Mos e përulni jetimin!

Mualime: Launtina Dovolani

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut xh.sh i cili na bëri pjesëtarë të fesë Islam, fe e cili është e pranuar tek Allahu xh.sh. Salavatet të përzemërta ia dërgojmë shpirtit të Pejgamberit tonë, Muhamed Mustafasë a.s. Ndërsa paqja dhe mëshira qoftë mbi të gjithë ju.

Allahu xh.sh thotë në Kur’anin Famëlartë:

“Dhe të pyesin ty për jetimët, thuaj: tu bëni mirë atyre është vepër e bukur, e nëse jetoni bashkë me ta, ata janë vëllezërit tuaj se Allahu di të dallojë keqbërësin prej mirëbërësit. Sikur të donte Allahu do t’ju detyronte me punë të vështira. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm (Sureja Bekare: 220)

Transmetohet nga Seh Ibn Sadi, Allahu qoftë i kënaqur me të se Muhamedi a.s ka thënë: Unë dhe ai që përkujdeset për jetimin jemi në Xhenet kështu (bëri me shenjë me dy gishtërinjtë ,gishtin tregues dhe gishtin e mesëm)”. Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese! Thanë: Cilët janë ato, o i Dërguari i Allahut! – Pejgamberi a.s. u përgjigj: Shirku; Magjia; Vrasja e njeriut;
Ngrënia e kamatës; Ngrënia e pasurisë së jetimit; Ikja nga beteja e luftës; dhe shpifja për imoralitet ndaj besimtarëve të ndershëm”.

Thotë Allahu xh.sh. në lidhje me Muhamedin a.s:

“A nuk të gjetëm ty jetim e Ai të bëri vend (të dha përkrahje) (Sureja Duha: 6).

Si do na pastrojë Allahu xh.sh nëse shkelim të drejtat e jetimit e nuk interesohemi për to, në kohën kur e dimë se ata kanë mbetur pa nënë e pa baba, e nuk kanë askënd që tua lëmojë flokët dhe tua fshin lotët? Çfarë mendoni se do të jetë shpërblimi ynë te Zoti në qoftë se e shuajmë urinë dhe etjen e një jetimit? Me siguri i pakufishëm.

Allahu xh.sh na ka begatuar me pasuri, andaj mos bëhemi koprracë por të mundohemi që me pasurinë tonë të shpëtojmë jetimët. Allahu xh.sh thotë në Librin e tij Fisnik:

“Pra, mos e përul jetimin (Sureja Duha: 9).

Që ka kuptimin gjithashtu: mos e përbuzni jetimin, mos e poshtëroni atë, mos e përzeni, mos e nënçmoni, por bëji mirë dhe sillu butë me të. Allahu xh.sh gjithashtu thotë:

Adhuroheni Allahun e mos shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt apo të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lëvdohet (Sureja Nisa: 36).

Ibn Kethiri transmeton se i thanë Muhamedit a.s.: O i dërguari i Allahut! Na trego se çfarë ke parë natën kur ishe në vizitë tek Allahu (në Isra dhe Miraxh)? – Tha: Më dërguan tek krijesat të shumta të Allahut xh.sh. Pashë njerëz që kishin buzët sikurse të deveve, njerëz që shkulnin lëkuren e njëri-tjetrit pastaj sillej një gur nga zjarri dhe iu hidhej ndonjërit prej tyre pastaj u dilte nga pas, ata bërtitnin dhe klithnin – thashë: O Xhibril, kush janë këto? Tha: Këta janë ata që kanë ngrëne mizorisht pasurinë e jetimëve dhe në barqet e tyre nuk kanë tjetër veç zjarrit”.

Ngrënësi i pasurisë së jetimit mizorisht ngritet në ditën e gjykimit ndërsa nga goja, veshët, hunda dhe sytë e tij del zjarr, kushdo që i sheh e njeh se ai është ngrënësi i pasurisë së jetimit. Mos ia ndalojmë vetes të drejtën që ti ndihmojmë jetimët sepse në fakt pasuria jonë na shpije në xhenetet e përjetshme dhe kopshtet e Allahut.
I madhëruar dhe i lavdëruar qoftë Allahu xh.sh. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Kërkojmë falje dhe pendohemi tek Ai. Amin!

Dibër, 07.12.2021