Ëmbëlsia e të qenurit pranë Zotit – bazuar në shembullin e Davudit a.s.

Fisnik ef. Çela

Falënderimi i takon Allahut Fuqiplotë. Përshëndetjet e sinqerta qofshin për Muhamedin a.s. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin për familjen e tij, shokët e tij besnik dhe të gjithë besimtarët në Islam.

Tregon Profeti a.s në një hadith: ”Agjërimi më i dashur tek Zoti është agjërimi i Davudit. Ai agjëronte një ditë dhe ushqehej të nesërmen. Namazi më i dashur tek Zoti është namazi i Davudit. Ai flinte gjysmën e natës, falej në një të tretën e saj dhe mbështetej në një të gjashtën e saj”. (Transmton Ebu Daudi, 2248) Andaj përmes këtyre rreshtave do të përpiqemi që të krahasojmë adhurimin dhe përkushtimin e Davudit a.s me gjendjen tonë pasive.

Ditët kalojnë dhe ne angazhohemi gjithnjë e më shumë në të mirat materiale të kësaj bote. Namazi po humbet, adhurimi i natës është harruar, mund të kalojnë muaj pa i thënë lutjet (dhikrin) e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe askush nuk merakoset për këta gjëra.

A e kujton herën e fundit kur je falur me përkushtim?

Një i ri tregon: “ Kam qenë shumë i lidhur me Zotin dhe falesha me përkushtim. Pasi përfundova fakultetin, gjeta një punë, u martova dhe na lindi një fëmijë. Angazhimet familjare e kthyen adhurimin tim në rutinë. Një natë në gjumë pashë një ëndërr të çuditshme. Pash një njeri që më erdhi dhe më tha: A të kujtohet kur e ndieje ëmbëlsinë që të falte adhurimi i Zotit tënd? Po, – i thashë.  A dëshiron ta shijosh përsëri? – më pyeti. Sigurisht , – iu përgjigja unë. Atëherë ai ma hapi zemrën, vendosi diçka brenda saj dhe e mbylli përsëri. Prej asaj kohe, fillova të falem dhe ndjeva të njëjtën ëmbëlsi dhe përkushtim që ndieja ditët kur isha student dhe kisha lidhje të forta me Zotin”.

Fillimi i përkushtimit në fe ka një ëmbëlsi, shije dhe qetësi, të cilën nuk mund ta ndjesh pas disa viteve. Ato çaste përkushtimi dhe përjetimi të adhurimit janë të papërsëritshme në vitet që do të vijnë, prandaj shfrytëzoji si duhet këto kohëra.

Ebu Bekri ishte prezent kur një delegacion nga Jemeni erdhën për të takuar Profetin a.s dhe për të mësuar mbi fenë Islame. Profeti a.s u takua me ta, bisedoi rreth fesë dhe ata pranuan Islamin. Me të dëgjuar fjalët e para të Kur’anit, ata filluan të qajnë pa pushim. Ebu Bekri, kur i pa duke qarë, tha: ”Kështu kemi qenë dhe ne, para se të na ngurtësohen zemrat”.  Imagjinojeni, Ebu Bekri mendonte se kishte zemër të ngurtë! E ku krahasohemi ne me besimin e tij.

Dijetarët myslimanë thonë: “Lum ai njeri që i pranohet qoftë edhe një sexhde me sinqeritet”.

Përse të mos përpiqesh që sexhden ta kesh si ajo e Davudit a.s? Përse të mos e adhurosh Zotin në atë mënyrë që ta ndjesh sikur zemrën e nxjerr nga gjoksi dhe ia dorëzon vetë Zotit të Madhërishëm?

