Vlera e muajit Rexhep

Shkruan: Orhan Zengo

Vende dhe kohëra të caktuara janë dalluar mbi të tjerët, madje kanë edhe cilësinë e të veçantës dhe të shenjtës. Ata e kanë fituar këtë vlerë sepse Allahu xh.sh. ua ka dhuruar, e atë që Allahu e dhuron nga mëshira e Tij e pakufishme, ajo ka plotë urtësi dhe dobi për njeriun që ka dije dhe devotshmëri.

Ditët, netët dhe muajt e shenjtë kanë vlerë të veçantë dhe mirësi të shumta.  Ndërmjet muajve të cilat Allahu i ka dalluar mbi të tjerat janë tre muajt: Rexhebi, Shabani dhe Ramazani. Brenda këtyre muajve gjinden katër netët e bekuara, ata janë: Lejletur-Regaib (Nata e shpresës), Lejletul Mi’raxh (Nata e ngritjes), Lejletul Berat (Nata e faljes) dhe Lejletul Kadr (Nata e zbritjes). Këta netë janë te bekuara dhe të veçanta me begatitë dhe mirësitë e Allahut për besimtarët myslimanë.

Gjithashtu, tre muajt e lartpërmendura janë të përmbushur me begati dhe mirësi të shumta, të cilat na i dhuron i Madhi Allah. Kjo periudhë kohore paraqet për myslimanin kohë e begatë për rilindje shpirtërore, lirim nga mëkatet, pastrim i shpirtit dhe fitim i shpërblimeve të mëdha. Pejgamberi a.s. ka thënë: Muaji Rexheb është muaji i Allahut, Shabani është muaji im, ndërsa Ramazani është muaji i popullit (umetit) tim” (transmeton Sujutiu, në Xhamius-Sagir).

Pejgamberi a.s. u ka dhënë rëndësi të madhe këtyre muajve, duke na kujtuar se periudha e muajve Rexheb dhe Shaban është kohë për të përgatitur zemrën dhe shpirtin që të përfitojmë nga mëshira dhe begatia e muajit Ramazan. Lutjet të cilën e bënte i Dërguari i Allahut dhe na e porositi ta bënim edhe neve, më së miri flet për të vërtetën  e thënë më lartë. Ai na porositi që të lutemi në këtë mënyrë:

“O Allahu im! Na e bën neve të begatë muajin Rexheb dhe Shaban dhe na mundëso ta arrijmë muajin e Ramazanit (Transmeton Ahmed ibn Hambeli).

Fjala “Rexheb” është nga gjuha arabe dhe ka kuptimin “i madh”, “i madhërishëm”, etj. Ky muaj në kulturën Islame ka një vend të rëndësishëm dhe është njëkohësisht njëri nga katërt muajt e shenjtë në të cilën ishte e ndaluar lufta. Para ardhjes së Islamit, me ardhjen e muajit Rexheb, fiset arabe i braktisshin armët e tyre dhe e shpallnin luftën si të ndaluar. Në këtë muaj, të gjithë ndjeheshin të sigurtë. Me ardhjen e Islamit, respekti ndaj këtij muaji do të vazhdojë edhe më tej. Një nga komentatorët e vjetër të Kur‘anit, Katadeja, rreth kësaj ka thënë: “Shpërblimi për punët e mira në këto muaj është më i madh në krahasim se muajt e tjerë. Por edhe dënimi për padrejtësitë dhe mëkatet në këtë muaj është gjithashtu më i lartë.”

Kur u pyet i Dërguari i Allahut pse ky muaj (Rexheb) quhet muaji i Allahut, Ai u përgjigj:

“Sepse është muaji në të cilin Allahu xh.sh. falë shumë; Në këtë muaj është ndaluar lufta; Është muaji kur Allahu pranoi pendimin (teuben) e Pejgamberit dhe e mbrojti atë nga armiqtë e tij”.

Në këtë muaj të bekuar, pra në muajin Rexheb, siç potencuam, gjinden dy netët e bekuara në të cilën gjendet mëshirë dhe mirësi e madhe për myslimanët, ata janë: Nata e dhuratës, shpresës, dhuntisë së madhe, e quajtur Lejletur-Regaib, që është në natën e xhumasë së parë të muajit Rexheb; dhe nata e Miraxhit, e cila është në natën e 27 të muajit Rexheb, e kjo natë është nata e lartësimit dhe takimit të Pejgamberit a.s. me Allahun xh.sh..

Agjërimi vullnetar në muajin Rexheb ka vlerë të madhe. Pejgamberi a.s. duke na nxitur për këtë, na thotë:

“Kush do të agjërojë një ditë (të muajit Rexheb), do të fitojë shpërblimin sikur me e agjëruar tërë vitin. Kush agjëron shtatë ditë, për të do të mbyllen shtatë dyert e Xhehenemit. Kush agjëron tetë ditë, për të do hapen tetë dyert e Xhenetit. Kush agjëron 15 ditë, nga qielli do ti përgjigjet një zë dhe do ti thotë: Të janë falur të gjitha mëkatet nga e kaluara. Çdo e keqe të është shndërruar në të mirë. Andaj tani shko dhe vepro punë tjera të mira” (transmeton Bejhekiu).

Allahu na ndihmoftë që ti vlerësojmë këta muaj siç duhet dhe të fitojmë prej begative dhe mirësive të tyre. Amin.

Dibër, 15 shkurt 2021.