Reshit ef. Mullarexha
Këtë radhë do bëjmë analizën dhe sqarimin e disa fjalëve të urta, të inspiruara nga Kur’ani Famëlartë dhe modeli Profetik. Mes tyre do veçojmë këto të mëposhtmet:
- “Nëse dëshiron një mik, të mjafton Allahu xh.sh.”
Në lidhje me këtë thënie, Allahu e jep këtë kuptim:
Besimtarët të mos i miqësojnë mosbesimtarët, e t’i lënë anash besimtarët. E kush bën atë, ai nga feja e All-llahut nuk ka asgjë (Sureja Ali Imran: 28).
Marrja për miq e jobesimtarëve nuk është në kundërshtim me qëndrimet Islame, por kur besimtari lë anash besimtarët dhe përzgjedh mosbesimtarët në vend të tyre, atëherë ky veprim hidhëron Allahun xh.sh.
- “Nëse doni një udhëzues, Kurani është i mjaftueshëm”
Ne, Kur’anin e dimë si një Libër që i është shpallur Muhamedit a.s. dhe se vlera e tij është Madhështore, por brendësinë e tij nuk jemi munduar që ta kuptojmë ose ta interpretojmë siç duhet. Nga thënia kuptojmë që nëse duam udhëzues ose kërkojmë një mësues të mirë në jetë, na mjafton Kur’ani, sepse ai është shembulli më i mirë se si njeriu duhet të jetojë.
- “Nëse doni prova, Muhamedi a.s. është i mjaftueshëm”
Në fenë Islame ekzistojnë katër prova dhe argumente, ato janë: Kurani, Suneti, Ixhmai dhe Kijasi. Ai që mohon ndonjë prej tyre është i pakompletuar.
- “Nëse doni të angazhoheni, adhurimi është i mjaftueshëm”
Ata që duan të jenë të suksesshëm në jetë duhet të punojnë. Të punosh punë hallall konsiderohet adhurim. Muhamedi a.s. në lidhje me këtë thotë: “Adhurimi përbëhet nga dhjetë pjesë, nëntë prej tyre, punojnë dhe fitojnë hallall”. Ndërsa në një rast tjetër thotë: “Ushqimi më i mirë fitohet me djersë, duke i kushtuar vëmendje hallallit dhe haramit”.
- “Nëse doni pasuri, bindja është e mjaftueshme”
Nuk ka pasuri më të madhe se bindja. Transmeton Buhariu se Muhamedi a.s. ka thënë: “Pasuria është e zemrës, jo bollëku i pasurisë”. E një rast tjetër ka thënë: “Allahu mjafton për ata që besojnë”.
- “Nëse doni nder, Islami është i mjaftueshëm”.
Nuk ka nder më të madh se të qenit mysliman. Nder për një mysliman është të kesh moralin e mirë të Islamit. Nder është gjithashtu të shpenzosh paratë dhe pasurinë për këtë qëllim. Transmetohet nga Ibni Asakir se Muhamedi a.s. na ka mësuar kështu: “Mbroni nderin tuaj me pronën tuaj”!
- “Nëse doni një paralajmërim, vdekja është e mjaftueshme”
Kjo thënie është e këndshme kur e shikojmë nga prizmi i hadithit Profetik: “Vdekja mjafton si predikues i një personi”.
- “Nëse doni një armik, shpirti juaj është i mjaftueshëm”
Armiku më i fuqishëm i njeriut është egoja e tij. Por si armik nuk duhet marrë vetëm vetja/egoja jonë, por duhet të konsiderojmë edhe djallin e mallkuar. Thotë Allahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik:
Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit (Sureja Fatir: 6).
Gjithashtu në një një hadith sherif thuhet: “Një mik i keq është armik”.
- “Nëse këto nuk janë të mjaftueshme, Ferri (xhehenemi) është i mjaftueshëm”
Allahu xh.sh. është Falës dhe e don faljen. Ai në Kur’anin e Ngritur thotë:
Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Sureja Zumer: 53).
Allahu xh.sh. nuk e falë vetëm atë që me arrogancë nuk dëshiron faljen e Tij. Në këtë rast njeriu destinon veten e tij në zjarrin e xhehenemit. Zoti na shpëtoftë prej dënimit të tij.