Punëtorët, një realitet i zymtë

Hfz. Denis ef. Abdushi

Falënderimet më të larta i përkojnë vetëm Allahut të Lartësuar, i cili u veçua me emrat më të bukura dhe me cilësitë më të larta. Është Ai që shpalli një Fe, zbriti një Libër dhe dërgoi një Profet për t’ia dhënë çdo njërit meritën dhe të drejtën e tij.

Bekimet dhe përshëndetjet më të plota e më të përkryera qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin s.a.v.s., mbi vulën e profetëve, mbi atë që Allahu e dërgoi mëshirë për mbarë botët dhe udhëzim për të gjitha krijesat.

O Allah, dërgo salavatet dhe selamet më të plota mbi më të dashurin tonë, Muhamedin s.a.v.s., derisa të ekzistojë nata dhe yjet e saj dhe dita dhe drita e saj.

Vëllezër të nderuar, keni frikë Allahun e Plotfuqishëm dhe dijeni se takimi me Të është shumë pranë dhe secili prej nesh do të merret në llogari për atë që ka bërë dhe që ka punuar me duart e tij.

Ky Islam dhe kjo fe me të cilën Allahu i Lartësuar na ka nderuar dhe na ka veçuar dëshiron prej nesh që ne të jemi një shoqëri e lidhur dhe e bashkuar, e plotë në karakterin dhe moralin e saj, e ngritur mbi bazat e drejtësisë, ku anëtarët e saj ndihmojnë njëri-tjetrin, duan njëri-tjetrin, këshillojnë njëri-tjetrin, ia shtrijnë krahun njëri-tjetrit dhe ku i forti dhe i fuqishmi ndihmon dhe përkrah të dobëtin dhe të pa fuqishmin.

Kjo fe na ndalon dhe nuk dëshiron prej nesh të xhelozojmë njëri-tjetrin, të urrejmë njëri-tjetrin, t’ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit dhe të shkelim dhe shtypim njëri-tjetrin, ku më i forti ushtron presion me të gjitha format e mundshme ndaj të dobëtit. Çdo gjë që del përballë kriterit dhe moralit të lartpërmendur Islami e ndalon dhe ia ka mbyllur të gjitha shtigjet.

Pa mëdyshje se ndër gjërat që më së shumti rrënon karakterin dhe moralin e shoqërisë është pikërisht padrejtësia me të gjitha format e saj, prej të cilave është dhe padrejtësia ndaj punëtorit. Në mesin tonë ka të tillë që nuk ia kanë dertin dhe nuk i kushtojnë fare rëndësi faktit se si dhe në ç’ mënyrë e fitojnë pasurinë e tyre. Nuk ia kanë dertin se me çfarë pasurie ushqejnë barqet e familjeve dhe fëmijëve të tyre. A thua vallë ushqehen me një pasuri që e kanë fituar me djersën e tyre pa shkelur të drejtën e askujt, apo kanë ngrënë dhe janë ushqyer me djersën e punëtorit dhe me mundimin dhe lodhjen e tij, pa i kushtuar fare rëndësi asaj se pas atij punëtori, të cilit ia shkel të drejtën qëndrojnë dhe disa personi tjerë që varen nga forca e dorës së tij.

Le të mos harrojmë! I Dërguari ynë në një fjalë të tij thotë:

“Padrejtësia është terr Ditën e Kiametit.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

A nuk frikësohen këta se së shpejti do të vijë një ditë ku do të qëndrojnë para Allahut të Plotfuqishëm për t’u llogaritur. A thua vallë çfarë përgjigje do të japin? A nuk frikësohen prej territ dhe errësirës së asaj Dite, e cila është e mbushur me frikë dhe me zjarr? Do të hedhin vështrimin nga e djathta dhe do të shohin vetëm se frikë. Do të hedhin shikimin nga e majta dhe do të shohin vetëm se frikë. Do të hedhin shikimin para dhe do të shohin vetëm se frikë. Atë ditë do të shpëtojë vetëm se ai që ka pak dritë për t’iu ndriçuar rruga e tij. A e dini se kush janë ata? Janë pikërisht ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira dhe atë besim të tyre nuk e kanë njollosur me padrejtësi ndaj askujt.

A thua vallë si do të jetë halli i atyre që do të dalin atë Ditë me plot padrejtësi që kanë bërë ndaj njerëzve?

Dëgjoje këtë rast që e përcjell njëri prej shokëve të më të dashurit tonë, Muhamedit s.a.v.s., i cili quhet Ebu Mes’ud el-Bedri, Allahu qoftë i kënaqur me të!:

Isha duke rrahur një robin tim me kamxhik dhe dëgjova një zë nga pas: Dije, Ebu Mes’ud! Por nga hidhërimi nuk e kuptova atë zë. Kur u afrua pranë meje, kur ja i Dërguari i Allahut s.a.v.s, i cili thoshte: ‘Dije Ebu mes’ud! Dije Ebu Mes’ud!’ E hodha kamxhikun nga dora ime dhe më tha: ‘Dije, Ebu Mes’ud, se Allahu është më i fortë prej teje se ti ndaj këtij robi.’ Atëherë thash: Pas këtij kurrë më nuk do të rrah ndonjë rob tjetër. Thash: O i Dërguar i Allahut, ai është i lirë për hir të Fytyrës së Allahut, ndërsa ai më tha: ‘Nëse nuk do ta liroje, do të kishte djegur Zjarri’.” (Muslimi)

Më i habitshëm është fakti se disa prej tyre flasin për emancipim dhe zhvillim, ndërkohë që shkelin të drejtën e punëtorit dhe hanë djersën e tij.

O ti vëlla! Nëse flet për emancipim, ndërsa nga ana tjetër shkel të drejtën e dikujt, atëherë ti nuk e ke kuptuar se s’është emancipimi!

Nëse ti flet për zhvillim dhe përparim apo prezanton ndonjë vlerë të kësaj feje, ndërsa nga ana tjetër ha djersën e punëtorit, ti në realitet nuk e ke perceptuar siç duhet emancipimin dhe të janë pështjelluar gjërat.

Vazhdon…

Dibër, 02.03.2021