Shkëlqeni zemrat tuaja me dhikër (përkujtim të Zotit)

Ligjëruese Shkëndije Mullarexha

Gjitha fjalët  falënderuese dhe lavdëruese  i përkasin vetëm Allahut. Atij i  takojnë cilësitë më të përsosura dhe emrat më bukur. Paqja dhe bekimi qofshin mbi vulën e pejgamberisë, Muhamedin a.s.

Dhikër quhet përkujtimi i Allahut me gojë dhe me zemër duke e falënderuar, lavdëruar dhe madhëruar Atë. Allahu na ka urdhëruar ta përmendim Atë gjithmonë dhe kudo. Ai thotë në Kuranin Fisnik:

“O ju që keni besuar! Përkujtoheni Allahun sa më shpesh dhe madhërojeni Atë në mëngjes dhe  mbrëmje (Sureja Ahzab: 41-42).

Në një hadith kudsij Allahu thotë: “Unë jam tek robi Im, aq sa  ai pret prej Meje. Unë jam me të kur ai më kujton Mua. Nëse ai më kujton me zemrën e tij, Unë e kujtojë tek Vetja Ime dhe nëse ai më kujton Mua në një shoqëri (xhemat), Unë e kujtojë në shoqëri (xhemat) më të madh se ai i tij. Nëse ai më afrohet Mua një krah, Unë i afrohem atij një pashë. Nëse ai më afrohet Mua duke ecur, Unë rendi drejt tij me një shpejtësi të madhe”.

Muhamedi a.s. ka thënë: “Të devotshmit (El-Muferidunë) ua kanë kaluar të gjithëve. Ata që kanë qenë pranë kanë pyetur: kush janë Muferidunët? – Profeti a.s. u përgjigj: Ata burra dhe gra që përkujtojnë shpesh Allahun”.

Transmeton Muadhi r.a. se Profeti a.s. ka thënë: “Asnjë veprim tjetër i njeriut nuk është mjet më efektiv për të shpëtuar nga dënimi i Allahut, se përmendja e Tij”.

Gjithashtu transmeton Ebu Hurejre r.a. se Profeti a.s. ka thënë: “Ripërtërijeni besimin tuaj duke thënë sa më shpesh: La Ilahe Ilallah”.

Ndërsa Xhabiri r.a. transmeton se Profeti a.s. ka thënë: “Dhikri më i mirë është La ilahe ilallah (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut), dhe lutja më e mirë  është fjala Elhamdulila”.

Dhikri ose fjalët më të dashura për Allahun janë këto të mëposhtmet:                           

LA ILAHE ILALLAH   (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut)

SUBHANALLAH   (Lëvduar qoftë Allahu)

ELHAMDULILA    (Falënderimi i takon vetëm Allahut)

ALLAHU EKBER    (Zoti është më i Madhi)

ESTAGFIRULLAH   (Pendohem tek Allahu)

LA HAVLE  VE LA  KUVETE ILA BIL LAH (Nuk ka fuqi apo pushtet veçse me lejen e Allahut)

Ka thënë Profeti Muhamed a.s. se fjalët më të dashura për Allahun janë:

SUBHANE  ALLAHI VE  BIHAMDIHI, SUBHANE ALLAHIL ADHIM (Të gjitha lavdërimet, madhërimet dhe falënderimet  i përkasin vetëm Allahut).

Gjithashtu Ibn Mesudi r.a. transmeton se Muhammedi a.s.ka thënë: “Nëse dikush lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare, ato do të mjaftojnë për të, ato do ta mbrojnë nga çdo e keqe”.

Në një rast tjetër, ka porositur të lexojmë suren Ihlas se ka vlerë të madhe se 1/3 e Kuranit Fisnik.

Xhuejria r.a. tregon se një ditë  ka qëndruar gjatë duke bërë dhikër dhe kur u kthye Muhamedi a.s. i tha: “Unë i thash këto katër fjalë  nga tre herë që kanë shumë vlerë dhe llogariten sikur me orë të tëra të kem bërë dhikër: SUBHANE ALLAHI VE BIHAMDIHI  ADEDE KHALKIHI  VE RIDA NEFSIHI VE ZINETE ARSHIHI VE MIDADE KELIMATIHI (I madhëruar është Allahu. Falënderimet i takojnë vetëm Atij, sa numri i gjithë krijesave që ka krijuar; I Madhëruar  është Allahu sa është i bukur Arshi i Tij; dhe i madhëruar është Allahu sa ngjyra e pasosur për ti shkruajtur fjalët falënderuese për Allahun).

Për fund, duhet përmendur dhikrin e radhës që ka një vlerë të madhe:

Zoti im! Të gjitha falënderimet të takojnë Ty, po aq sa lavdia dhe lartësia e madhështisë Tënde  që me të drejtë i meriton.

Ta themi deri në takimin me Zotin e Lartësuar, që të meritojmë kënaqësinë dhe dashurinë e Tij.

Dibër, 30.06.2021