Bujar ef. Dovolani
Minutat, orët, ditët dhe muajt, që janë pjesë përbërëse të kohës, janë të Zotit. Jo rastësisht Allahu betohet në kohën. Por Allahu, për të respektuar Kur’anin, që është Fjala e Tij e amshuar, veçoi muajin e zbritjes së Kur’anit – Ramazanin. Duke qenë se Allahu nuk është koprrac në dhurime dhe shpërblime, Ai deshi që robërit e Tij të mos u vjen muaji i Ramazanit të pa përgatitur, andaj shtoi vlerën edhe të dy muajve paraprak, gjegjësisht muajin Rexhep dhe muajin Shaban.
Muaji Shaban karakterizohet me dy ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme, andaj ne sot do fokusohemi sidomos në të parën:
- Nata e katërmbëdhjetë e muajit Shaban, që njihet si nata e Beratit, dhe
- Ndërrimi i Kibles së myslimanëve prej Mesxhidul Aksasë në drejtim të Qebes së madhërishme.
Si e festonte Muhamedi a.s. muajin Shaban?
I Dërguari i Allahut a.s. e kremtonte këtë muaj me shtimin e adhurimeve dhe veprimeve të mira. Kur është pyetur se cili është agjërimi është më i vlefshëm pas agjërimit të Ramazanit? Ai u përgjigj: “(Agjërimi) Muaji Shaban për shkak të madhërimit të Ramazanit” (Tirmidhiu). Transmetohet nga Ajsheja r.a. se ka thënë: “Pejgamberin a.s. nuk e kam parë që ka agjëruar ndonjë muaj të plotë, përveç Ramazanit, e as nuk e kam parë se ka agjëruar ndonjë muaj më shumë, se sa në muajin Shaban“ (Buhariu 1833). Transmetohet nga Usame b. Zejdi ku thuhet: “I thash: O i dërguari i Allahut s.a.v.s., nuk të kam parë që ke agjëruar ndonjë muaj prej muajve, sa agjëron në muajin Shaban! Ai tha: “Ky muaj është muaji që njerëzit janë në gaflet në të, i cili gjendet mes muajin Rexhep dhe Ramazan. Ky muaj (Shabani) është muaji që ngriten punët tona te Allahu i Madhërishëm, andaj unë dëshiroj që kur të ngritën punët e mia të jem agjërueshëm” (Nesaiu dhe Ebu Davudi).
Në një transmetim nga Aisheja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit s.a.v.s. thuhet se ajo ka thënë: Një natë u ngrit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nga shtrati për t’u falur, dhe gjatë namazit qëndroi aq gjatë në sexhde, saqë mendove se ka vdekur. Kur vërejta qëndrimin e gjatë në sexhde, pa lëvizur, u ngrita dhe e kapa për gishtin e dorës dhe ai lëvizi, e unë e dëgjova duke thënë në sexhde: “O Zot, kërkoj mbrojtje me faljen Tënde prej dënimit Tënd, kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde ndaj hidhërimit Tënd, kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti, nuk di si të të lavdëroj Ty, përveç se ashtu si Ti e ke lavdëruar veten Tënde.” Pasi e ngriti kokën nga sexhdeja dhe përfundoi me namazin, atëherë më tha: Oj Ajshe, (ose oj Kuqaloshe), a mendove se shkova te tjetra? I thash (thotë Ajsheja): Jo pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, nuk mendova ashtu, por mendova se ke vdekur për shkak të sexhdesë tënde të gjatë! Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. tha: A e din se çfarë nate është kjo? Ajsheja r.a. i tha: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë! Pejgamberi a.s. tha: “Kjo është nata e gjysmës së muajit Shaban, vërtetë këtë natë Allahu i Madhërishëm paraqitet para robërve të Tij, i falë ata që kërkojnë falje prej Tij, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirë, kurse ziliqarët i len të tillë si janë, të armiqësuarit, të pa falur dhe të pa mëshiruar.” (Imam Bejhekiu)
Si duhet ta presim këtë muaj dhe çka duhet vepruar?
Më lartë e kuptuam se si e prite Muhamedi a.s. këtë muaj, por nëse themi se nuk kemi nivelin e devotshmërisë për të vepruar njëjtë si Resulullahu, atëherë le të marrin shembullin e shokëve të tij dhe myslimanëve që jetuan në kohën e tij.
Në një transmetim nga Enes b. Maliku tregohet se si myslimanët e pritnin muajin Shaban dhe thotë: “Kur prezantonte muaji Shabanit, myslimanët e rritnin gatishmërinë e punëve të mira, lexonin Kur’an, shpërndanin lëmosha dhe sadaka duke u solidarizuar me të varfëritë dhe nevojtarët, me qëllim që edhe ata të ndihmohen për pritjen e muajit të Ramazanit. Ata e kuptuan se ngritja e punëve të tyre te Allahu xh.sh. në natën e katërmbëdhjetë të Muajit Shaban, duke e përcjellë me agjërim dhe ibadete të shtuara, është përfundimi i veprimit vjetor, kurse fillimin e muajt të Ramazanit e konsideronin si fillimi i vitit të ri shkollor, me një e lan të mirë, të përgatitur, të pastër dhe të bashkuar. Kështu fillonte viti i tyre dhe kështu mbaronte.”
Andaj e lusim Allahun xh.sh. të na mundësojë të përgatitemi për muajin e Ramazanit si mendërisht dhe psiqikisht, duke shtuar lutjet, përqendrimet në namaz dhe dhënia e sadakasë, po aq edhe fizikisht, duke agjëruar kohë pas kohe, që kur të vjen Ramazani, ta presim me gëzim dhe me zemërgjerësi.
Dibër, 16.03.2021.