Ebu Musa el Esh’ariu, i cili lexonte bukur Kur’an, tregon: “ Një natë isha ulur në xhaminë e Profetit a.s dhe po lexoja Kur’an. Profeti a.s mu afrua dhe më tha: “Të dëgjova duke lexuar Kur’an. Të është dhënë një nga fyejt e Davudit a.s.” (Muslimi,1848). Në origjinë, fyelli është vegël muzikore dhe në rastin e Davudit a.s nënkuptohet zëri i tij melodik. Zoti nuk ka krijuar asnjë njeri tjetër, me zë më të bukur dhe melodik sesa ai i Davudit (Paqja qoftë mbi të). Zërin e tij të bukur dhe tërheqës, Zoti nuk ia ka dhënë askujt tjetër. Kur lexonte Davudi a.s librin që i shpalli Zoti, Zeburin, gjithçka që e rrethonte qetësohej dhe përkushtohej. Ebu Musa el Eshariu kishte një zë nga zërat e shumtë melodik të Davudit a.s. Ai kishte zërin më të bukur në mesin e të gjithë shokëve të Profetit a.s.

Usejd Ibni Hudejri ishte një nga shokët e Profetit a.s dhe ishte nga banorët e qytetit të Medines. Një natë të xhuma, ai ishte ulur dhe po lexonte suren El-Kehf. Teksa lexonte, ai prekej dhe përkushtohej me ajetet e saj. Kali që kishte pranë, filloi të bëjë lëvizje të çuditshme. Me ta vënë re diçka të tillë, Usejdi e ndaloi leximin dhe kali u qetësua. Me të filluar të rilexojë, kali filloi të lëvizë përsëri. Atëherë, ai e ndërpreu leximin, vajti tek Profeti a.s dhe i tregoi. Profeti a.s tha: “Kjo është qetësia. Nga zëri yt i bukur, zbritën melekë nga qielli duke dëgjuar. Për këtë kali u trondit, o Usejd.”

Për çdo lloj adhurimi që të flasësh, do ta gjesh Davudin a.s, Ai i bënte lutje të veçantë Zotit.      Kab el Ahbari ka qenë një hebre që u konvertua në mysliman. Një ditë teksa ishte në Qabe me Suhejbin, i tha atij: “ Për Zotin, i cili hapi detin për të kaluar Musai a.s., Davudi a.s. thoshte këtë lutje pasi përfundonte namazin:

“O Zot, rregulloje fenë time, e cila është mbrojtëse e çështjeve të mia. Ma përmirëso jetën në këtë botë. O Zot, unë kërkoj të mbrohem me kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt, me mirësitë e Tua nga ndëshkimi Yt. Unë nuk di të falënderoj ashtu si e meriton Ti. O Zot, askush s’mund ta pengojë dhënien tënde kur jep dhe s’mund të më bëjë dobi pasuria e askujt”.

Kur e dëgjoi Suhejbi, i tha: “ Edhe unë betohem në Zotin e Madh që e kam dëgjuar Profetin (Muhamedin) a.s ti përsërisë këto fjalë, pasi përfundonte namazin.” Kështu shohim se lidhjet e profetëve mes tyre janë të forta dhe se feja është një strukturë e vetme.

Pas gjithë kësaj që u përmend, lind pyetja: Përse kemi lejuar që të na pushtojë materializmi? Përse kalojmë me orë të tëra para kanaleve televizive, rrjeteve sociale dhe faqeve të internetit, ndërkohë që nuk çohemi të falim namazin, të lexojmë Kuranin dhe të adhurojmë Zotin? 

Thotë Muhamedi a.s: “ …Shfrytëzoni rininë para se të vjen pleqëria…”.  Në lidhje me këtë thënie,  Abdullah ibni Amr ibn Asi kur arriti moshën e thyer tha: “ Profeti a.s ka vdekur, unë jam plakur dhe nuk mundem të punoj si më parë. Ah, sikur ta kisha dëgjuar këshillën e tij.” 

Neglizhencën që përjetojmë sot, nuk e pëlqen Zoti i Madhërishëm. Andaj, patjetër duhet që të përpiqesh ta ndjesh leximin e Kur’anit, ta ndjesh faljen e namazit dhe të përkushtohesh në fe. Zgjohu, vetëdijesohu, puno dhe bën adhurim, derisa je akoma i ri.

Për fund e lusim Allahun e Madhërishëm që të na mundësojë përkushtimin në fe dhe të qenurit pranë Tij.  Amin!