Dijani vlerën Kur’anit Fisnik sa s’është zhdukur

Ligjëruese fetare: Shkëndije Mullarexha

Ndonjëherë, nuk e dimë vlerën e asaj që e posedojmë. Ne, kuptojmë vlerën e prindërve kur humbasim nënë e baba. A nuk është ashtu? Vetëm kur ata ndërrojnë jetë, ne themi, ah, sikur të jetonin më gjatë, do tua puthnim duart e këmbët  e tyre. Por kjo nuk është e mundur dhe ky është momenti kur kuptojmë se realisht nuk kursyem kohë të mjaftueshme për prindërit, derisa ishin gjallë.

Gjithçka në jetë është si shembulli i mësipërm. Të gjitha mundësitë tona si: shëndeti, rinia, koha e lirë, autoriteti, pushteti, janë në një njëjtin dimension. Vëmë re vetëm pasi i humbasim nga duart. Por ky është momenti kur nuk mbetet asgjë për të bërë më, pasi nuk mund ta kthejmë kohën prapa.

Një nga bekimet më të rëndësishme që do të zhduket nga duart tona është Kur’ani, Libri ynë i Shenjtë. Këtë çështje, Profeti Muhamed a.s. e përshkruan në disa hadithe. Në një rast Ai a.s. thotë: “Ashtu si zbehet dhe vjetërsohet veshja ,do të zbehet edhe Islami. Në fakt, çfarë është në realitet agjërimi, namazi, haxhi dhe umreja, dhe çfarë është bamirësia, nuk do të dihet e tillë. Libri i Allahut, Kur’ani, gjithashtu do të hiqet brenda natës dhe asnjë ajet i vetëm nuk do të mbetet prej tij në tokë. Disa njerëz, të përbërë nga burra shumë të moshuar dhe gra shumë të vjetra, do të qëndrojnë dhe do të thonë: Ne u rritëm me fjalën La ilahe illallah të mësuar nga baballarët tanë, dhe kjo është e vetmja fjalë që e dimë nga feja e tyre”[1]. Ky hadith është padyshim një hadith shumë tronditës. Kjo ngjarje do të ndodhë para apokalipsit (Kiametit).

Fshirja e ajeteve në Kur’an mund të jetë në dy mënyra. Sido që të jetë, kur të zgjohemi një mëngjes dhe Kur’ani të hapet, do të shohim se të gjitha ajetet në faqet e Kur’anit janë zhdukur … Për shkak se njerëzit nuk jetuan me të. Ata nuk bënë atë që duhej bërë. Allahu i Madhërishëm do ta heqë Librin e Tij nga ata që nuk e meritojnë atë. Pas kësaj, do të vijë apokalipsi (Kiameti).

Duket sikur Zoti ynë i Plotfuqishëm nuk shkatërron Universin në të cilin ndodhet Fjala e Tij, por lejon Ditën e Kiametit pasi ta heqë Librin e Tij të amshuar. Ose, për shkak se njerëzit nuk e jetojnë Kur’anin, ajetet e Kur’anit do të fshihen nga zemrat e tyre. Do të lexohet për botën dhe për të tjerët dhe jo për të marrë mësime për veten. Në vend që të marrin mesazhe të sakta dhe jetësore nga Kur’ani, ata do të dënohen me komente të zbrazëta dhe iluzione të fshehta.

Në fakt, vetë Kurani forcon këtë interpretim kur thotë: “Profeti tha, O Zoti im, populli im e bëri këtë Kuran, diçka të braktisur (të huaj)”. (Sureja Furkan: 30).

Profeti Muhamed a.s. thekson largimin e umetit të tij nga Kur’ani edhe në një rast tjetër ku thotë: “Do të vijë dita, kur Kur’ani do të hiqet nga gjiri i disave prej këtij umeti, ashtu si veshja e vjetërsuar. Ata do të mbështeten më shumë në çdo gjë tjetër përpos Kur’anit. Njerëzit do të kapen nga lakmia e tepruar. Kur të shkelin të drejtën e Allahut, ata nuk do të ndiejnë asnjë shqetësim ose frikë. Kur të kryejnë një mëkat, ata do të thonë: Sigurisht që Zoti do të më falë. Ata do të veshin rroba lëkure qengji dhe lëkure të çfarëdollojtë, por zemrat e tyre do të jenë si ujku. Më të mirët (ata do të jenë të pamëshirshëm dhe jo tolerantë edhe nëse duken të butë në dukje) do të jenë ata që urdhërojnë të keqen dhe ndalojnë të mirën”.

Falënderimi i qoftë Zotit që ende nuk kemi arritur në këto ditë. Ndoshta ka kohë për ato ditë. Sepse kur të vjen dita që “as Umreja dhe as Haxhi nuk do të bëhen më”[2], ato ditë janë gjithashtu ditët kur do të dalin Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhet[3], që janë ndër shenjat e mëdha të Kiametit. Në ato ditë, dijetarët nuk do të respektohen; njerëzit e mirë dhe të dëlirë nuk do të kenë turp; të moshuarve nuk do t’iu tregohet respekti i nevojshëm; të vegjëlve nuk do t’iu tregohet mëshirë; njerëzit do të therin njëri-tjetrin për hir të botës; njerëzit e mirë do të ulin kokën dhe lëmosha do tu përçmohet; dhe do të dalin profetë të rrejshëm. Kur të vijnë ato ditë, Allahu i Madhërishëm do ta heqë Librin nga zemrat e njerëzve. Nuk do të jetë e dobishme të pendohesh ose të gjesh keqardhje për heqjen e Kur’anit.

Sot është mundësia jonë. Kur’ani Famëlartë është në shtëpitë tona, por sa prej nesh e kanë lexuar atë të paktën një herë të vetme?

Në të vërtetë, duhet të pyesim veten: Çfarë na thotë Zoti? Çfarë kërkon Ai nga ne? A kemi menduar ndonjëherë për këtë?

Kur’ani është biseda e moralit të madh me ne në pyetjen se kush kujdeset për ne dhe kush na drejton. Osmani r.a.  shpesh thoshte: “Po të kishim pastruar zemrat tona, nuk do të ishim ngopur me fjalën e Zotit tonë”.

Dibër, 01.04.2021


[1] Transmeton Ibn-i Maxhe. Përkthyes dhe komentues Hajdar Hatipoğlu, Fiten, Hd: 4049)

[2] Sahihu’l xham,7296

[3] Sahihu Kisas, vëll., 2, fq. 418