Nuk ka dhunë në fe

Myfti Reshat ef. Kaçallniku

Mbështetur në Fjalën e Allahut të Lartë madhëruar, përmes këtyre fjalëve modeste, do tentojë të paraqes mrekullinë e zgjerimit të diapazonit të mendjes së njeriut.

Bazua në premisën se mendja njerëzore ka nevojë për një rregullator i cili kalon mbi kufijtë e ndjekjes së dëshirave të sëmura dhe epsheve të pashërueshme, njeriu shpesh herë, duke u ndikuar nga praktika e ndonjë udhëheqësie shtetërore të caktuar, është mësuar të flas shumë, e në anën tjetër të punojë vetëm për ta pëlqyer të tjerët. E gjithë kjo në veprimtarinë njerëzore krijon një ambalazh hipokrizie e cila nuk ka stabilitet, nuk ka lëvizje përparimtare, e nuk sjell ndonjë shpresë të shëndetshme.

Ka veti të lindura bashkë me njeriun që besimi Islam vetëm se zgjedh mekanizma të ndryshme për ti ruajtur në natyrën e njeriut, sepse shoqëritë janë skajshmërish të materializuara, ndjekësit e epsheve dhe faktorët rrethanor e dëmtojnë thellë shpirtin, formimin, qëllimin dhe veprimin e shëndoshë të njeriut.

Allahu xh.sh. thotë në Kur’anin Famëlartë: “E kemi porositur njeriun që të sillet mirë me prindërit e tij, por nëse ata insistojnë që ti ndjekësh ata duke i shoqëruar Zotit diçka për të cilën nuk ke dituri, mos i ndjek ata” (Sure Ankebut: 8).

Allahu xh.sh. ka mbjellur në shpirtin e njeriut mëshirën dhe respektin ndaj të moshuarve. Nëse analizojmë më thellë, të gjithë pleqtë janë edhe prindër të dikujt. Andaj nëse ne i njohim dhe i respektojmë si të tillë, atëherë natyrshëm kujdesi institucional ndaj tyre, për gjithçka ata kanë nevojë, duhet të jetë maksimalisht i garantuar. Andaj duhet theksuar se për shkak të moshës së tyre të thyer, ata nuk duhet ti shohim të enden nëpër zyrat shtetërore, për gjërat elementare dhe nevojat e tyre. Ndërsa në anën tjetër, bërja politikë me këtë moshë, duke i nxjerrë nëpër spote publicitare nga politikat destruktive, flet për një mendësi të dobët, ndjesi të sëmurë, komercializëm dhe zhbërje e respektit ndaj tyre.

Urtësia tjetër e këtij ajeti Kur’anor na bën me dije se brezat e ri duhet të kenë lirinë e zgjedhjes. Prindërit nuk duhet ta shfrytëzojnë dashurinë që fëmijët ndjejnë pa, për ti orientuar bijtë e tyre drejt besimit të verbër të parëve të tyre. Paramendo çka do kishte ndodhur nëse do ti orientonim të rinjtë të na binden dhe nënshtrohen dhe të mendojnë ashtu siç mendojmë edhe ne, nëse paraprakisht nuk ju sjellim argument të qartë! Kjo do ishte një fatkeqësi e madhe, por edhe llogari për ne para Allahut nëse do kishim guxuar të cenojmë më të shtrenjtën e Islamit, që është liria e zgjedhjes.

Këtë mesazh më së miri duhet ta kuptojë politika e cila me pasivitetin e vet të sëmurë, me shfrytëzimin e gjendjes ekonomike të paqëndrueshme, më tepër krijon rini të ndarë dhe të politizuar, sesa një rini e lirë, e pavarur dhe e përfaqësuar nga argumenti lëndor, i prekshëm dhe i dokumentuar.

Idhujtaria (imitimi dhe nënshtrimi i dhunshëm) nuk ka argument as në besim, as në shkencë. Tentativa e të moshuarve për ti kthyer të rinjtë në rrënjët e të parëve të tyre pa argument, është vetëm këmbëngulje në imitim të verbër. Kjo dhunë nuk i kontribuon lirisë, zhvillimit, mendimit bashkëkohor. Nëse sot dikush tradhtinë e quan dashuri, shfrytëzimin e tjetrit zotësi, zgjedhjet manipuluese fitore,  frikën fe, diplomimin shkollim, kjo është zhvendosje e diçkaje në vendin jo meritor.  

Dibër, 16 shkurt, 2021.