Diaspora shqiptare përmes remitancave dhe donacioneve ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë sonë, si në dimensionin infrastrukturorë ashtu edhe në atë shpirtëror. Donacioni i radhës që bëhet për vendosjen e dritareve të reja në xhaminë e Teqes në Dibër të Madhe, i ka në brendësi të dy dimensionet e lartshënuara. Mos harrojmë se Xhamia e Teqes në veti ngërthen shumë kujtime dhe nostalgji, ajo ka vlera të larta artistike që duhet ruajtur me kujdes dhe fanatizëm.
Ky investim ishte shumë i nevojshëm për praktikuesit e kësaj xhamie sepse dritaret e vjetra ishin të dëmtuara, jo funksionale dhe nuk pengonin të ftohtin dimrit dhe të nxehtin verës. Donatori që dëshiron të ngelet anonim është një personalitet fisnik, bujar, dashamirës dhe mirëbërës, që asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen e tij dhe sakrificën për të mirën e përgjithshme. Ne si institucion, që përpiqemi ta kemi transparencën bazë të besimit reciprok, me mirëkuptim kërkuam prej tij që të vendosim të paktën inicialet e emrit të tij, me të vetmin qëllim që të jemi faqebardhë para publikut, andaj ai edhe u pajtua ti vendosim të njëjtat.
Në fund, Myftinia e Dibrës së Madhe i shpreh mirënjohje dhe falënderime të përzemërta humanistit A.M. nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kontributin e tij të lartë dhe lusim Zotin e botëve që ta shpërblejë ashtu siç din Ai më së miri. Amin!