Ligjëruese fetare: Launtina Dovolani
Në Kur’an, në ajetin e parë të sures En–Nisa (Kaptina e grave), Allahu xh.sh. thotë: “O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikëqyrës mbi ju.”
Islami urdhëron në dashuri dhe respekt ndaj gruas dhe jo dhunë, urrejtje, sharje dhe çfarëdo lloj sjellje të keqe ndaj saj. All-llahu xh.sh. thotë:
“Jetoni dhe silluni mirë me to (En-Nisa: 19).
Para se të shpallej Kur’ani Famëlartë, gruaja nuk gëzonte asnjë pozitë në jetën sociale. Ajo shikohej me përbuzje dhe nënçmim, ndërsa vajzat e porsalindura i varrosnin të gjalla në tokë, duke menduar se kur të rriten, do sjellin turp në shtëpitë e tyre dhe do fëlliqin shoqërinë. Por me ardhjen e Pejgamberit tonë Muhamedit a.s., ai (a.s.) e përkrahu gruan e shtypur dhe e shfrytëzuar padrejtësisht dhe i dha asaj një pozitë të lartë.
Allahu xh.sh. e nderoi gjininë femërore përmes Merjemes s.a., nënës e Isait a.s., madje edhe dy sure në Kur’an i ka titulluar në këtë konotacion: njëra është sureja Merjem dhe tjetra, Sureja Nisa, që domethënë sureja e gruas.
Muhamedi a.s. thotë: “Më i miri prej jush është ai i cili më së miri sillet ndaj grave të veta. Ato janë nënat e fëmijëve tanë.” Pejgamberi a.s. në një rast tjetër gjithashtu ka thënë: “Ju këshilloj që të silleni mirë me gratë. Vërtet gruaja është krijuar nga brinja dhe laku i brinjës është vlera e saj. Nëse provon ta drejtosh do ta thyesh atë.” E në një rast të tretë ka thënë: ”Besimtar më i përsosur është ai që ka sjellje të mirë dhe më i miri nga ju është ai që është më i miri me gruan e tij”. Nga ky hadith mësojmë se gruaja është krijesa tek e cila burri gjen prehje dhe qetësi.
Gruan e shohim si krijesë më të çmuar, po në të njëjtën kohë edhe më të përvuajtur. Gruaja (nëna) përkundër vështirësive të shumta, ajo kujdeset për shtëpinë e saj, për fëmijët dhe burrin, gjegjësisht, për lumturinë dhe dashurinë e burrit dhe buzëqeshjen e fëmijëve.
Tregohet se një Sahabi (shok i Pejgamberit) vjen te Omer Ibën Hatabi për t’ju ankuar për gruan e tij. Kur arriti pranë derës së shtëpisë së Omerit, e dëgjon sesi gruaja e tij ka ngritur zërin duke i bërtitur Omerit r.a. Ai në këtë çast tha me vete: “Unë erdha për t’iu ankuar për hallin që më ka rënë mua me gruan time, ndërsa Omerin e paska zënë halli vetë me gruan e tij” dhe nisi të kthehej. Omeri r.a. e vërejti atë që erdhi dhe shkoi, andaj e thirri dhe e pyeti pse veproi ashtu! Ai ja ktheu: “Unë erdha për t’u ankuar tek ti për sjelljen e gruas sime, por kur dëgjova gruan tënde se si foli me ty u ktheva”. Omeri r.a. ja ktheu: “Unë e toleroj dhe nuk ja vë re gruas sime, sepse edhe ajo ka të drejta ndaj meje:
- Ajo më ruan nga zjarri sepse tek ajo qetësohem dhe zemra ime gjen prehje duke më ruajtur nga harami;
- Ajo pastaj më ruan pasurinë time kur largohem nga shtëpia;
- Ajo përditë lanë rrobat e mia dhe nuk mërzitet aspak;
- Është edukatore e fëmijëve të mi dhe burim i dashurisë për to;
- Më gatuan dhe nuk lodhet dhe as nuk ankohet për këtë gjë”.
Sahabiu ja ktheu: “Po edhe gruaja ime i bën këta gjëra, prandaj prej sot edhe unë do të sillen me të duke e toleruar ashtu siç bën edhe ti”.
Me siguri Omeri r.a. për këtë sjellje shembullore është frymëzuar nga shumë këshilla dhe thënie Profetike të Muhamedit a.s., që mes tyre do veçojmë:
- “Ju këshilloj që secili burrë të sillet mirë me gruan e tij”.
- Është pyetur Pejgamberi a.s.: “Cili besimtar ka besimin më të plotë? Ka thënë: Ai që ka sjelljen më të mirë me gruan e tij”.
- “Vërtetë për çdo shpenzim që do të bësh në emër të Allahut, do të shpërblehesh, madje edhe për kafshatën që e vë në gojën e gruas tënde”.
- “Nëse gruaja falë pesë namazet e ditës, agjëron Ramazanin, ruan nderin e saj dhe e respekton atë, le të hyje nga cila do derë e Xhenetit të dëshiron”.
Dibër, 18 shkurt 2021.