Pesimizmi nuk ka hise në qenien e besimtarit

Ligjërata e ditës së Xhuma nga Myftiu Reshat Kaçallniku

Të nderuar vëllezër! Të nderuar besimtarë! E nderuara rini e këtij vendi. Falënderimet e para me fjalën El Hamdu Lilahi i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar, Krijuesit, Sunduesit, si dhe Furnizuesit të mbarë krijesave. Përshëndetjet e sinqerta dhe të përzemërta qofshin mbi shpirtin e pastër dhe fisnik të Muhamedit s.a.v.s.. Paqja, mëshira, bereqeti dhe rahmeti i Allahut Dhul-Xhelal qoftë mbi mbarë njerëzimin dhe veçanërisht mbi ata të cilët me sinqeritet dhe përkushtim të plotë bëjnë përpjekje për ti dhënë shpirt adhurimit të tyre, për të dhënë shpresë në profesionin e tyre, për të kryer amanetit në detyrat e tyre. Për të udhëzuar njëri-tjetrin në atë çka është e mirë, e dobishme dhe në interes të përgjithshëm; dhe për të ndaluar nga çdo vepër jo humane, jo njerëzore, jo efektive, jo serioze, jo familjare, jo kulturore. Për të ndaluar nga gjithçka që nënçmon qenien tonë, shpirtin tonë, familjet tona, shoqërinë tonë, dhe për të bërë të tilla veprime të cilat me të vërtetë na japin krenari të qenurit besimtarë myslimanë.

Vëllezër të nderuar! E them me bindjen më të plotë, askush nuk ka të drejtë ti tregojë tjetrit sa ai di, nëse me atë çfarë di së pari nuk punon vetë. Askush nuk ka të drejtë ti tregojë tjetrit sa i devotshëm është, nëse devotshmëria e tij së pari nuk do të reflektojë pozitivisht, nuk do të jep energji pozitive, nuk është si një ilaç qetësues në familjen e tij. Është i mangët ai i cili flet në gjuhën profetike të Pejgamberit s.a.v.s. kur e dimë se cilësia më e dalluar e Pejgamberit s.a.v.s. është ajo e cila është e regjistruar në fjalën Hyjnore, e thënë qartë, bukur, rrjedhshëm, prerë: “O Muhamed, o i Dërguar, o Pejgamber, o i dashuri im, o i zgjedhuri im, o mëshirë për mbarë botën, o vulë e profetëve, o shpresa deri në ditën e Kiametit, o i dashuri dhe i njohuri tek ata që të besojnë dhe të ndjekin, por edhe tek ata që janë mendje ngritur që edhe pse nuk të besojnë, fjalë miradije për ty shkruajnë. Për këtë Pejgamber, i quajtur Muhamed, Allahu i Lartë madhëruar thotë në Kur’an për cilësinë e tij të brendshme dhe shpirtërore: “O i Dërguar, a do ta shkatërrosh veten tënde se të tjerët nuk e duan udhëzimin? Pse ata nuk duan të përmirësohen? A do të shkatërrosh vetveten pse besimtarët në përgjithësi dhe njerëzit e tjerë në veçanti nuk i ndajnë përgjegjësitë e punëve të veta”?
A nuk ka thënë Pejgamberi s.a.v.s. se të largosh diçka nga rruga është adhurim? A mund të ecësh më dinjitetshëm, më i pastër, më i bukur, më i kulturuar, më i ngritur dhe më fjalë ngritur? A mund të bëhesh shembull qytetërimi në qytetin tënd? Nëse je në një institucion të caktuar, a mundet punët ti realizosh në kohën e duhur, e jo ti zvarrisësh për dy muaj, për tre muaj, e kështu me radhë?
A mund të bëhesh besimtar i devotshëm edhe nëse sheh dikë që ndoshta është i detyruar që të shesë ndonjë haram, të ndjesh keqardhje në shpirtin tënd, në qenien dhe zemrën tënde për të dhe të thuash duke u lutur: “O Zot, mundësoja vëllait tim që të ketë një biznes të mirë, të fuqishëm. Të ketë ekonomi të shëndoshë, ti falash sukses në punën e tij, që unë nesër të kaloj me punë te ai”.
A nuk tha një nga shokët e Pejgamberit s.a.v.s.: “Unë i kam do cilësi, që edhe pse të tjerët më shajnë, unë i kam bërë pjesë të vetes dhe qenies sime. Ndoshta ju dukem i keq, i pa pranueshëm, jo i devotshëm, jo serioz, por Vallahi po e them diçka që e kam në zemër. Kur bie shi unë çdoherë gëzohem! Gëzohem edhe pse nuk kam bafçe të mbjellur por e di se ka vëllai im, prandaj unë them: O Zot, me këtë mëshirën Tënde, fal bereqet në bahçen e vëllait tim sepse unë do ta shfrytëzoj verën duke u punësuar te ai”.
O vëllezër të nderuar! Në ato momente që njerëzit do ti shihni se gjykojnë të tjerët pa argument, nga mllefi, xhelozia, inati, përtacia, apo e kanë model të jetës që të merret me tjetrin dhe jo me veten, ata për veti janë gjina, Vallahi gjina!
