Të shohim gjërat me thjerrëzën e besimit – komentimi i sures Asr (pjesa e dytë)

Mr.c. Jeton ef. Muça

Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:

“Çdo qenie njerëzore, pa asnjëfarë dyshimi, është i mbytur në humbje” (Sureja Asr: 2). Qeniet njerëzore në esencë janë në humbje konstante, kurse gjëja e parë që humbasin është koha. A keni parë disa shfaqje televizive të cilat janë si një lloj gare ku ka kohëmatës, apo disa lloj kuizesh në të cilat duhet të përgjigjeni shpejtë, sepse koha e juaj kalon dhe përderisa nuk ka rënë sirena, duhet të keni përfunduar lojën, përndryshe humbni! Pra, sporti dhe lojërat janë të lidhura me kohën, sepse janë të kufizuara dhe ju duhet të përmbushni maksimumin për atë kohë. Ju duhet të thyeni një rekord apo të kaloni një rezultat që ka qenë i vendosur më parë.

Ngjajshëm me këto të lartëpërmendurat, janë edhe gjërat në këtë jetë, ku në përgjithësi kemi shumë pak kohë. Derisa jeni pa martuar, apo jeni martuar por fëmijët tuaj akoma nuk janë në shkollë, ju mund të mendoni që keni shumë kohë në dispozicion, andaj nuk dini çfarë të bëni me kohën tuaj të lirë.

Allahu për çdo qenie njerëzore na pikturon një imazh ndryshe nga kjo e humbjes konstante të kohës. Ai është duke na përkujtuar të gjithë ne, që në të vërtetë, nuk kemi shumë kohë në dispozicion.

Në botën tjetër, kur do dalim para Allahut xh.sh., Ai do të na pyet: “Sa kohë jetuat atje”?  

Edhe pse ka pasur njerëz që kanë mbushur 80 apo 100 vite, që kanë jetuar një jetë të plotë, ata edhe pse mund të kujtojnë të kaluarën e tyre, përsëri do të përgjigjen: “Mendojmë që kemi jetuar vetëm se një ditë”. Kur ata shohin pas, e kuptojnë sa e shkurtër ishte kjo jetë.

Si përfundim, kur njeriu ta kupton se jeta është e shkurtër, gjithashtu do konstatojë se ka shumë pak kohë për të jetuar.

Gjëja e parë që duhet të bëni për ta shpëtuar atë person, apo gjëja e parë që ky person duhet të bëjë për të shpëtuar veten e tij, është që ai të zgjohet. Sepse, nëse ata jetojnë në ëndrra dhe gjithçka duket mirë, si dhe mendojnë që kanë kohë të mjaftueshme në jetën e tyre, kur ata të zgjohen, e kuptojnë që janë duke u përmbytur dhe se realiteti është krejtësisht ndryshe.

Pasi kuptuam që koha kalon shpejtë, për të shpëtuar veten dhe për të mos qenë në humbje, duhet të plotësojmë disa kushte. Allahu i shpjegon këto në vazhdim të sures ku thotë:

“Përjashtimi i vetëm për njerëzit që nuk do të përmbyten në humbje, janë njerëzit që kanë besuar, përkatësisht ata që kanë besim” (Sureja Asr: 3). Kështu që, pjesa e parë e besimit është të kuptojmë “se ne jemi duke u përmbytur” dhe se jemi në një gjendje emergjente, për të cilën nuk kemi shumë kohë.

Allahu thotë në Kuran:

“Njerëzit që dinë, nuk mund të jenë njëlloj me njerëzit që nuk dinë” (Zumer 9).

Mënyra më e thjeshtë për të menduar se cili është ndryshimi mes atij që beson dhe atij që nuk beson është sikur keni vërë syze me nuanca. Nëse vendosni nuancë jeshile, gjithçka që shikoni duket jeshile. Nëse vendosni nuancë të kaltër, atëherë gjithçka që shikoni duket e kaltër. Pra, këndvështrimi i juaj për realitetin, ndryshon sipas nuancës që keni vënë në syze apo bazuar në ngjyrën e thjerrëzave që keni.

E njëjta gjë ndodh nëse vendosni thjerrëzat e imanit (besimit). Pamja e realitetit ndryshon për ju sipas nivelit të besimit tuaj. Të gjithë të tjerët shohin një gjë, kurse ju shihni diçka krejtësisht tjetër. Ju nuk e shihni vetëm atë që keni përpara, por shihni edhe të mirën dhe të keqen që fshihet pas saj, pra dëminin dhe përfitimin nga ajo gjë. Besimi do ndryshojë mënyrën sesi ju e kuptoni realitetin, andaj askush tjetër nuk do ta kuptojë në të njëjtën mënyrë. Dikush mund të mendojë se të fitosh para është diçka e suksesshme. Por, kur shikoni parat në thjerrëzën e imanit, gjegjësisht, nëse këto para janë fituar nga hallalli apo nga harami, kjo ndryshon krejtësisht pamjen. Për ta thjeshtësuar akoma më shumë, një person që ka blerë një makinë të bukur apo një shtëpi të bukur, shihet se është i lumtur dhe i suksesshëm, duke mos pyetur se si i ka fituar ato të holla. Nëpërmjet besimit, ju edhe pse e shihni atë makinë apo shtëpi, kur e dini se është fituar me punë të ndaluara – haram, e kuptoni që është një dështim, sepse e shihni nëpërmjet imanit tuaj. Andaj, ne shikojmë po të njëjtën gjë si tjerët, por perceptimi i jonë ndryshon krejtësisht për shkak të besimit – imanit tonë.

Allahu na tregon në këtë sure, që humbja më e madhe që mund të pësojë njeriu, është se ata nuk shikojnë realitetin nga pikëpamja e imanit, pra nuk i shohin gjërat siç janë me të vërtetë. Andaj, Pejgamberi a.s. e bënte këtë lutje shumë shpesh:

“O Allah, na e trego të drejtën si të drejtë, na e trego realitetin si realitet dhe na jep guximin dhe forcën që ta ndjekim atë. Na e trego të gabuarën si të gabuar dhe na jep guximin që të qëndrojmë larg saj”!

Dibër, 22.03.2021