. ka thënë: Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: “Ndoshta pasuria më e mirë e myslimanit do të jetë bagëtia, me të cilën ai do të shkojë nëpër majat e maleve dhe vendet ku mblidhet uji, duke ikur me fenë e tij nga ngatërresat.”

Si konkludim, Imani i pajisur me cilësitë e tilla, padyshim është produktiv dhe njeriun e çon në progres, në vepra të mira dhe në kënaqësi të pashtershme. Ne anën tjetër, nëse ai është i zhveshur nga cilësitë e lartpërmendura, atëherë ai është besim i dobësuar dhe nuk ndikon aspak në jetën e besimtarit.

Në fund, e lusim Zotin që të na mundësojë të kemi iman (besim) të lartë, të fortë e të shëndoshë dhe qofshim gjithmonë me bindje në Krijuesin e gjithësisë – Allahun xh.sh.!

Dibër, 18.03.2021