Xhelozia – sëmundje e zemrës

Bujar ef. Dovolani

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xh.sh. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Falënderojmë Allahun që na udhëzoi në këtë fe dhe na bëri besimtarë. Përshëndetjet tona qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë pasuesit e tij, deri në ditën e gjykimit. Fjala më e mirë është Fjala e Allahut xh.sh (Kur’ani), ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit a.s. (Suneti).
Xhelozia është një mëkat i rëndë. Ajo mund të shpie në mëkatet e mëdha siç janë: tradhti, hidhërime dhe në raste ekstreme edhe vrasje. Pasojat e xhelozisë janë shumë të mëdha në shoqërinë Islame. Xhelozi do të thotë të urresh arritjet e begative apo të mirave te të tjerët dhe të shpresosh që ajo të largohet nga ato.

Allahu i madhërishëm thotë në Kur’anin Famëlartë: All-llahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim. Atyre që u është dhënë përparësia (në furnizim), nuk janë furnizues të atyre që posedojnë (robërve), ata (të gjithë) në të janë të barabartë (furnizues kryesor është All-llahu), a mos duan të mohojnë dhuntinë e All-llahut? (Sureja Nahl: 71). Në një rast tjetër thotë: A u kanë zili atyre njerëzve për atë që All-llahu u dha nga mirësitë e Tij?” (Sureja Nisa: 54).

Nga ajetet e Kur’anit Famëlartë kuptojmë se çështja e furnizimit i takon vetëm Krijuesit dhe ne si krijesa të Tij nuk duhet të kemi xhelozi ndaj njeri-tjetrit por duhet të jemi të kënaqur me atë çka Krijuesi na ka dhuruar neve dhe atyre. Pejgamberi a.s. në një hadithin të tij thotë: ”Të jesh i kënaqur me atë çka Krijuesi të ka dhuruar, do të thotë të jesh njeriu më i pasur”.

Xhelozia ka qenë shkak i gabimit të parë në qiell, dhe gabimit të parë në  tokë. Mëkati i parë në qiell ka qenë rasti kur Iblisi ka refuzuar ti bëjë sexhde Ademit a.s. dhe ka thënë: ”Më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta” (Sureja A’raf: 12). Ai në këtë rast u tregua xheloz dhe Allahu e mallkoi. Mëkati i cili është bërë ndaj Allahut në tokë është mëkati i Kabilit, birit të Ademit a.s., në momentin kur e vrau vëllain e tij, Habilin, nga xhelozia. Për këtë flet Kur’ani Famëlartë: “Lexoju (Muhammed) atyre (jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbanë, nga të cilët njërit iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve” (Sureja Maide: 27).

Transmeton Ebu Davudi se Pejgamberi ynë a.s. ka thënë: ”Kini kujdes xhelozinë, ajo vërtet shkatërron veprat e mira siç zjarri i shkatërron drunjtë”. Nga ky hadith kuptojmë se besimtari i cili në zemrën e tij ka xhelozi, xhelozia do t’ia djeg punët e mira. Prandaj duhet pasur kujdes që xhelozia mos gjen vend në zemrat tona.

Në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. thotë: “Mos e urreni njëri-tjetrin, mos ja keni zilinë njëri-tjetrit, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, as mos i shkëputni marrëdhëniet tuaja, bëjuni robër të Allahut, vëllezër të mirëfilltë”.

Nëse xhelozia i ka shkatërruar popujt para nesh, xhelozia mund të na shkatërrojë edhe neve. Këtë më së miri na e mëson i Dërguari i Allahut kur thotë: “Kanë rënë te ju sëmundjet e popujve para jush, mes tyre: xhelozia dhe urrejtja”.

Jakubi a.s. kishte 12 fëmijë, të gjithë prej tyre, pos njërit, mendonin se Babai i tyre e donte dhe favorizonte njërin më shumë se pjesa e ngelur. Ata të nxitur nga xhelozia se babai i tyre e don më tepër Jusufin a.s., vendosën që vëllain e tyre ta hedhin në pus për vdekje.

Shikoni vëllezër se deri ku mund të shkon xhelozia, vëllain e tyre nga gjaku ta hedhin në pus për vdekje vetëm e vetëm se pretendonin se ai ishte i preferuari i babait të tyre.
Xhelozia është aq e rrezikshme saqë Allahu shfaq ajete në Kur’an që të recitohen si mbrojtje nga xhelozia. Allahu i madhërishëm thotë në Kuranin Famëlartë:

Thuaj: “I mbështetem (Allahut) Zotit të agimit (të më ruajë). Nga sherri (e keqja) i asaj që Ai ka krijuar. Dhe nga sherri i errësirës (së natës) kur ajo vjen me errësirën e saj. Dhe nga sherri i atyre që bëjnë magji kur u fryejnë nyjeve. Dhe nga sherri i smirëkeqit kur vepron sipas smirës.” (Sureja Felek: 1-5).

Zoti na ndihmoftë!

Dibër, 03.04.2021