Morali i mirë

Burim ef. Sadria

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed a.s., familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi, deri në Ditën e Kiametit.

Pejgamberi ynë a.s thotë:

“Ju kurrë nuk do të mund ti ngopni njerëzit me pasuri, prandaj ngopni ata me moral të mirë”.

E fillova këtë temë me këtë hadith të bukur të Pejgamberit a.s., duke dashur ta kujtojë në radhë të parë veten time, po pastaj edhe juve se morali është diçka tepër me vlerë dhe e rëndësishme për besimtarët. Qëllimi kryesor i dërgimit të Pejgamberit a.s ishte përsosja e moralit. Profeti a.s. thotë në një hadith të tij:

“Nuk jam dërguar veçse për të përsosur moralet e larta”!

Mendoni! Nëse në një shoqëri do mbizotëronin veset e ulëta si: mashtrimi, tradhtia, imoraliteti, etj., a mund të thoshim se kjo shoqëri është e mëshirshme dhe e moralshme? A është kjo shoqëri që jeton në paqe dhe siguri?

Allahu thotë në Kur’anin Fisnik:

“Ne nuk të dërguam ty (Muhamed) veçse si mëshirë për botët” (Sureja Enbija: 107).

A e vëreni dot lidhjen mes hadithit dhe ajetit të lartshënuar?!

Nuk do ketë qetësi e lumturi në asnjë shoqëri njerëzore pa moral. Po të shohim, çdo adhurim që e bëjmë, në vete ngërthen një moral të caktuar. Për shembull: Për Namazin, Allahu xh.sh. thotë:

“Fale namazin, pasi namazi të ndalon nga fjalët dhe veprat e ulëta” (Sureja Ankebut: 45).

Ai person, namazi i të cilit nuk e ndalon nga veprat e këqija, ka bërë vetëm ulje/ngritje dhe nga namazi i tij nuk ka përfituar gjë.

Në lidhje me dhënien e zeqatit, Zoti i Madhëruar në Kur’anin e Tij thotë:

“Merr nga pasuria e tyre lëmoshë, e cila i pastron (pasurinë e tyre) dhe i ngre ata (shpirtërisht)” (Sureja Teube:103).

Pra, qëllimi i zeqatit (lëmoshës) qenka që ti të pastrohesh dhe të përsosësh moralet e tua.

Zoti e lidh adhurimin drejtuar Tij me moralin e bukur. Urtësia e kësaj thotë që duke dhënë lëmoshë ti mëshiron te varfërit dhe mësohesh të jesh më bujar dhe kjo të largon mendjemadhësinë. Profeti a.s na mëson edhe më tej duke na sugjeruar që të japim lëmoshë jo vetëm me pasuri por edhe në moral. “Buzëqeshja jote ndaj vëllait tënd është lëmoshë” – na këshillon Zotëria e tij a.s. Shikoni sesi ndryshon botëkuptimi i lëmoshës në fenë tonë Islame: nga lëmosha me të holla, në lëmoshë me moral të bukur. Në lidhje me agjërimin, i dashmi i Zotit thotë:

“Nëse dikush prej jush agjëron, të mos flasë fjalë të ulëta dhe të mos veprojë vepra të  këqija. Edhe nëse dikush të ofendon, ai le të përgjigjet: Unë agjëroj, unë agjëroj”.

Pra, dita e agjërimit, qenka ditë e moralit dhe sjelljeve të mira.

Më tej, Zoti i Madhëruar thotë:

“Haxhi është në muaj të caktuar dhe kush e kryen haxhin në këtë muaj, ai nuk duhet të flasë fjalë të ndyta, të veproj vepra të ulëta dhe të grindet…(Sureja Bekare: 197).

Prej në momentin kur vendosësh për të shkuar në udhëtimin e Haxhit, duhet të ruhesh nga çdo e keqe dhe e dëmshme për veten dhe për te tjerët.

Është e çuditshme sjellja e muslimanëve në situata të caktuara. Ata, brenda xhamisë sillemi mirë, e falim namazin rregullisht, por sa dalim jashtë xhamisë kthehemi në njerëz te tjerë. Ky dallim padyshim që nuk është prej islamit. Një ditë Profeti a.s. u tha sahabëve: Për Zotin nuk beson! Për Zotin nuk beson! Për Zotin nuk beson! Pyetën shokët: Kush o Profet i Zotit? Ai që fqinjët e tij nuk ndihen të sigurt prej tij” – u përgjigj Muhamedi a.s.!

Thotë Pejgamberi a.s: Njeriu më i keq në Ditën e Kiametit do të jetë ai që njerëzit rruhen nga e keqja që mund t’ju sjellë ai”! Çfarë vlere do të kishte namazi, agjërimi, haxhi, lëmosha etj. nëse  njerëzit të kanë frikë dhe të ruhen prej te keqes tënde?!

Të flasësh për moralin e mirë, do të thotë të flasësh mbi jetën e Pejgamberit a.s. ngase Allahu tha në Kur’anin Fisnik:

“Me të vërtet ti (o Muhamed) je në shkallën më të lartë të moralit” (Sureja Kalem: 3)!

Ndërsa Muhamedi a.s. në shumë raste i ka lëvduar njerëzit me moral të lartë, mes tyre veçojmë: “Nuk ka gjë që e rendon peshoren e punëve të mira në Ditën e Kiametit më shumë se morali i mirë”. “Ai që do të jetë më afër meje në Ditën e Kiametit, është ai që ka moral më të mirë”!

Qofshim nga ata që janë besimtarë të moralshëm dhe te sjellshëm. Amin!

Dibër, 22.05.2021