Nëse nuk keni turp, bëni çka të doni

Mr. Nasuf ef. Strikçani

Po e filloj këtë temë me thënien e profetit Muhamed a.s.: Nëse nuk turpërohesh, bëj çka të duash(Transmeton Buhariu). 

Tema që do shtjellojë, është aktuale në çdo kohë dhe në çdo vend, e veçanërisht sot që rrezikohet morali i njerëzve.

Allahu, ne besimtarëve, na ka pajisur me ndjenjën e turpit. E kemi te obliguar që të stolisemi edhe me dy cilësitë e popujve te Musait dhe Isait a.s. siç janë: guximi dhe shpirtmadhësia. Por në fund, edhe me cilësinë që është karakteristikë e myslimanëve, e ajo është turpi. Kur është pyetur Muhamedi a.s. për moralin, ka thënë: Çdo fe e ka moralin e saj, kurse morali i Islamit bazohet në turp (hadith hasen). 

Dijetari islam Ibën Kajjimi thotë: Turpi radhitet mes cilësive apo moraleve më të larta, sepse turpi është shkak dhe motiv i shumë veprave të lavdëruara, për shembull: fëmija e respekton prindin për shkak të turpit; nikoqiri e nderon mysafirin për shkak të turpit, punëtori i zbaton urdhrat e punëdhënësit, për shkak të turpit, etj.

Hadithi i parë, bazë e temës “Nëse nuk turpërohesh, bej çka të duash” tregon që kjo liri është qortim, gjykim dhe dënim, gjithashtu ndalesë e jo-moralit dhe assesi lejim që njeriu të bëjë çka të dojë nga mëkatet (gabimet). Në të njëjtën mënyrë mundemi të komentojmë pjesën nga ajeti i 40 i sures Fussilet ku forma e imperativit (urdhërit) shfrytëzohet me kuptim të ndalesës apo gjykimit dhe dënimit, ku Allahu xh.sh. thotë: E ju pra veproni si të dëshironi, e ta dini se Ai sheh atë që punoni… 

Nëse e analizojmë mirë, fjala turp (mbare), në gjuhën arabe theksohet si Hajau dhe ka rrënjën e njëjtë të fjalës Hajatun (jetë). Kjo do të thotë se nëse zemra e njeriut ka turp, ajo tregon se ajo zemër është e gjallë. E kur njeriu do ta humbë turpin, bëhet pa vlerë dhe i pa shpirt. 

Zemrat e myslimanëve kanë nevojë të shpirtërohen (re-animohen), për shkak se kanë ndaluar së turpëruari dhe pyetje është se a do të kthehen në jetë. Në këtë kontekst, do të theksojë edhe disa tipare të cilat janë të lidhura ngushtë me turpin, e që janë traditë apo sunet  i gjithë profetëve. Fatkeqësisht, sot rinia janë duke i anashkaluar dhe keqpërdorur këto tipare, për të cilat Muhamedi a.s. ka thënë: Katër janë nga sunetet (traditat) të profetëve: turpi, parfumosja (pastërtia-pedanteria), misvaku (pastërtia e gojës) dhe martesa (familja). 

Sot, duhet të na brengosë rinia që haptas përhap amoral, e më shumë brengosëse është gjendja e prindërve, mësuesve dhe profesorëve të tyre, të cilët këto vepra amorale nuk i vëzhgojnë dhe nuk marrin përsipër ndryshimin dhe përmirësimin e rinisë. 

Në fund, të lutemi dhe të reflektojmë të gjithë me vepra, që së pari të jemi të sinqertë në besimin (imanin) tonë dhe këtë ta vërtetojmë në praktikë. Pra, ndjenjën e turpit ta bëjmë cilësi të njohur të vetes, familjes dhe të tjerëve. Sepse në fund të fundit ndjenja e turpit është Sunet (praktikë) e Muhamedit a.s., dhe mbi të gjitha të garojmë në punë të mira, që të arrijmë sukses në të dy jetët. 

Dibër, 17.03.2021