I shkoi një njeriu të devotshëm një besimtar dhe i tha: “O filan, shumë po flasin keq për ty. Në anën tjetër, mua më vjen keq, unë ty të dua, ngase ti je i devotshëm, i ndershëm, i përkushtuar, je adhurues, i sinqertë, je njeri i sexhdes, i abdesit, i përkushtimit, i adhurimit”. A e dini si ja ktheu përgjigjen i devotshmi? “Vëllai im, nëse më njeh si të tillë, a më ke dëgjuar ndonjëherë të merrem me ata”? Asnjëherë, ja ktheu! “Atëherë vëllai im, e ke ngatërruar konceptin. Le të vije keq për ato dhe jo për mua”.
Të nderuar vëllezër! Përfundimisht e them, Kur’ani është Libër frymëzimi, është burim udhëzimi, mirëpo mbajeni mend këtë fjalë: Në një zemër ku futet interesi dhe hipokrizia, sado që të dish, sado që të flasësh, çfarëdo që të predikosh, mbetet vetëm fjalë, ngase tek Allahu është më e urrejtur të thuhet ajo që nuk punohet. Fjala e Allahu të Lartë madhëruar nuk mund të qëndrojë në zemrën e atij që flet në gjuhën e autoritetit, në gjuhën e interesit, ose kushtimisht të themi në gjuhën e intelektualizmit të kotë.
Allahu i Lartë madhëruar, i përzgjedh dy momente të caktuara nga historia e Merjemes s.a. që do ti shkëpusim nga vet sureja Merjem, dhe po ua sjellim njerëzve.
Para së gjithash, o mysliman, oj rini e nderuar! Harroje se ka të drejtë hoxha të flet ashtu siç ti teket dhe ti kujtohet atij. Harrojeni se mund të interpretohet fjala e Allahut të Lartë madhëruar pa i qarë dertin, hallin dhe pa u mundësuar një rrugëdalje tjetër, duke u mbështetur në fjalën e Allahut dhe shëmbëlltyrës profetike të Pejgamberit s.a.v.s.. Harrojeni se Muhamedi s.a.v.s. ka bërë ndonjë vepër në jetën e tij, e që nuk ka reflektuar së paku me pendim, me ndryshim, me vetëdijesim te vëllai i tij. Harrojeni se do ta keni argument shpëtimi, drite dhe dëshmie namazin tuaj, nëse ky namaz nuk është si namazi i Shuajbit a.s. kur i thanë populli i tij: “O Shuajb, kur të shesim në treg, mos të jesh aty prezent”. Ne e kemi kuptuar se sexhdeja jote dhe namazi yt, kur ti del te tregu, po na thotë neve: “Mos i mashtroni të tjerët”. Ne këtë namaz nuk jemi në gjendje ta bëjmë andaj të lutemi që mos të shohim as ty! O njerëz ky është namazi që e duam, këtë sexhde, adhurim, përkushtim dhe kuptim e duam.
Merjemja s.a. në një rast u bë shembull shprese, e në një rast tjetër shembull dëshpërimi, nga kuptimi i saj. Ajo jetoi në një popull që materia u kishte hyrë në shpirt, në qenien e tyre, saqë nuk dinin të mendonin jashtë materies, dhe njerëzit i vlerësonin sipas të mirave materiale që ato i kishin, jo nga shpirti, qenia, devotshmëria, adhurimi, sinqeriteti, përkushtimi i tyre, por nga ajo që kishin në duart e tyre, që fatkeqësisht edhe sot më shumë flasim me gjuhën e forcës sesa të argumentit, të drejtës, por kjo është një temë e posaçme që do ta shtjellojmë në ndonjë hutbe tjetër.
Të nderuar vëllezër! Merjemja s.a., nëna e Isait a.s. në një rast tha: “O Zot, e dëshiroj vdekjen sesa të dali para popullit, me këtë fëmijë të porsalindur”. Edhe kjo ishte myslimane, ishte besimtare, adhuruese, saqë për këto karakteristika Allahu xh.sh. e përmend në Kuran. Duke mos e ditur Merjemja s.a. se në duar e saja kishte mrekullinë e Allahut të Lartë madhëruar, pra kishte Isain a.s.. Kjo Merjeme që dëshiroi vdekjen, madje ekzistonte diçka më tepër se kjo kur tha: “Dëshiroj që as emri mos më përmendet, as për të mirë dhe as për të keqe. Emri Merjem mos të ekzistojë kurr në mendjen e njerëzve”. Kurse kjo grua vetëm një punë duhej të bënte, asgjë më shumë, gjegjësisht, kur të dali para njerëzve vetëm të tregojë gishtin tregues nga foshnja e saj, Isa a.s. dhe do shfaqej mrekullia e Allahut. Ajo që e dëshironte vdekjen, mrekullinë e kishte në duart e veta. Andaj njerëzit që ankohen sot, vëllezërit e vet i kanë nëpër pozita, vetëm duhet ta kuptojnë se ne jemi vëllezërit e tyre, edhe ne duam të jetojmë si familjet e tyre, edhe ne duam të punojmë se fëmijët e tyre, edhe ne duam të shkollohemi në shkollat prestigjioze si fëmijët e tyre, asgjë më tepër. Edhe ne duam po aq të drejta sa kanë të tjerët, asgjë më tepër. Edhe ne duam një qytet më të bukur, më të rregulluar, siç kemi parë në vendet tjera, qoftë edhe 50% e tyre, asgjë më tepër. Thënë thjeshtë, pesimizmi nuk ka hise në qenien e besimtarit, nëse besimtari është i realë, në atë çfarë kërkon, kontribuon, dhe ai që kontribuon, bëhet i sinqertë dhe e kthen në mirëqenie, atë çfarë besimtarët dhe qytetarët e japin për vendin e tyre.
