Bujar ef. Dovolani
Falënderimi i takon Allahut xh.sh dhe salavatet të përzemërta ia dërgojmë shpirtit të Muhamedit a.s., paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të gjithë ju.
Allahu xh.sh. kërkon nga besimtari që së pari ta besojë dhe ta dojë krijuesin, Allahun Fuqiplotë, pastaj ta besojë dhe ta dojë të Dërguarin e Allahut, Muhamedin a.s.
Për ta kuptuar më mirë dashurinë që duhet të keni ndaj Pejgamberit a.s. duhet të flasim për dashurinë që Pejgamberi a.s. e ka ndaj nesh. Një ditë Pejgamberi a.s. ka qenë duke ndenjur me shokët e vetë dhe papritmas fillon të qajë. E pyesin Sahabët apo shokët e tij: Pse po qan o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi a.s. u përgjigj: Qaj për vëllezërit e mi! Sahabët iu drejtuan Pejgamberit a.s.: Po ne a nuk jemi vëllezërit e tu? Së bashku falemi, së bashku shkojmë në luftë, bashkë jemi çdo kund me ty. Pejgamberi a.s iu përgjigj Sahabëve: Ju jeni shokët e mi që jetoni bashkë me mua, ndërsa unë po qaj për një grup besimtarësh të cilët do të më besojnë dhe do të më duan edhe pse nuk kanë mundësi të më takojnë fizikisht”, – pra, me pak fjalë Muhamedi a.s. ka qarë për ne, nëse jemi prej atyre që e besojnë dhe duan atë.
Allahu xh.sh. pejgamberëve para Muhamedit a.s. ua pat dhënë mundësinë që të bëjnë lutje (dua) në këtë botë dhe lutjet e tyre padyshim që janë pranuar nga Krijuesi. Edhe Muhamedi a.s. e kishte këtë mundësi që të bëje lutje tek Allahu xh.sh., mirëpo ai nuk e bëri lutjen në këtë botë por e la për në botën tjetër. Pejgamberi a.s. duke e ditur që ne si popull i tij do bëjmë mëkate, ai deshi që këtë lutje ta shfrytëzojë në kohën kur më së shumti kemi nevojë për të, gjegjësisht do bëjë ndërmejtësim (shefaat) për ne në Ditën e dhënies së Llogarisë përfundimtare që Allahu të na falë mëkatet dhe të na shpërblejë me Xhenet.
Populli i parë që do të hyjë në Xhenet do jemi pikërisht ne, vetëm e vetëm pse jemi populli i Muhamedit a.s. Prandaj duhet ta duam të Dërguarin tonë Muhamedin a.s.
Allahu në Kur’anin Fisnik urdhëron e thotë:
“Thuaj: ‘Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, grat tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë në të cilën e ndjeni veten më rehat, u janë më të dashura se sa Allahu xh.sh., i Dërguari i Tij dhe lufta në Rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa ta sjellë vendimin Allahu xh.sh. E Allahu nuk do ta udhëzojë në Rrugën e Drejtë popullin e korruptuar” (Sureja Tewbe: 24).
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka besuar ndokush prej jush përderisa unë të mos jam më i dashur për të se prindi, fëmija dhe të gjithë njerëzit. Besimtari do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit atëherë kur do ta dojë Allahun dhe të Dërguarin e tij më shumë se çdo gjë tjetër”. Në një rast tjetër, “Pejgamberi a.s. e kishte kapur për dore shokun e tij të ngushtë Omerin r.a., ndërsa ky i fundit kur e kishte parë afërsinë e Pejgamberit a.s. me të, i kishte thënë: O i Dërguari i Allahut, me të vërtetë të dua më shumë se çdo gjë, në përjashtim të vetes time. Pejgamberi a.s e shikoi dhe i tha: Jo o Omer! Jo pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, ti nuk do të kesh besim të drejtë derisa unë të mos jem më i dashur tek ti se edhe vetja jote! Pas kësaj fjale Omeri r.a. u entuziazmua dhe i tha: Tash për Zotin ti më je më i dashur se vetja ime. Tash o Omer u plotësua besimi yt”.
Se si dhe në çfarë forme duhet ta duam Pejgamberin a.s., këtë mund ta mësojmë nga shembulli i sahabëve apo shokëve të tij, se si ata e kanë dashur dhe vlerësuar Profetin e Zotit. Një shok i Pejgamberit a.s. largohet nga vendlindja për një kohë të gjatë në një mision për thirrje ne Rrugën e Allahut xh.sh. Kur kthehet nga misioni i tij, fillimisht shkon e takon të Dërguarin e Allahut xh.sh.. pastaj kthehet në familje tek nëna e tij. Kur ajo kuptoi se biri i saj së pari ka vizituar Pejgamberin a.s. pastaj nënën, vendos të mos hajë e mos pijë për shkak të veprimin të djalit të saj. Djali kur e sheh sjelljen e nënës, i thotë asaj: “Oj nënë! Unë më tepër e dua Allahun dhe të Dërguarin e tij sesa veten time”.
Ashtu duhet të jemi dhe ne besimtarët. Duhet ta duam Krijuesin dhe të Dërguarin e Tij më tepër se veten tonë.
Dibër, 25.11.2021