Durimi është çelësi i Xhenetit

Ligjëruese fetare: Launtina Dovolani

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut xh.sh, ndërsa salavatet të përzemërta i dërgojmë shpirtit të Muhamedit a.s.

Durimi është cilësi e besimtarëve të shpëtuar, është cilësi e besimtarëve të Xhenetit. Allahu i madhëruar thotë: “Andaj duro se vërtetë në fund fitorja është e besimtarëve” (Sureja Hud: 49) “Sinqerisht që ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë të njerëzve dhe të lashtëve, prandaj përgëzoj të duruarit, të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thotë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi. Ato do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre, ata janë në rrugë të drejtë” (Sureja Bekare: 155).

Ebu Derda ka thënë: “Njerëzit nuk e duan sëmundjen, por unë e dua se më fal gjynahet; njerëzit nuk e duan varfërinë por unë e dua se më bën të thjeshtë; njerëzit nuk e duan vdekjen por unë e dua se jam i përmalluar me Zotin tim”.

Allahu xh.sh kujton në Kur’anin Fisnik këshillën që Llukmani a.s. ja tha djalit të tij kur i tha: “O biri im, kryeje namazin, urdhëro për mirë e ndalo nga e keqja dhe duro çdo gjë që të godet” (Surej Llukman: 17).

Um Sulejmi përkujton një ngjarje shumë të trishtë të jetës së saj: Më vdiq fëmija i vogël ndërsa im shoq Ebu Talha nuk ndodhej në shtëpi. E varrosa atë në një cep të shtëpisë. Kur im shoq erdhi unë i përgatita ushqim. kur po hante më pyeti: Si është fëmija? Iu përgjigja: Faleminderit Allahun, nuk ka qenë asnjëherë më i qetë se këtë natë. Pastaj iu zbukurova ashtu siç zbukurohet gruaja për burrin e saj. Pastaj i thashë: A nuk çuditesh nga fqinjët tanë? Tha: Përse? I thashë: Dikush u kishte dhënë hua dhe kur erdhi koha që t’ia kërkojë atë, nuk i erdhi mirë. Tha: Sa fqinj të këqij. Atëherë i them: Yt bir ishte borxh (hua) nga Allahu xh.sh që e mori për Vete. Ky ishte momenti kur Ebu Talha aty e mori vesh për vdekjen e djalit dhe u pajtuan me caktimin e Allahut xh.sh. Kur e lajmëruan Pejgamberin a.s. për këtë ngjarje, ai a.s. u lut që Allahu xh.sh t’ju jep përsëri pasardhës të mirë.

Allahu xh.sh. thotë: “Të durueshmeve u jepet shpërblimi i tyre pa masë” (Sureja Zumer:10). Muhamedi a.s. thotë: “Dije se nëse duron në fatkeqësinë që të ka rënë, aty ka mirësi të madhe dhe se fitorja vjen vetëm nëpërmjet durimit; pas ankthit vjen qetësimi; dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi”. Kur e pyetën Pejgamberin a.s. se cili sprovohet më shumë, ai iu përgjigj: Pejgamberët dhe njerëzit e mirë.

Njeriu sprovohet sipas gradës së besimit, nëse është me besim të vogël, sprovohet pak, e nëse është me besim më të madh, sprovohet më shumë. Do vazhdojnë belatë ta godasin njeriun deri sa të ec mbi sipërfaqen e tokës dhe mos ketë asnjë gjynah.

Sa herë që Ibrahimi a.s. është sprovuar ai ka thënë: HasbijAllahu we ni’mel Wekil (Më mjafton Allahu xh.sh, sa Mbështetës i mirë është Ai).

Feja Islame e rekomandon durimin sepse në natyrshmërinë e njeriut është të mbulojë të vërtetën, kur e godet një e mirë, lavdërohet dhe kur e godet një e keqe, mërzitet, dëshpërohet dhe e kap paniku. Mbi këto të vërteta duhet të risim punët dhe veprat tona të mira. Allahu xh.sh thotë: Kërkoni ndihmë prej Zotit duke duruar dhe duke u falur: Me të vërtetë Zoti është me durimtarët (Sureja Bekare: 153).

Kur Ibn Zubejri u nis për në një udhëtim, iu sëmur këmba dhe pas një kohe e preu atë. Në këtë udhëtim ai e kishte me vete edhe djalin e tij, duke qenë i hipur në deve, pa dashje ai rrëshqet dhe vdes aksidentalisht. Ibni Zubejrit i ndodhin dy fatkeqësi në të njëjtin udhëtim dhe kur u kthye në Medine, njerëzit u çuditën: kishte shkuar me dy këmbë dhe erdhi me një, kishte shkuar me djalin dhe erdhi pa të. Ai bërtiste në rrugët e Medines: O Zot, të falënderojë shumë, më more pak e më le shumë. E gjithë Medineja mendoi se është i çmendur. Kur i shkuan në vizitë në shtëpi e pyetën: Ku e ke djalin? Tha: Ma mori Allahu xh.sh. Të Allahut jemi dhe vetëm te Ai do të kthehemi. E pyetën: Po me këmbën ç ndodhi? Iu përgjigj: Më ra një sëmundje dhe isha i detyruar ta pres. Por Allahu më krijoi me dy duar, me dy këmbë, me dy sy, me mendje të shëndoshë dhe më dha 8 fëmijë. Allahu xh.sh shumë pak më mori dhe shumë më ka lënë. Falënderimet i takojnë vetëm Allahut xh.sh.

Besimtarë e besimtare! Ky është Islami dhe këto janë tregimet Islame që janë sjellë tek ne për të na dhënë kurajë që edhe ne ti kalojmë sfidat e jetës me durim dhe me besim të fortë.
Allahu xh.sh thotë: Xheneti i Adnit në të cilën do të hyjnë ata dhe prindërit e tyre, dhe gratë e tyre dhe pasardhësit e tyre – Ata që kanë qenë të mirë, e engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e ju thonë): Shpëtimi qoftë mbi ju, meqë keni duruar. E sa përfundim i bukur që është ky (Sureja Rad: 23-24).

Në jetët tona kemi lloj-lloj sprovash por dashtë Allahu xh.sh. të na bëjë besimtarë të fortë që ti kalojmë sprovat e Allahut me durim dhe me besim, duke kujtuar çdo herë ajetin Kur’anor: Andaj duro, se vërtetë në fund fitorja është e besimtarëve (Sureja Hud: 49).

Dibër, 05.04.2021