Islami nxit diturinë

Fisnik ef. Çela

Dituria është dritë në mendjen dhe zemrën e çdo njeriu. I pari që ka shkruar me pendë është Profeti Idris a.s. Kur shohim se i pari që ka shkruar është një profet dhe jo ndonjë filozof i antikitetit, të shkon mendja tek ajo që mendojnë një grup njerëzish se dituria (shkenca) nuk ka lidhje me fenë. Ata e shohin si të pamundur që të bashkohet dituria dhe suksesi në njërën anë dhe të qenurit fetar në anën tjetër, gjegjësisht, sikur shkenca të ishte në një drejtim dhe xhamia dhe feja në drejtimin tjetër. E gjithë kjo është një keqkuptim, pasi shkenca dhe feja janë në të njëjtin drejtim dhe shkojnë në harmoni me njëra tjetrën.

Fjala “dije” është përmendur në Kuran 80 herë. Kurse fjalët që rrjedhin prej saj, si: di, dinë, etj. janë përmendur me qindra herë, ndërsa fjala e parë që është shpallur në Kuran është “Lexo”.

Islami kërkon njerëz të suksesshëm dhe të ditur. Nuk mjafton të hysh në provim, të shkruash dy fjalë dhe të kalosh. Nëse dëshiron të jesh student shembullor, ti duhet ta kuptosh lëndën dhe të jesh nga të dalluarit, pasi këtë, në radhë të parë, ta kërkon feja jote. Pra, feja të cilën e ke përqafuar, të urdhëron të studiosh bazuar edhe në faktin që babai i njerëzimit dhe profeti i parë Ademi a.s ishte njeri i ditur, ku në Kuran thuhet: ”Dhe (Allahu) ia mësoi Ademit të gjitha emrat (shkencën)” (Sureja Bekare: 31).

Hadithet që flasin rreth nxitjes së Profetit Muhamed a.s për dije, vetëm tek Buhariu arrijnë në 102 të tilla. Mjafton ta cekim hadithin e të Dërguarit a.s. ku thotë: “Kërkoni diturinë nga djepi deri në varr”. Megjithatë, në kohën e sodit, befasohesh kur dëgjon se ndjekësit e Muhamedit a.s ndodhet në rangun e fundit të popujve për sa u përket dijes dhe shkencës. Është e çuditshme se si ka mundësi që umeti i cili është urdhëruar për dije, të jetë i fundit në çdo fushë!

Në betejën e Bedrit, myslimanët kapën 70 robër nga kundërshtarët. Sahabët ishin në kulmin e nevojës për para, pasi ishin përzënë nga shtëpitë e tyre në Mekke dhe u ishin marrë pasuritë nga vetë kundërshtarët. Kështu robërit ishin një shans i mirë për të marrë para në këmbim të lirimit të tyre. Por Profeti a.s., me gjithë nevojën që kishin myslimanët për para, shihte se më e rëndësishme se paratë dhe të ushqyerit të tyre ishte dija. Kështu, kusht për lirimin nga robëria ishte që tu mësonin 10 nga fëmijëve të myslimanëve shkrim-leximin. Me këtë veprim ai po ngrite bazat e shkollës së parë.

Kur erdhi një grua te Profeti a.s me emrin Shifa bint Abdullah, e cila dinte shkrim dhe lexim, Profeti a.s i tha asaj: “Shko dhe mësoi Hafsa bint Omerit shkrimin”. Pra, Profeti a.s. nuk mund ta pranonte që gruaja e tij të mos dinte shkrim-leximin.

Në Kuran, Zoti betohet në mjetin e shkrimit, përkatësisht në pendën: “Nun, dhe për pendën me të cilën shkruajnë” (Sureja Kalem: 2)

Ai që ka mundësi të kryejë fakultetin apo më lart, në një fushë ku mund ti shërbejë shoqërisë, le ta dijë se diçka e tillë është prej fesë. Ai që arrin të prodhojë diçka të re, për ti shërbyer vendit, le ta dijë se kjo vepër është prej Islamit. Ai që hap një firmë dhe punëson punëtorë, le ta dijë se është prej Islamit.

Nëse Idrisi a.s ishte i pari që shkroi me pendë, i pari që përdori statistikën ishte profeti Muhamed a.s. Kur vajti në Medine ai u tha shokëve të tij: “Numëroni të gjithë personat që dëshmojnë se nuk ka zot tjetër veç Allahut”.  Në një rast tjetër, para betejës së Bedrit, ai u kërkoi shokëve të tij: “Numëroni të gjithë ata që mbajnë armë (që mund të luftojnë) nga burrat”.

Profeti a.s., gjithashtu, ishte i pari që i kushtoi rëndësi mësimit të gjuhëve të huaja. Tregohet një rast kur Profeti a.s. thiri Zejd ibn Thabitin dhe i tha: “O Zejd! Shko dhe mëso gjuhën e  çifutëve dhe mos u kthe, derisa ta mësosh rrjedhshëm”. Më pas tregon vetë Zejdi dhe thotë: “ Vajta dhe qëndrova mes tyre 18 ditë dhe u ktheva tek i Dërguari Zotit, të cilit i thashë: Arrita ta mësoj gjuhën e çifutëve, o i Dërguar i Zotit. Ai më pyeti: “O Zejd, a e mësove rrjedhshëm? I thashë: Po, o i Dërguar i Zotit. Ai më pyeti: “A mund ta shkruash atë?–  Po, i thashë.  

Thotë Abdullah Ibn Mes’udi: “Njeriu nuk lind i ditur, dituria fitohet nga të mësuarit”. Nevoja për të mësuar është aq e madhe, saqë edhe në rrethana të jashtëzakonshme, në kohë lufte, nuk bie si koncept. Kështu na mëson Kur’ani, e kështu vepronte edhe Muhamedi a.s. Në një rast, transmeton Hakimi r.a. se kur Pejgamberi a.s. kishte dalë për të zhvilluar betejën e Hunejnit, në Meke kishte lënë zëvendës Muadh ibn Xhebelin, duke e urdhëruar që tua mësonte njerëzve Kur’anin dhe gjërat tjera fetare.

Gjithashtu, vlen të përmendim edhe kontributin e myslimanëve të mëvonshëm, që kanë dhënë në dije dhe shkencë. Në Spanjë, në kohën e sundimit të myslimanëve, ishte e vështirë për të gjetur edhe një fshatar mysliman i cili nuk dinte shkrim-lexim, derisa në Evropë, në të njëjtën kohë, kjo nuk mund të thuhej as për shumë personalitete të mëdha. Për më tepër, në periudhën prej shekullit 9 deri në shekullin 13, myslimanët spanjollë kishin sistem arsimor i cili nuk ngecte pas sistemeve më të përparuara të kohës moderne. Astronominë e mësonin përmes globit dhe planisferës, matnin volumin e Tokës, studionin lëvizjen e planetëve, matnin dendësinë e atmosferës dhe u ishin të njohura kushtet natyrore dhe artificiale nën të cilat formoheshin avujt dhe gazrat. Këto suksese, e pranuan të tjerët apo jo, në radhë të parë vinte falë Islamit, i cili ka qenë motivi kryesor për shtytjen e myslimanëve për dije.

Do ta mbyllim këtë shkrim me fjalën e Muhamedit a.s ku thotë: “Besimtari është gjithmonë në kërkim të urtësisë, kudo që ta gjejë atë, le ta merr, sepse ai e meriton ta ketë atë më shumë se kushdo tjetër”.   

Dibër, 26.03.2021