Muhamedi a.s. – ilaç i zemrave tona

Reshat ef. Kaçallniku

Hamza, xhaxhai i Muhamedit a.s, kur dëgjoi se Ebu Xhehli e kishte sulmuar Pejgamberin a.s., i prirur prej ndjenjave të afërsisë së gjakut, ishte prekur shumë thellë dhe e kishte goditur Ebu Xhehlin fort me hark e tij. Me një kraharor të mbushur me krenari, Hamza shkon te nipi i tij Muhamedi a.s dhe i thotë: “O Muhamed, qetësohu se e mora shpagimin për ty.” Muhamedi a.s i thotë: ”Unë s’kam punë me shpagime! -“Çfarë të qetëson ty o nipi im?!” -ja ktheu Hamza. “Unë qetësohem vetëm po u bëre ty mysliman”- Ja ktheu i Dërguari i Zotit.

Misioni që ai mbante mbi supa, nuk kishte të bëjë fare me ndjenjën e shpagimit. Muhamedi a.s. në jetën e tij kurrë nuk mori shpagime për veten e tij.

Cilësitë e tij ishin të larta, por mes tyre janë edhe këto të mëposhtmet:

  • Pejgamberi respektonte njerëzit e ditur, të çmuar dhe të virtytshëm.
  • Ai (a.s.) ishte i matur, modest.
  • Ai (a.s.) kur kuvendonte krijonte afërsi, lidhje, dashuri.
  • Ai (a.s.) nuk fliste asnjëherë pa nevojë. Kur fliste, fliste qartë, ngadalë, nuk e linte fjalën përgjysmë, fliste në mënyrë të përmbledhur dhe e përmbyllte fjalën.
  • Ai (a.s.) asnjëherë nuk hynte në debate jo frytdhënëse, jo konstruktive dhe të padobishme.
  • Ai (a.s) ulej në të gjitha pjesët e faltores, për të parënduar mitet te populli i tij.
  • Ai (a.s.) ishte “shkurorëzuar” me këtë botë edhe pse ajo i erdhi e nënshtruar nën këmbët e tij.
  • Ai (a.s.) nuk nënvlerësonte askënd dhe me këtë mënyrë ai përfitonte zemrat e njerëzve.
  • Ai (a.s) ishte i zëshëm derisa e drejta të vihej në vend.
  • Ai (a.s) kohën e ndante në tri pjesë: një kohë për ta adhuruar Allahun; një kohë për të qëndruar me familjen; dhe pjesën e fundit e linte për vete, por përsëri kohën e ndarë për vete ua kushtonte të tjerëve.
  • Ai (a.s) ishte pjesëtar i hallit të secilit.
  • Ai (a.s.) asnjëherë nuk u mor me mëkatet e pashfaqura të tjerëve.

Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë për të:

“Të pranishmit aq shumë magjepseshin me të Dërguarin a.s., saqë edhe zogjtë mund të ndaleshin mbi kokat e tyre pa u shqetësuar fare.”

Muhamedi a.s i qetësonte zemrat e tyre me këto fjalë magjepsëse: ” O besimtarë! Allahu ju mbajt në siguri! U kujdestë për ju! Ju mbrojt nga të këqijat! Ju ndihmoftë ju! Ju lartësoftë! Ju udhëzoftë! Ju ruajt nga çdo e keqe dhe e mbrojt fenë për ju!