Vlera e mirësisë në jetën e besimtarit

Burim ef. Sadria

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar. Atë e falënderojmë për mirësitë e Tij të shumta e të panumërta. Ai i cili e zbriti fjalën e Tij, Kur’anin në gjoksin e të Dërguarit të Tij Muhamedit a.s. për ta nxjerrë njerëzimin nga errësira e mosbesimit, në dritën e besimit. Salavatet dhe selamet qofshin për Profetin e fundit Muhamedin a.s., për familjen e Tij të pastër, për shokët e Tij besnik dhe për te gjithë ata që e pasojnë atë me devotshmëri dhe përkushtim deri në ditën e Kiametit.

Sot do të flasim mbi një moral që ka humbur mes myslimaneve, moral ky, që ka mbetur i huaj në tokën myslimane. Sot, të paktë janë ata që e praktikojnë këtë moral mes myslimanëve, madje lirshëm mund të themi se janë perëndimorët ata që e kanë huazuar nga muslimanët e parë dhe e praktikojnë në jetën e tyre. E kemi fjalën për morali i mirësisë.

Fjala mirësi nënkupton “kur të veprosh diçka ta bësh sa më mirë”. Në lidhje me këtë Zoti i Madhëruar në disa versete të Kur’anin Fisnik thotë:

“Allahu nuk ua humb shpërblimin bamirësve” (Sureja Teube: 120). “Me të vërtet që mëshira e Zotit është pranë bamirësve (Sureja A’raf: 56). “Atyre që bëjnë vepra të mira u takon e mira(xheneti)dhe më tepër(shikimi i Zotit)” (Sureja Junus: 26).

Ndërsa Profeti ynë a.s. thotë: “Zoti dëshiron që nëse dikush vepron diçka, ta bëjë atë sa më mirë që të jetë e mundshme”. Në një rast tjetër ka thënë: “Zoti ka urdhëruar për mirësi në çdo gjë: nëse vrisni, gjegjësisht therni kafshë bëjeni në mënyrën më të mirë, mprihni thikën dhe lehtësojani kafshës daljen e shpirtit”. Në këtë hadith Profeti a.s sjell shembull ku njeriu e ka të vështirë ta konceptojë se si mund të jetë bamirës dikush që merr jetë. Qëllimi është që edhe kur të therësh ndonjë kafshë për të ushqyer veten dhe familjen, je i detyruar që të jesh bamirës, duke e mprehur thikën mirë që të mos e mundosh kafshën.

Kur engjëlli Xhibril a.s. erdhi te Profeti a.s. në formë njeriu dhe e pyeti se ç’ është islami? Muhamedi a.s. iu përgjigj: “Të dëshmosh se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është i Dërguar i Tij; të falësh namazin; të japish zeqatin; të agjërosh muajin e Ramazanin dhe të kryesh Haxhin nëse ke mundësi”. Ndërsa kur u pyet mbi imanin (besimin) Resulullahu u përgjigj: “Iman është të besosh në Zotin; Melekët e Tij; Profetët e Tij; Librat e Tij; Ditën e Gjykimit dhe në Kaderin e Zotit”. Dhe në fund, kur u pyeti se ç ‘është mirësia? Profeti a.s u përgjigj: “Mirësia është kur ta adhuron Zotin, ta besh njëlloj sikur e shikon, pasi edhe pse ti nuk e shikon Atë, Ai të shikon ti”.

Dijeni mirë se është Allahu pikërisht Ai që na vëzhgon në veprat tona, qofshin të mira apo të këqija.

Dibër, 27.11.2021