Dhe e dyta, po kjo Merjeme s.a. që dëshironte vdekjen, në një rast tjetër, një profet i quajtur Zekerija a.s., duke qenë kujdestar i saj, futet në dhomën ku qëndronte ajo dhe i thotë: “Oj Merjeme, prej nga ky ushqim? Nëse unë jam ai që kujdeset për ty, prej ku të erdhi ushqimi”?
Këtu ka një mësim shumë të çmuar! Merjemja s.a., ishte një grua e devotshme, ndërsa Zekerija a.s. ishte kujdestar i saj. Edhe pse Merjemja ishte e devotshme, ai i tha: “Oj Merjeme, prej nga të erdhi ushqimi”?
Të nderuar vëllezër! Shumë më të pasur jemi dhe do jemi nëse çdo kush mban përgjegjësitë e veta. Unë te fëmija im për cilësitë e tij, fjalët, sjelljen e tij, për raportin e tij me shkollën, studimin, me mësuesin, profesorin, dhe ju për tuajt. Më së paku në qytetin tonë vitin që kaloi ka patur 40 raste falsifikimi për të marrë të drejtën e tjetrit, dhe fatkeqësisht një prej atyre është edhe dikush që i bie në sexhde Allahut të Lartë madhëruar. Fatkeqësia tjetër është që në këtë qytet ka pasur 6 raste, tendenca apo dëshirë për të shkelur dikë, vetëm e vetëm për tu treguar më burrë, më i mençur, për tu krekosur se e mundi tjetrin, e poshtërojë atë, e sundon ligjin, e kontrolloj institucionin, etj.. E them me përgjegjësinë më të madhe se vitin e kaluar kemi patur 20 raste të djemve të cilët kanë marrë autoritetin, forcën, guximin me i rrah prindërit e vet. Fatkeqësia më e madhe është se ka prej tyre që falin edhe pesë kohë namaz.
Mos vëllai im! Mosni dibranët e mi! Nuk na kanë hije këto punë. Këto gjëra i them për një arsye të vetme, jo për ti shpikur, jo për të nënçmuar dikë, sepse në këtë rast, kam nënçmuar veten, por vetëm për ta thënë të vërtetën, sepse duhet bërë më shumë punë me veten, më shumë të punojmë me fëmijët tonë, me familjet tona, të kemi raporte më relaksuese, më njerëzore, më dinjitoze, më Kur’anore, me Profetike me fëmijët tanë. Kur e kërkon sexhden, kërkoje edhe atë çfarë thotë Allahu i Lartë madhëruar në Kur’an: Kënaqësia e Allahut dhe hidhërimi i Allahut është tek kënaqësia dhe hidhërimi i prindit tënd. Nuk ka kuptim as abdesi, as namazi, as gusulli, as tejmumi, as sexhdeja, as sabahu, as jacia, as thirrja në Islam, nëse babai ka frikë se po i shkon djali në shtëpi dhe i sjell shpinës së tij. Vallahi nuk ka kuptim.
Ata të cilët mendojnë se ekonomia e dobët i shpie në dhunë, ju them se ka me dhjetëra vende të lira pune në ndërtimtari, në zanate, që kërkojnë punëtor, sepse vijnë tek ne në Myftini dhe na thonë: “Ju lutem mos jepni më sadaka! Na shkatërruat, na humbët bizneset! Të rinjtë kanë filluar të mos punojnë sepse janë mësuar me ndihma. Ne jemi të gatshëm ti punësojmë, por ama edhe ata duhet të punojnë dhe jo të qëndrojnë nëpër celulare gjatë punës”.
Disa njerëz pretendojnë se Pejgamberi s.a.v.s. punën e parë që bëri ishte ndërtimi i xhamisë dhe këtu ndalen së foluri. Kjo s’është e vërtetë, ngase ai punën e parë që bëri ishte vëllazërimi i njerëzve, pastaj ndërtoi xhaminë dhe pastaj ua mësoi punën. Këto janë tre segmente të një zinxhiri të pa këputur, që duhet lidhur fortë dhe duhet edukuar njëri-tjetrin.
Allahu na bëftë prej atyre që sinqerisht dëshmojnë se Allahu është Një dhe tjetër nuk ka, dhe se Muhamedi s.a.v.s. është rob dhe i dërguar i Tij. Amin!

Xhamia Namazjar, Dibër, 05.02.2021