Besimi është dashuri që fshehet në zemër

Reshit ef. Mullarexha

Nuk mund ta dimë formulën magjike që do ti bashkojë besimtarët me njëri- tjetrin, ngase formula e dashurisë është e fshehur në vendin e quajtur Leuhil – Mahfudh[1], por ajo që dimë me siguri është lidhshmëria e fortë e dashurisë me zemrat tona. Për besimtarin e vërtetë, një nga çelësat e lumturisë së amshuar është ta kërkojë gjithmonë dashurinë sublime dhe të ndjejë e të dojë atë që Allahu i ka dhuruar ëmbëlsinë e shijimit të Islamit. Është shumë e rëndësishme që në bisedat me njëri-tjetrin, bashkë me kërkesën për përputhje mendimesh, të kërkohet edhe dashuria reciproke dhe harmonia apo bashkimi i zemrave.

Parashtrohet pyetja: Çfarë mund të bëjmë, nëse kemi mungesë dashurie në zemrat tona?

Në këtë rast duhet ta kërkojmë prej Allahut që të na plotësojë këtë shprastirë, sepse mungesa e dashurisë është sëmundje, është shqetësim dhe problem madhor në jetën tonë.

Profeti ynë i dashur (a.s.) duke thënë se “pa dashur njëri-tjetrin nuk mund të plotësohet besimi juaj”, ka dashur të na tregojë se kërkimi i rrugëve  për të dashur njëri-tjetrin është detyrë primare për të gjithë ne.

Por për tu kompletuar kjo dashuri me të gjitha tiparet, ajo kërkon sinqeritet dhe përshtatje të fjalëve me veprat tona. Dashuria është tipar i lindur, por me vrazhdësinë e kohës dhe jetës ajo mund të humb, prandaj duhet kërkuar atë me çdo kusht.

Një zemër e sëmurë, e mbushur me smirë dhe xhelozi, ajo lëre që nuk mund të dashurojë të tjerët, por ajo nuk e dashuron as pronarin e vet. Për të dashuruar një zemër asaj i duhet qetësi, çiltërsi dhe kthim në natyrshmëri, andaj nuk ka modul tjetër për ta qetësuar zemrën përpos nëse i japim ilaçin e besimit. Ajo kështu do fitojë qetësinë dhe do rikuperohet shpejt dhe do jetë funksionale për të dashur edhe të tjerët.

O njeri! Po të japi një këshillë të sinqertë:

Çdoherë zemrat tjera shihi si zemrën tënde, andaj mos e përkujto Allahun xh.sh. vetëm në zemrën tënde por edhe me zemrat e të tjerëve. E kjo bëhet duke u falë atyre dashuri dhe respekt!

Për fund, sado i madh të jetë shërbimi ynë për Islamin, nuk kemi të drejtë të shkëpusim lidhjet e zemrës sonë me myslimanët. Për të merituar ndihmën Hyjnore, duhet të jemi të hapur ndaj njëri-tjetrit dhe zemrat tona duhet të rrezatojnë energji dashurie që të tjerët të marrin prej saj.

O Zot! Na jep dashuri që do na ndriçojë zemrat tona. Na ruaj nga punët që të hidhërojnë Ty dhe na e bëj të mundur të përqafohemi me të gjithë vëllezërit besimtarë në horizontin e gjerë të dashurisë tënde. AMIN!

Dibër, 17 shkurt, 2021.


[1] Pllakë e ruajtur në Qiellin e Shtatë, ku ruhen dekretet e Allahut.