Imam: Orhan ef. Zengo
Të nderuar vëllezër!
Kjo botë (dynjaja), për ne është një vendqëndrim i përkohshëm dhe kalimtar. Allahu Fuqiplotë në esencë, nuk na ka krijuar neve për këtë botë, por botën e krijoi për neve. Është mësa e qartë se robi i Zotit, njeriu, duhet të jetojë në këtë botë. Ai e ka patjetër ti mbulojë të gjitha nevojat e veta, por ai për asnjë arsye nuk duhet të harrojë për çfarë është krijuar dhe cili është qëllimi i tij kryesor.
O njeri!
Ti je krijuar që në këtë botë të fitosh botën tjetër (ahiretin). Mund ta posedosh tërë botën dhe çka ka në të. Pse jo, puno që të kesh dhe posedosh pasuri pa asnjë problem, por nuk guxon të lejosh që kjo botë ta errësojë zemrën tënde dhe ta sundojë atë me koprraci e egoizëm. Kjo botë nuk duhet të jetë synimi apo qëllimi kryesor i jetës tënde sepse kështu, jeta jote nuk do të ketë asnjë lloj vlere.
Nëse do të jetosh vetëm për këtë botë, do të humbasësh në të dhe nuk do të kesh asnjë dobi prej saj dhe në të njëjtën kohë do ta humbasësh edhe botën tjetër (ahiretin). Allahu Fuqiplotë nuk kërkon nga shërbëtori i vet më tepër sesa është e përballueshme për të.
O njeri!
Nëse e kërkon dynjanë me ngulm, dije se Allahu atë mund të ta jep, por Ai njëkohësisht të thotë:
“O njeri, mos më harro Mua; Mos më nxjerr nga zemra jote; Mos lejo që me veprimet e tua, të braktisi zemrën tënde”.
Kudo që të shkosh, çka do që të bësh, shko duke pasur Allahun në zemër. Mbaje atë fortë në zemrën tënde dhe pastaj shko ku të duash, ec lirshëm në tokën e Tij, merr çfarëdo pozite që tët jepet, kjo tashmë nuk paraqet asnjë problem. Në anën tjetër, nëse nuk e ke Allahun në zemër, madje edhe për një çast të vetëm, ka rrezik që gjithçka që e posedon mund ta humbasësh. Andaj kujdesu mirë që ta ruash këtë baraspeshë, gjegjësisht të jetosh në këtë botë, por të mos e harrosh botën tjetër.
Shembull më të bukur për këtë që thamë kemi jetën e Muhamedit a.s.. Edhe ai (a.s.) ishte njeri si ne të tjerët, por dashuria e vetme e tij ishte Allahu Fuqiplotë. Çdo gjë tjetër përveç kësaj dashurie sublime kishte vlerë më të ulët. Edhe ai, jetoi në këtë botë si të gjithë ne. Afër tij jetonin njerëz të pasur, pranë tij vinin pushtetarë të suksesshëm, por sjellja e tij karshi tyre nuk ndryshonte, ngase pasuria dhe pushteti i tyre nuk ndikonte aspak në zemrën e tij. Madje edhe në mesin e shokëve të Muhamedit a.s. kishte njerëz të tillë, por sahabët asnjëherë s’kanë lejuar që dashuria e tyre ndaj kësaj bote të tejkalojë dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit e Tij. Kur ka qenë në pyetje Muhamedi a.s., shokët e tij, çdo gjë kanë lënë mënjanë sepse dashuria ndaj tij (a.s.) çdoherë ka ngadhënjyer.
Atëherë si rrjedhojë, parashtrojmë pyetjet: Si do të ecim në këtë botë dhe si do të veprojmë në përplasje me sfidat dhe sprovat e saj?
Do të veprojmë ashtu siç vepronte Muhamedi a.s.. Mund të posedojmë çdo gjë, pasi këtu nuk ka asgjë të keqe, por nuk duhet të lejojmë që të dashurohemi me këtë botë më shumë sesa dashuria që duhet ta kemi për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Në të kundërtën, çdo gjë në jetën tone do të jetë pa kuptim. Nëse e harron Allahun dhe të Dërguarin e Tij, çdo gjë që do bësh, çdo gjë që do veprosh, do ta humb vlerën dhe hijeshinë e saj. Prandaj kujdesu për këto gjëra të rëndësishme në jetën tënde kalimtare.
Sigurisht se do të jesh i sprovuar në këtë botë dhe sigurisht se do të kesh dobësitë e tua, por duhet të vetëdijesohesh. Ti kthehesh Allahut xh.sh. dhe ti kërkosh Atij falje dhe shpëtim. Ji i sigurtë se kur do ti drejtohesh Allahut me lutje të sinqertë, Ai gjithsesi se do të ta lehtësojë.
Vepro, puno në këtë botë sa të duash, por dije se do të fitosh vetëm atë që të është caktuar (si rizk). Andaj energjinë tënde mos e harxho krejt për këtë botë, por bëj kursime prej saj edhe për botën tjetër. Në fund të fundit, vetëm atë që kursen për botën tjetër, atë do ta gjesh.
Kjo rrugë dhe këto sprova na presin të gjithëve, andaj e lusim Allahun xh.sh. të na bëjë të nderuar në këtë botë dhe në botën tjetër na i ndriçoftë fytyrat me dritën e Imanit.
Amin!