Dituria e mirëfilltë është udhë drejt besimit

Muhamed ef. Egriu:

Besimi i fortë dhe i shëndoshë mund të arrihet vetëm nëpërmjet punës, leximit, studimit dhe diturisë së vërtetë. Ky besim që arrihet me dituri është bindje e fortë dhe e rrënjosur thellë në shpirtin e besimtarit.

Sa i përket besimit imitues, i cili është trashëguar nga pasardhësit, nga familja dhe rrethi ku jetojmë, ai është një besim pa bindje, pa themel, sipërfaqësor dhe i pa qëndrueshëm. Besim ku njeriu devijon shpejt, nuk ka qëndrime stoike dhe me labilitet lëviz lart e poshtë, saqë vjen një kohë ku besimi i tij imitues shtrembërohet, devijohet, nuk zbatohet dhe shuhet. Injoranti (xhahili) asnjëherë nuk mund ta kuptojë vlerën e besimit. Mu për këtë edhe shkalla e besimit peshohet me faktin sa njeriu i kupton gjërat.

Për njohjen e plotë të Allahut xh.sh dhe frikë-respektin ndaj tij, Allahu xh.sh në Kur’anin Famëlartë thotë:

“Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e tij vetëm dijetaret (Fatir: 258).

Ndërsa në një ajet tjetër thotë:

A janë të barabartë ata që dinë me ata qe nuk dinë (Zumer: 260).

Nga këto dy ajete Kur’anore po edhe shumë të tjera të ngjajshme, del në pah e vërteta absolute se Islami i ka dhënë një rëndësi të veçantë diturisë dhe dijetarëve.

Është e çuditshme fakti se dikush akoma mendon se Islami lufton diturinë ose e pengon atë, në kohën kur kushti i parë dhe qenësor i kësaj feje është lidhshmëria dhe baza e saj me diturinë e dobishme.

Ne hedhim poshtë akuzat të cilat i mveshen kësaj feje se gjoja Islami e ka penguar shkollimin dhe diturinë. Islami asnjëherë nuk mund të jetë në kundërshtim me principet dhe parimet e librit të Zotit. Fjalët e para të Kur’anit Famëlartë janë “Ikre” – Mëso! Domethënë Islami është një fe që përmes mësimin, nxënien dhe diturisë synon besimin te i madhi Zot. Kusht i vetëm që kjo dituri të na shërbejë për tu afruar tek Allahu është të bëhet në emër të Tij. Këtë e konfirmon edhe vet Zoti në fillim të sures Alak ku thotë: “Ikre Bismi Rabik – Lexo me emrin e Zotit tënd…”

O Krijues i gjithësisë! Na e mundëso ta kuptojmë diturinë e besimit të pastër. O Krijues i tokës dhe qiejve! Na e mundëso të kuptojmë rrugën e besimit. O Krijuesi i gjithësisë! Na e mundëso ta kuptojmë Kur’anin Famëlartë që është i pastër si kristali. Amin!