Punëtorët, një realitet i zymtë (pjesa e fundit)

Hfz. Denis ef. Abdushi

O ti mysliman, ki kujdes dhe ruaju të mos e kesh për kundërshtar Allahun e Lartësuar Ditën e Kiametit. Profeti a.s. përcjell se Allahu i Plotfuqishëm ka thënë: “Ditën e Kiametit Unë do të jem kundërshtari i tre personave…”, ndër tyre ka përmendur edhe: “…Një person që ka marrë një punëtor, i cili pasi e ka kryer punën e tij, punëdhënësi nuk ia ka dhënë pagën e plotë”. (Transmeton Buhariu)

Ai që ka për kundërshtar Allahun, a thua vallë ka mundësi të shpëtojë!?

O ti mysliman, kujdes dhe ruaju të mos të bjerë mbi kokë lutja e personit që i ke shkaktuar padrejtësi. I Dërguari ynë a.s. ka thënë: “Ruaju nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, ngase mes saj dhe Allahut nuk ka pengesë” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi). Profeti, poashtu, ka thënë: “Lutja e tre personave nuk refuzohet asnjëherë: Prijësi i drejtë; Agjëruesi deri sa të hajë; dhe lutja e atij që i është bërë padrejtësi. Allahu (këtë lutje) e ngrit mbi re dhe i hapen dyert e qiellit dhe Ai xh.sh. thërret: ‘Pasha krenarinë Time! Do të ndihmoj, qoftë dhe pas një kohe’” (Transmeton Tirmidhiu).

Andaj, o vëllezërit e mi, le t’i frikësohemi Allahut të madhëruar me një frikë të vërtetë dhe le të përgatitemi për një ditë ku nuk bën dobi as pasuria e as fëmija, por vetëm besimi i drejtë, zemra e pastër dhe vepra e mirë.

Allahu xh.sh. thotë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin)” (Sureja Ibrahim: 42)

Në fund, i drejtohemi Allahut Fuqiplotë me këto lutje të sinqerta:

O Allah, ne i kemi bërë padrejtësi vetes sonë dhe e kemi njollosur me gjynahe dhe mëkate, mirëpo mëshira Jote është më e gjerë se mëkatet tona, andaj na përfshi me mëshirën Tënde të gjerë dhe na fal, sepse Ti je falësi i vërtetë!

O Allah, mos na dëno për shkak të asaj që vepruan mendjelehtët nga mesi ynë, por na trajto me faljen dhe mëshirën Tënde, ngase nëse na trajton me drejtësinë Tënde, ne, me siguri, se jemi të shkatërruar!

O Allah, na udhëzo në rrugën e drejtë, në rrugën e profetëve dhe në rrugën e robërve të Tu të zgjedhur dhe na kthe kah e mbara!

O Allah, të lutemi me emrat e Tua të bukura dhe cilësitë e Tua të larta, të na dhurosh nga mirësitë e Tua në këtë botë dhe në tjetrën dhe të na mbrosh nga çdo e keqe dhe çdo e ligë!

Bekimet dhe përshëndetjet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin s.a.v.s dhe lutja jonë e fundit është: falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

Dibër, 27.03.2021