Muaji i paqes dhe dashurisë vëllazërore

Mr. Nasuf ef. Strikçani

Jemi duke jetuar në ditët më me vlerë të vitit, në cilat shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet, ndërsa falja për veprat e dobëta është edhe më e madhe. Gjithashtu janë ditë të cilat na japin sihariq për ardhjen e muajit më me vlerë të vitit, e ai është Muaji i Ramazanit. Janë ditët në të cilat besimtari fillon të përgatit fizikun dhe shpirtin e tij për pritjen e adhurimit madhështor siç është agjërimi në Muajin e Ramazanit. Çdo mysafir që vjen është rregull fetar dhe njerëzor që të respektohet ardhja e tij, kështu që edhe ne si besimtarë duhet që të respektojmë këtë mysafir shumë të çmueshëm, sepse respekti ndaj këtij mysafiri është begati dhe mirësi shumë e madhe. Për këtë na ka mësuar Mësuesi i gjithë njerëzimit, Muhammedi a.s., që në fjalën e tij thotë: “Respektoni Rexhebin, do t’ju respektojë All-llahu me njëmijë mirësi Ditën e Llogarisë”

Respekti më i mirë që mund të manifestohet ndaj këtij muaji, çfarë mund të jetë tjetër sesa agjërimi i disa ditëve në të, pra ne si besimtarë sakrifikojmë nga vetja jonë duke agjëruar vullnetarisht disa ditë në muajin Rexheb. Pas çdo sakrifice për besimtarin pasojnë begatitë e All-llahut xh.sh., pra edhe pas agjërimit vullnetar në këtë muaj të zgjedhur nga All-llahu, do të ketë shumë shpërblime për agjëruesin, ku ne do të përmendim vetëm se disa prej tyre që janë të evidentuara në fjalët profetike ku thuhet: “Nëse një njeri agjëron në Rexheb, Allahu e shpërblen me tre gjëra:

  1. Ia fal gjynahet e mëparshme;
  2. E mbron prej gjynaheve në pjesën e mbetur të jetës; si dhe
  3. E mbron nga etja në Ditën e Mahsherit (në Ditën e nxehtë të llogaridhënies)”.

Muaji Rexheb bën pjesë në katër muajt që në literaturën e fesë njihen si muajt e ndalesës (Dhul Kade, Dhul Hixhe, Muharem dhe Rexheb), pra muaj në të cilat është e ndaluar edhe lufta. Ky rregull ka vlejtur edhe për kundërshtarët e Islamit, që don të thotë që në këto muaj myslimanët dhe Islami nuk kanë qenë të sulmuar nga armiku. Nga kjo mësojmë që nëse lufta dhe sulmi ndaj Islamit dhe myslimanëve është i ndaluar edhe nga kundërshtarët e Islamit, atëherë ne si myslimanë të japim mesazhin ndaj njëri-tjetrit, që në të gjithë muajt e vitit, por sidomos në këtë muaj, mos luftojmë dhe mos urrejmë njëri-tjetrin në bazë ideore, morale, fetare,  etj. Mu për këtë mund të konkludojmë që ky muaj është muaj i paqes.