Hysein ef. Mirzo
Feja islame është ngritur mbi parimet e besimit që përmenden në Kuranin Fisnik, siç vijon:
Ju (besimtarë) thuani: “Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë fise – kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur”. (Sureja Bekare: 136)
Këto parime madhështore, që Allahu na urdhëron t’i besojmë, janë përcjellë nga të gjithë profetët dhe të dërguarit e Zotit në tokë. Ato përmbajnë njohuritë dhe pikëpamjet më të larta rreth besimit në Allahun, si dhe tregojnë përpjekjet dhe punët që duhen bërë, për ta fituar pëlqimin e Tij.
A mund të përfytyrohet një fe më e mirë dhe më e lartë se ajo e cila ka për bazë besimin në Zot dhe ka për fryt rendjen pas gjithçkaje që sjell dashurinë dhe pëlqimin e Tij, me qëllim të pastër vetëm për Zotin?
Është absurde që një feje të tillë t’i drejtohen shigjetat e kundërshtisë dhe qortimit, në kohën kur ajo urdhëron të besohet në vërtetësinë e mesazheve të sjella nga të gjithë profetët e Zotit, pa bërë dallim midis tyre; të besohet se të gjithë ata janë të dërguarit dhe besnikët e sinqertë të Allahut.
Islami urdhëron atë që është e drejtë, pranon atë që është e sinqertë, pohon të vërtetat fetare që mbështeten në mesazhet e Allahut për të Dërguarit të Tij dhe përputhet me atë që është logjike, e natyrshme dhe e dobishme. E nga ana tjetër, Islami nuk e refuzon të vërtetën në asnjë mënyrë, nuk e pranon gënjeshtrën dhe nuk e promovon të pavërtetën e të kotën, por ai urdhëron në veprat e mira, në sjelljet fisnike dhe në gjithçka të dobishme për njerëzit; nxit drejtësinë, bujarinë, mëshirën dhe mirësinë; ndalon padrejtësinë, agresionin dhe sjelljet e këqija.
Nuk ka virtyt të përcjellë prej lajmëtarëve të Zotit që Islami të mos e ketë konfirmuar; nuk ka çështje fetare dhe tokësore të predikuar në ligjet hyjnore që Islami të mos e ketë rekomanduar; nuk ka dëm që Islami të mos e ketë ndaluar e të mos e ketë urdhëruar largimin prej tij. Të gjitha këto janë karakteristika universale që e bëjnë atë të jetë mbizotërues kundrejt feve të tjera.
Ideja finale është se, botëkuptimi i kësaj feje e pastron zemrën, e fisnikëron shpirtin e i rrënjos thellë moralet e larta dhe veprat e mira.
Dibër, 28.02.2021.