Krenaria dhe nënçmimi i vetes

Burim ef. Sadria

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar. Atë e falënderojmë për mirësitë e Tij të shumta e të panumërta. Ai është i cili e zbriti fjalën e Tij të amshuar, Kuranin Famëlartë, në gjoksin e të Dërguarit të tij Muhamedit a.s., për ta nxjerrë njerëzimin nga errësira e mosbesimit në dritën e besimit dhe njëshmërisë së Zotit.

Salavatet dhe selamet qofshin për Profetin e fundit, Muhamedin a.s., për familjen e tij të pastër, për shokët e tij besnik dhe për të gjithë ata që i pasojnë ata me devotshmëri dhe përkushtim deri në ditën e Fundit.

Kur Zoti i Madhëruar e krijoj njeriun, bashkë me të krijoi edhe instinktin e tij të krenarisë dhe dinjitetit. Andaj secili prej nesh kërkon që të ndihet krenar, të respektohet dhe të mos fyhet mes njerëzve ku jeton.

Përse Zoti i Madhëruar e pajisi njeriun me këtë instinkt?

Zoti i Madhëruar e bëri këtë, që njeriu mos devijojë nga ligjet e tij dhe nga Rruga e drejtë e Islamit. Kjo, sepse çdo njeri ka frikë nga skandali dhe nuk dëshiron që të poshtërohet para njerëzve të tjerë. Për ta ruajtur dinjitetin e njeriut dhe ndjenjën e tij të krenarisë, Zoti, që është Krijuesi i tij, ka caktuar rregulla dhe norma, siç janë adhurimet ndaj Tij. Njeriu, këto rregulla dhe norma, si namazi ,agjërimi, etj., duhet ti zbatoj. Qëllimi i tyre është të forcojë këtë ndjenjë të vlerësimit dhe mos poshtërimit të vetes.

Po të analizojmë mëkatet, ato ndahen në të vogla dhe te mëdhaja. Mëkatet e mëdha prekin më shumë ndërgjegjen dhe karakterin e njeriut. E njollosin dinjitetin dhe karakterin e tij. Për shembull, alkooli është shkaktar, që njeriu pijanec të ulë veten aq shumë saqë të tallen njerëzit në rrugë me të.

Për të ruajtur Zoti karakterin e njeriut, Ai e dërgoi këtë fe, ku Muhamedi a.s thotë: Nuk mundet ti afrohet njeriu Zotit të tij me diçka, pos asaj qe kemi porositur.

Zoti xh.sh e krijoi njeriun ne formën më të bukur. Kjo shprehet edhe në Kur’an, ku Allahu thotë:

Pasha Fikun dhe Ullirin. Dhe Kodrën Turi Sina. Dhe këtë qytet të sigurtë. Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur (Sureja Tin: 1-4).

Fiku dhe ulliri simbolizojnë vendin në të cilin kultivohen këto pemë dhe ky vend është Kudsi (Jerusalemi). Zoti i Madhëruar betohet në tre vende më të shenjta: Kudsin, Turi Sinanë, ku Zoti i foli Musait dhe Meken. Pra, kuptimi i sures është se, ashtu siç i ka krijuar Zoti i Madhërishëm këto vende te pastra dhe të shenjta dhe ti o njeri je i pastër dhe i bekuar nga Zoti.

Prandaj, kujdes o njeri! Mos e poshtëro dhe nënçmo veten tënde që të mos bëhesh nga grupi tjetër ku Allahu thotë:

Pastaj e vendosëm në nivelin më të ulët. Përveç atyre që vepruan punë të mira (Sureja Tin: 5-6)

Po të shohim njeriun, ai është krijuar nga dheu dhe uji, të cilët janë elementet me të pastra të tokës. Me këtë, Zoti i Madhëruar sikur na thotë: Ju o njerëz, qysh në origjinë jeni të pastër, prandaj mos e ndotni këtë pastërti me vepra të ulëta mëkatare.

Gjithashtu Zoti i Madhëruar, pasi e krijoj njeriun, urdhëroi engjëjt që të bien ne sexhde, ti përuleshin njeriut.

O njeri! Krijesat më të Larta të Zotit të Lartësuar u përulen karshi teje, kurse ti e ul veten dhe e nënçmon, duke bërë gjynahe!

Bën kujdes për veprat e tua. Mos bën mëkate që ta njollosin dinjitetin dhe krenarin tënde por bën vepra të mira dhe të dobishme për veten dhe për tjerët, që ta risin krenarin dhe dinjitetin tënd.

Dibër, 25.03.2021