Hfz. Denis ef. Abdushi
Vëllezër myslimanë, feja jonë ka caktuar të drejta edhe për punëtorin dhe për njeriun që përpiqet për kafshatën e bukës. Në vazhdim do përmendim disa nga obligimet më të rëndësishme të pronarit ndaj punëtorin e tij:
- Pronari mund ta shfrytëzojë punëtorin e tij dhe të kërkojë prej tij obligime vetëm brenda suazave të kontratës dhe aq sa janë marrë vesh mes veti!
Çdo ditë e më shumë dëgjojmë për rastet ku punëtorët ankohen se pronarët e tyre i shfrytëzojnë për punët nga më të ndryshmet, ndonëse nuk janë pjesë e marrëveshjes dhe kontratës. Ato ankohen nga orari i tepërt i punës, për të cilin nuk marrin kurrfarë kompensimi. Ah! Sa e madhe që është padrejtësia në mesin tonë!
- T’ia japë pagën e plotë, por edhe të mos ia vonojë atë!
Nëse ti, o pronar, ia vonon pagën punëtorit tënd pa ndonjë arsye, ti je i padrejtë dhe do të merresh në llogari për këtë padrejtësi ndaj tij.
- T’ia sigurojë ushqimin gjatë orarit të punës, apo së paku t’i japë kohë të mjaftueshme për të ngrënë!
Sa shumë që çalojnë pronarët në këtë drejtim dhe sa shumë që ankohen punëtorët nga kjo padrejtësi! Disa pronarë, Allahu i udhëzoftë, as që ua mbulojnë ushqimin, gjë e cila e detyron punëtorin të ushqehet nga xhepi i tij, përskaj pagës së ulët. Madje as që u japin kohë të mjaftueshme për të ngrënë, vetëm se pak. A nuk mendojnë këta njerëz se edhe punëtorët janë krijesa që kanë nevojë për t’u ushqyer e për të ripërtërirë forcat dhe energjitë! Pas kësaj si është e mundur të kërkosh punë të plotë nga punëtori yt. A nuk logjikojnë këta njerëz!
- T’i japë kohë punëtorit për ta adhuruar Allahun!
Shpesh herë më ka ndodhur që punëtorët të më drejtohen për t’u ankuar e për të pyetur se çfarë të bëjnë, pasi që pronari nuk ua lejon namazin e xhumasë. Madje disa dhe ua ndalojnë namazin dhe adhurimin tërësisht, ndonëse namazi ditor nuk merr më shumë se disa minuta!
O ju që Allahu ua ka mundësuar të keni dikë “nën pushtetin tuaj”, mos mendoni se adhurimi në vendin e punës t’i largon klientët dhe të pakëson punën, por e kundërta, kohën e shfytëzuar për adhurim, Allahu ta zëvendëson shumëfish me të mirat e Tij të pakufishme. A ka kush që merr mësim!
O ju njerëz, nëse mendoni se jeni të fuqishëm, dijeni se ka Një që është më i fuqishëm se ju, Ai është Allahu Fuqiplotë. Nëse mendoni se keni pushtet, dijeni se është Një që ka pushtet më të fuqishëm se ai i juaji, Ai është Allahu i Madhërishëm. Nëse mendoni se keni lidhje dhe miqësi të forta dhe se askush nuk mund t’ju bëjë asgjë, dijeni se Allahu është Ai që nuk mposhtet kurrë. Nëse mendoni se jetoni në një shtet që nuk është në gjendje t’ia sigurojë të drejtën punëtorit dhe ta realizojë të drejtën në favor të tij, dijeni se është Allahu Ai që është i Plotfuqishëm, i Cili do t’ia japë secilit të drejtën që e meriton. Nëse mendoni se njeriu që keni vënë ndër këmbë, është i pafuqishëm dhe s’mund t’ju bëjë asgjë, por qëndron në punë vetëm për shkak të nevojës që ka dhe ju e shfrytëzoni këtë rast, dijeni se Allahu do ta ndihmojë atë, e do ta çlirojë nga kthetrat tuaja. E juve do ju ngel barrë padrejtësia që keni bërë ndaj tij dhe do të pësoni, qoftë dhe pas një kohe.
Vazhdon…
20.03.2021