Ambasadori i Republikës së Turqisë vizitoi Dibrën!

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut z. Hasan Mehmet Sekizkök dje vizitoi qytetin e Dibrës teksa u prit nga Myftiu i Dibrës Reshat ef. Kaçallniku. Myftiu si nikoqir falënderoi prezencën e ambasadorit dhe i shprehu mirënjohje për çdo kontribut të shtetit turk, me theks të veçantë Agjencinë Shtetërore për Zhvillim TIKA, për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kulturore, historike dhe Islame në vend.

Bashkërisht vizituan xhaminë e Hynqarit, e cila është ndërtuar në vitin 1468 me urdhër të Sulltan Mehmedit të II-të. Në takim u theksua se kjo xhami, ka vlera të mëdha jo vetëm fetare, por edhe kulturo-historike. Xhamia ndryshe quhet edhe Xhamia Mbretërore dhe është në listën e objekteve nën mbrojtjen e ligjeve të monumenteve, por që me një projekt që duhet ta realizojë Agjencia Shtetërore për Zhvillim të Qeverisë Turke – Tika, pritet të shndërrohet në xhami sikurse ka qenë në fillimin e saj – të ketë një restaurim profesional. Duhet theksuar se në oborrin e xhamisë janë varrezat e shumë personaliteteve dibrane, mes të cilëve edhe varret familjare të familjes Hoxholli, familja e njohur feudale që ka sunduar Dibrën për më shumë se dy shekuj, respektivisht nga viti 1619 deri në vitin 1863.